FLAKA SURROI
Shikuar nga jashtë, pse do të ndërmerrte KGJK-ja nismë të tillë për ta amnistuar veten apriori po qe se nuk e ka mizën pas veshi? Nëse projektligji, të cilin supozohet se e kanë shkruar profesionistët që merren me ndarjen e drejtësisë, parasheh dispozita që gjyqtarët i qet mbi ligjin, është pse do të ketë bazë të mjaftueshme të besohet se aktualisht, në gjyqësi, ka gjyqtarë të korruptuar. E këta do të vazhdonin të korruptoheshin edhe më shumë, sidomos po qe se kalon ky ligj.
Dje zyrtarisht nisi regjistrimi i popullsisë. I shtyrë disa herë, nuk e di për çfarë arsye, më në fund nisi. Dhe si ndryshe, pos me telashe. Qysh dje disa komuna lajmëruan se regjistrimi do të shtyhej deri të hënën “për shkaqe teknike”. Disa komuna u ankuan se nuk kanë intervistues të mjaftueshëm, për shkak se një pjesë e tyre kishte refuzuar të punonte për shkak të pagesave të ulëta. Në komunat veriore u fut në funksion politika dhe Lista Serbe bëri thirrje që regjistrimi të bojkotohej. Arsyet janë më duket të qarta: regjistrimi i mirëfilltë me gjasë do ta rrëzonte numrin e serbëve rezidentë në Kosovë, me të cilin manipulohet tash e sa vite.
Fushata që i parapriu regjistrimit qe shumë e vakët – uroj që ajo të intensifikohet në ditët në vijim e deri në përfundimin e regjistrimit më 17 maj të sivjetmë. Sepse shumë gjëra janë të paqarta – si për shembull cilat do të jenë rubrikat apo pyetjet të cilave do t’u përgjigjemi. Regjistrimi është shumë i rëndësishëm, sidomos për Kosovën që regjistrimin e fundit të mirëfilltë e kishte pasur më 1981. E kemi të rëndësishme edhe për të dëshmuar se jemi shtet mirë i formuar apo së paku që përpiqemi shumë që të jemi i tillë dhe që mund ta mbajë evidencën e popullatës së vet vetëm dhe me metoda bashkëkohore kalkulimi.
Nuk e di nëse do të kemi drejtë t’u qasemi fletëve tona të regjistrimit në formë elektronike, por kjo do të ishte një punë, e cila do t’i eliminonte shumë nga gabimet eventuale që do të mund të ndodhnin gjatë regjistrimit. Sikurse ishte rasti me regjistrimin më 2011 – në ndërtesën kolektive të banimit ku jetoj, vetëm njëra familje u regjistrua, sepse regjistruesit nuk i gjenin banorët aty dhe nuk vin vetëm njëra familje u regjistrua, sepse regjistruesit nuk i gjenin banorët aty dhe nuk vinin fare për të dytën herë.
E kur jemi te shteti i mirëformuar, një rast që nuk do të duhej të ishte kritik dëshmoi se nuk jemi bash të tillë. Në Prishtinë u dogj një trafostacion, që pesëdhjetë e kusur vjet më parë kishte qenë më i rëndësishmi në Prishtinë.
Po aq i rëndësishëm u dëshmua edhe kësaj radhe, duke i lënë pa furnizim gati 25 mijë qytetarë. Disa nga lagjet ishin më me fat dhe rryma iu rikthye pas disa orësh. Gjysma tjetër e popullatës së prekur mbeti pa të për gati 35 orë.
Ishte shumë interesante që dy ditë para se të shpërthente zjarri, aty të qarkullonte një kolumne e shkruar nga James Stavridis, dikur kryekomandant i forcave të NATO-s, në “Bloomberg”
Kolumna e titulluar “Fronti i ri i Putinit në luftën e Ukrainës është Ballkani”, thoshte ndër të tjera: “… Krahas forcave të stabilizimit, NATO-ja duhet të jetë e kujdesshme, ngase Rusia e aplikon luftën hibride. Putini di si t’i përdorë rrjetet sociale, fushatat e dezinformimit dhe propagandën proruse për të krijuar tensione larg kufijve të vet. NATO-ja duhet të përdorë rrjetet e veta të informacionit për të ekspozuar dhe kundërshtuar këto rrena. Nëse rusët vendosin ta intensifikojnë atë do të mund të kryenin sulme kibernetike kundër rrjeteve të energjisë dhe objektivave të tjera jetike në Kosovë dhe pjesët joserbe të Bosnjës. Kjo do të krijonte konfuzion dhe do të rriste pakënaqësinë sociale. NATO mund të sigurojë sisteme më të mira të mbrojtjes kibernetike për aleatët dhe miqtë e Ballkanit”. Pa hyrë në paranoja a teori konspiracioni, megjithatë djegia e këtij trafostacioni, që u cilësua aksident nga KEDS-i dhe për të cilin më pas nuk u prononcua ama bash askush, pos qytetarëve që ankoheshin për mungesë informatash, tregoi se nuk jemi gati në rast emergjence.
Si është e mundur që një kompani, e cila u shit për pak para, dhe e cila gjeneron shumë fitim, nuk e ka menduar opsionin “B” në rast se ndonjë avari e këtij lloji ndodh kudo në Kosovë. Si bëhet që një ditë e gjysmë të gjithë ata banorë të mbeten pa furnizim me rrymë në kohën kur edhe prodhojmë e edhe importojmë – por që u bë evidente, nuk kemi si e përçojmë tutje deri te ndërtesat e prekura.
Tronditëse është që nuk u dëgjua as një fjalë nga Komuna e Prishtinës – thuajse terri ndodhte në Tajvan pas tërmetit, e jo në mes të qytetit. Pra, as solidaritet, as një fjalë përkrahjeje, as një grimë interesimi për një problem, që sado jashtë kompetencave të Komunës, megjithatë i godiste qytetarët e saj.
Mbase ishte paksa pretencioze të thuhej se jemi shtet i mirëformuar, sidomos pasi KOHA raportoi për nismën ligjore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), nëpërmjet së cilës synon që gjyqtarët t’i veshë me imunitet të plotë nga ndjekja penale, përfshirë edhe hetimin e tyre.
Shikuar nga jashtë, pse do të ndërmerrte kush nismë të tillë për ta amnistuar veten a priori po qe se nuk e ka mizën pas veshi? Nëse projektligji, të cilin supozohet se e kanë shkruar profesionistët që merren me ndarjen e drejtësisë parasheh dispozita që gjyqtarët i qet mbi ligjin, është pse do të ketë bazë të mjaftueshme të besohet se aktualisht, në gjyqësi, ka gjyqtarë të korruptuar. E këta do të vazhdonin të korruptoheshin edhe më shumë, sidomos po qe se kalon ky ligj.
Konkretisht, në këtë projektligj thuhet: “Ndaj gjyqtarit nuk mund të iniciohet procedura penale për veprat penale që ndërlidhen me detyrën e tij dhe nuk mund të arrestohet e as të paraburgoset pa lejen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Përjashtimisht, gjyqtari mund të arrestohet dhe paraburgoset pa lejen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, nëse kapet në flagrancë gjatë kryerjes së veprës penale të kryer në lidhje me detyrat gjyqësore, për të cilat parashihet dënimi me burg në kohëzgjatje më tepër se pesë vjet. Për këtë njoftohet Këshilli Gjyqësor i Kosovës”.
Pra, krejt ata gjykatës që kanë tjetërsuar toka të huaja për interesa private, me vlera milionëshe, do të amnistoheshin po të kalonte ky ligj, për shkak se do të zbatohej ligji i ri, që është më i favorshëm për të paditurit.
E çka është më e keqja në këtë rast është se KGJK-ja vë kusht: po nuk kaluan këto, si dhe nenet e tjera që parashohin një mori beneficionesh për këtë kategori speciale të qytetarëve të Kosovës, ky trup do të tërhiqet nga procesi i reformave në gjyqësi.
E reformat në gjyqësi, që janë nisur me procesin e vetingut, i cili ngeci sa herë në Komision të Venecias e sa herë në Kushtetuese, nuk mbërritën larg. E gjyqësia vazhdon të jetë thembër e Akilit e kësaj shoqërie – pritjet e pafundme për zgjidhje kontestesh, gjykime qesharake për raste të rënda dhe tragjike për vjedhje sakëzash… që ta krijojnë pasigurinë juridike, për shkak se, kryesisht, nuk ke derë ku të trokasësh.
Java përfundoi, si ndryshe, pos me edhe një shfaqje cirku në Kuvendin e Kosovës. Ndërruar për ndërruar akte ligjore e rregulluese do të duhej gjetur zgjidhje për këtë trup që na i ha paratë e në fund, kryesisht nuk qet gjë në dritë.
Lufta pushtet-opozitë vazhdon në dëm të qytetarit. Vazhdon shmangia kokëfortë e përgjigjeve parlamentare që qeveria duhet t’ia japë jo vetëm Kuvendit, por edhe qytetarëve dhe vazhdon shmangia absolutisht e pakuptimtë e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare që duhet t’i sjellin Kosovës ndonjë dobi. Dështojnë krejt komisionet hetimore për shkak se shumica abuzon me numra. E abuzimi nënkupton se ka shumëçka për të fshehur. Se po të mos kishte çfarë të fshihte, nuk do të strehohej pas numrave për t’i heshtur kritikat. Dhe jo, nuk e besoj se punën e zgjedhjeve e kanë përnjëmend. Nëse është për t’i besuar një sondazhi që po qarkullon, zgjedhjet e parakohshme tash do ta mbanin balancën aktuale politike në vend. Nuk e besoj se partitë politike janë të vullnetshme për t’i hyrë garës tash. Kalkulimet ende nuk janë përmbyllur, sepse një herë shkohet me votime në Evropë. Vjen vera, e prej aty dalim te vjeshta, me gjasë para zgjedhjeve presidenciale amerikane do të mund të dalim edhe ne.
A jemi gati?
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al