Ashtu siç pritej, Ivica Daçiç, gati tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të 6 majit, u zgjodh Kryeministër i Serbisë. Daçiç ka qenë zëvendëskrye-ministër dhe ministër i Brendshëm gjatë këtyre zgjedhjeve, ndërkohë që ka qenë më përpara, nga viti 1992 deri në vitin 2000, zëdhënës i Milosheviçit. Koalicioni që ai krijoi është bazuar kryesisht në forca politike apo në politikanë që në vitet ‘90 të Milosheviçit kishin një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit.
Zv.kryeministër dhe njëkohësisht ministër i Mbrojtjes u zgjodh Aleksandër Vusiç. Ai është edhe kryetari i Partisë Serbe të Progresit dhe që ka përfaqësim të gjerë në qeveri. Ndërsa detyrën e ministrit të Jashtëm tani për tani do ta kryejë Ivan ……Mrkic, një diplomat i punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme që në vitet ’70. Partitë qeverisëse nuk arritën të gjejnë një kandidat të pranueshëm për ministër të Jashtëm.
Zhvillimet paszgjedhore në Serbi, sigurisht, kanë tërhequr vëmendjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe po t’i referohemi drejtpërdrejt vizitës së dy zyrtarëve të lartë amerikanë në Beograd menjëherë pas zgjedhjeve. Pa dyshim, nuk i shpëton kësaj vëmendjeje edhe zgjedhja si President i vendit i Nikoliçit, i cili ka qenë i njohur për qëndrimet e tij ultranacionaliste deri në shkëputjen vitet e fundit nga sheshet. Megjithëse më pas ai luajti një rol më të moderuar proeuropian, përsëri mbetet një nacionalist i dyzuar midis Perëndimit dhe Lindjes politike. Vizita e parë e Nikoliçit si President në Moskë flet shumë për këtë, ashtu si më pas vizita në Bruksel ishte e zbehtë dhe nën përshtypjen se shkoi atje për t’i bërë të qartë se nuk do ta njohë Kosovën.
Natyrisht, është shpejt për të nxjerrë një përfundim për rrugën euroatlantike që duhet të ndjekë me bindje dhe konsekuencë Serbia apo animi nga mentalitetet e së kaluarës. Në fund të fundit, këto do të jenë zgjedhjet e saj, por shqetësimi është i natyrshëm kur tashmë Serbia ka hapur negociatat për në BE dhe aspiron anëtarësimin në të nga njëra anë, dhe rolin në rajon, marrëdhëniet me fqinjët, marrëdhëniet me Kosovën, me vetë BE-në, por duke mos harruar edhe shkeljen e syrit Moskës. Pra, ka një sfidë të madhe përpara Dadiç dhe qeveria që ai drejton. Ato janë të shumanshme, ekonomike, financiare, të papunësisë, të rifillimit të bashkëpunimit me FMN-në etj., që urojmë të zgjidhen në interes të popullit serb.
Çështja shqetësuese deri tani mbetet marrëdhënia me Kosovën, e ardhmja e marrëdhënieve midis dy shteteve. Nuk është shtruar të paktën tani për tani çështja nëse do ta njohë Serbia Kosovën, por sa dhe si do të bashkëpunojnë. Sa do ta pranojë qeveria “Dadiç” faktin se tashmë çështja e pavarësisë së Kosovës është një çështje e mbyllur përfundimisht? Dadiç, në debatin e para 3-4 ditëve në Parlament, kur edhe u votëbesua qeveria, u shpreh se nuk i interesonte e kaluara e afërt e Serbisë dhe Ballkanit: “Ajo që unë i kërkoj qeverisë sime është që të përqendrohet tek e ardhmja, dhe jo tek e shkuara…. Është derdhur shumë gjak, do të vijë koha të shijojmë edhe mjaltin”. Natyrisht, nëse nuk do të ishte demagogji, do të vlerësohej si deklaratë serioze. Por, si nga Presidenti, ashtu edhe nga Kryeministri i ri, duket se nuk ka vullnet të shprehur qartë për të bashkëpunuar e për të dialoguar midis të dy vendeve, nevojë të cilën e ripërsëriti në Beograd dhe Prishtinë sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun. Pala serbe ka venë në dyshim edhe marrëveshjet e arritura në bisedimet teknike të monitoruara nga BE dhe SHBA midis shtetit të Serbisë dhe Kosovës. Kohët e fundit ka pasur edhe deklarata që kanë venë në dyshim marrëveshjet e arritura, dhe është kërkuar ekspertimi i tyre në interes të popullit serb. Ka pasur publikisht debate midis Presidentit Nikoliç dhe kryenegociatorit Stefanoviç për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, por që deri më sot nuk janë vënë në jetë. Ndërkohë, Kosova zyrtare i qëndron hapur linjës për nevojën e dialogut, por nuk pranon vazhdimin e tij nëse më parë nuk implementohen marrëveshjet e nënshkruara. Duket se nuk ka një gjuhë të besueshme dhe serioze kur Kryeministri Dadiç flet edhe për dialog në nivelet më të larta me Kosovën, por kur edhe deklarohet se Serbia në asnjë mënyrë nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Nëse kjo nuk është një deklaratë e pathënë edhe nga qeveria e mëparshme, gjë e re janë kërcënimet, që natyrisht, e kanë marrë përgjigjen edhe nga autoritetet e Kosovës.
Ish-ministri i Jashtëm, Jeremiç, i cili nga shtatori do të ulet për një vit në karrigen e kryetarit të OKB-së, deklaroi se do ta shfrytëzojë në maksimum atë post për të penguar çdo njohje dhe angazhim ndërkombëtar për Kosovën. Kjo deklaratë i detyroi SHBA-të të shprehen menjëherë kundër. Të gjitha këto flasin për një prognozë aspak optimiste jo vetëm në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, por vë në dyshim edhe orientimin e Serbisë ndaj euroatlantizmit. Është më se e kuptueshme se edhe për komunitetin ndërkombëtar, qëndrimi ndaj Kosovës është gur prove për Serbinë. Por, ndërsa kërkohet kjo, Kryeministri Dadiç, në paraqitjen e programit të qeverisë, evidentoi hapur ketë kurs nacionalist kur kërkoi që çdo ministër të deklarohej me “nderin e tij” që Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë. Kjo, natyrisht, duket edhe si një parathënie politike për faktorin ndërkombëtar për kursin antieuropian për marrëdhëniet në rajon, por në veçanti me Kosovën. Thirrjet e tyre për marrëdhënie normale bashkëpunimi dhe rifillimi i dialogut me Kosovën pa venë kushtin sot për sot të njohjes, duket se nuk janë pritur mirë në Beograd. Reagimi ka qenë se sakrifikohet Europa, por jo Kosova.
Në fund të fundit, këto qëndrime, në radhë të parë do të dëmtonin vetë Serbinë dhe aspiratën e saj për në BE, që kohët e fundit nuk duket shumë bindëse, por do të ngarkonin edhe situatën në rajon dhe raportet me shtetet e tij, veçanërisht ato të Ballkanit Perëndimor që po punojnë për të përmbushur standardet e pranimit në BE. Rajoni ka nevojë për paqe, për stabilitet, për prosperitet. Aq më tepër nëse do t’i referoheshim nevojës së normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, nuk mund të mos konstatojmë se problemet në mjaft momente po bëhen dhe të mprehta, siç janë ato në Veri të Kosovës. Çdo shpërthim atje do të ishte me pasoja edhe për rajonin.
Nisur nga ato që janë deklaruar nga Presidenti dhe Kryeministri serb kohët e fundit e që shprehin një rikthim në mjaft teza të së kaluarës, mendoj se edhe politika zyrtare, e në mënyrë të veçantë Diplomacia shqiptare, duhet të ndjekë me shumë vëmendje dhe kujdes situatën. Nuk flas për nevojën e riformulimeve radikale, as për t’i mbyllur dyert biznesit serb, por edhe jo të mbyllen sytë sikur nuk po ndodh asgjë në një kohë që kemi një situatë të re. Aq më tepër, e kam theksuar edhe në raste të tjera, se forcimi i marrëdhënieve të Shqipërisë me Serbinë patjetër duhet të kalojë nëpërmjet Kosovës. Ketë as duhet ta fshehim dhe as duhet të shtihemi se kemi moderacion.
© Panorama.al












