A ishin aranitët nga Golemi? Misteret dhe pikëpyetjet e origjinës, të pathënat e gjeneralit! Qemal Shkurti tregon historinë e fshatit mbi majëmale

Sep 1, 2023 | 16:27
SHPËRNDAJE

Gjeneral Major Qemal ShkurtiGJENERAL QEMAL SHKURTI

Dramaturgu i shquar irlandez, Bernard Shou, pasi lexoi studimin “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, të Fan Nolit, i dërgoi një letër autorit të veprës, në të cilën, ndër të tjera, shkruan: “…u gabuat kur zgjodhët profesionin dhe u dorëzuat klerik.

Libri juaj ‘Bethoveni dhe Revolucioni Francez’ nuk është predikimi a hagjiografia e një kallogjeri, po është vepra e një kritiku e biografi të dorës së parë. E lexova që në krye gjer në fund me kënaqësinë më të madhe…Ju jam thellësisht mirënjohës”. Mu kujtua ky reagim i dramaturgut të famshëm irlandez, teksa desha ti drejtohem bashkëfshatarit tonë të nderuar, Ismet Isufi, autorit të librit “Golemi i Labërisë dhe arianitët”, se është gabuar kur zgjodhi profesionin dhe iu dorëzua uniformës ushtarake, sepse libri i tij, i sapoprezantuar, është vepër e një studiuesi dhe historiani të dorës së parë.

(Për të mos lënë shteg për keqkuptim apo keqinterpretim, theksoj se kam respektin maksimal për uniformën ushtarake nën të cilën kam shërbyer edhe vetë për 42 vjet, dhe i konsideroj ushtarakët një ndër kontigjentet më të kulturar, më të ndershëm, më të përkushtuar, më atdhetarë e më përparimtarë të shoqërisë shqiptare).

Duke njohur Ismetin, ndërkohë që kam lexuar librin e tij të parë në të cilin është bashkëautor (Golemi i Labërisë në ujvarën e jetës), si dhe shkrimet e tij të herëpashershme në shtyp dhe në rrjetet sociale, prisja që edhe libri i ri të ishte i një niveli të lartë. Ndërkohë, e them që në fillim se ai i tejkaloi pritshmëritë e mia, si nga stili i të shkruarit dhe mënyra e paraqitjes së fakteve dhe hipotezave, ashtu edhe nga informacioni i gjerë dhe i sistemuar që ai paraqet.

Është një tjetër homazh për vendlindjen tonë, Golëmin, nga një penë tashmë e sprovuar për punë të tilla. Gjithkush që ka lexuar veprën e kupton se kemi të bëjmë më një punë voluminoze të mirorganizuar, të lodhshme, shumëvjeçare, e cila ka kërkuar energji dhe mund, atribute që Ismetit kurrë nuk i kanë munguar kur ka qënë fjala për të kontribuuar për vendlindjen dhe jo vetëm.

DY LIBRA, NJË GJETJE PËRTEJ HIPOTEZAVE DEKLARATIVE

Në fakt, botimi “Golemi i Labërisë dhe arianitët” përmban në vetvete dy libra, njëri më i bukur se tjetri: në librin e parë “Golëmi i Labërisë dhe arianitët”, autori rreket të hedhë dritë mbi disa hipoteza, të cilat herëpashere, nga autorë të tjerë, na vijnë në formë deklarative si të vërteta absolute, mbi lidhjen e fshatit tonë me arianitët e famshëm, e në mënyrë të veçantë me më të madhin e tyre, Gjergj Arianitin. Libri fillon me studimin e etimologjisë së emrave të vendbanimeve të lashta të paraardhësve tanë, që nga Krapa, Katundishta, Lëma e Gode, Kaparjeli dhe Golëmi. Edhe më përpara janë parashtruar opinione të ndryshme mbi prejardhen e këtyre emrave, por mendoj se studimi i studiuesit të njohur Ismet Isufit është më i plotë, më i argumentuar, më shkencor për nga metodologjia e ndjekur dhe me themele më të forta mbi të dhënat dokumentare dhe arkivore. Autori ka bërë një listim shterues të të gjitha argumenteve mbi prejardhjen e emrit Golëm, por edhe të toponimeve të tjera rretheqark fshatit dhe të fshatrave të tjerë. Është interesant varianti që ai prezanton mbi mundësinë që emri Golëm, ashtu siç shqiptohet nga ne banorët e fshatit, ta ketë origjinën nga toponimi “Lëma e Gode”, që është vendngujimi fillestar i paraardhësve tanë në vendbanimin aktual. Që të jem i drejtë, dua të them se këtë hipotezë e kam gjetur për herë të parë në një postim në rjetet sociale të zonjës së nderuar Fatmira Lazaj, para një viti, ndërkohë që Ismeti i bën atij një analizë të detajuar dhe bindëse, duke e zbërthyer në të gjithë elementët përbërës të tij dhe duke u mbështetur në tre elementët bazë të shkencës së etimologjisë: a-lidhja me treven ku ka lindur dhe është përhapur fjala; b-lidhja me mjedisin ku është ngjizur dhe zhvilluar fjala dhe; c-lidhja organike e saj me fjalë të tjera rrënjëse të së njëjtës gjuhë, asaj shqipe. Është një argumentim vërtet bindës dhe i bazuar në shkencë. Përveç sa më sipër, autori nuk lë pa përmendur, në fakt përshkruar, edhe legjendat që kanë ardhur në formë rrëfimesh e gojëdhënash nga njëri brez në tjetrin, mbi origjinën e Golëmit dhe të fshatrave të tjerë të Kurveleshit. Ai asnjëherë nuk e merr historinë e Golëmit të shkëputur nga historia e fshatrave përreth, me të cilat ndajmë të njëjtat rrënjë e vlera.

GJERGJ ARIANITI DHE GOLEMASIT

Në pjesën e dytë të tij libri “Golëmi dhe arvanitasit” vijon me historinë e arianitëve, kësaj familjeje të famshme arbërore dhe kryesisht, me më të ndriturin mes tyre, Gjergj Arianitin. E them që në fillim se jam befasuar nga burimet e shumta autoritative të qëmtuara me kujdes nga autori, nga paraqitja e përkryer shkencore e historisë se arianitëve, nga mënyra se si prezantohen argumentet dhe kundërargumentet, nga njohuritë e thella që ai zotëron për historinë e Shqipërisë, dhe më gjerë, gjatë periudhës së arianitëve, nga guximi për të “debatuar” e “kundërshtuar”, me respekt maksimal, edhe autorë me autoritet të padiskutueshëm, të tillë si akademiku Shuteriqi. Megjithëse ka disa botime dhe dokumente që mundohen të analizojnë historinë e arianitëve, libri i Ismet Isufit na sjell një sintezë të tyre dhe një rrëfim të këndshëm dhe të sistemuar bukur të kësaj historie. Lexohet me endje dhe jep gjithë informacionin e disponueshëm për këtë temë.

Kushdo që e pëlqen historinë, dhe këtu nuk kam parasysh vetëm golëmasit, do të gjejë vërtet kënaqësi intelektuale në leximin e librit. Pra, mendoj se për të njohur historinë e arianitëve, aq sa është hedhur dritë mbi të nëpërmjet burimeve të deritanishmë, nuk ke nevojë të lexosh autorë të tjerë sepse mund të gjesh gjithçka në librin e Ismetit. Burimet kryesorë të cilave ai u referohet, për pjesën e dyte dhe të tretë të librit të parë, janë autoritete të shumtë dhe të mëdhenj si Barleti, Gjon Muzaka, Dhimitër Frangu, Fan Noli, Dhimitër Shuteriqi, Kristo Frashëri, Milan Shuflaj, Johann Georg fon Hahn, Mihal Grameno, Uilliam Tilman e shumë të tjerë.

GOLEMI DHE LIDHJA ME ARVANITASIT

Pjesa e tretë e librit të parë, ajo që i ka dhënë edhe titullin botimit është një përpjekje shkëncore – e theksoj, shkencore – për të gjetur një lidhje të mundëshme mes arianitëve dhe Golëmit. Duke theksuar, jo një herë, dëshirën e madhe që rrjedh nga krenaria legjitime e gjetjes së një lidhjeje të tillë, autori prezanton gjithë listën e mundësive që arianitët të kenë pasur zotërime në krahinën e Labërisë dhe të kenë qenë fisnikë të kësaj krahinë (autorë të tillë si Shuteriqi, e venë në dyshim këtë mundësi dhe argumentojnë se ata i kanë pasur gjitha zotërimet në Shqipërinë e Mesme dhe si rrjedhojë edhe prejardhja e tyre është nga kjo trevë). Të gjithë kanë dëshirë t’i tërheqin, t’i bëjnë të tyre njërëzit e mëdhenj që kanë bërë histori, por kjo nuk mund të bëhet as më deklarata dhe as me shprehje dëshire boshe, por me argumentë shkencorë.

Për të arritur në një konkluzion bindës sa më afër të vërtetës, Ismeti analizon me detaje, jo vetëm dokumentet ekzistuese dhe studimet më me peshë mbi subjektin në fjalë, por bën edhe një zbërthim dhe shtjellim të gjithë onomastikës që pasqyrohet në hapsirën Golëm-Kaparjel, me emertime të tilla si: Golemi, Varri i Gjergjit (që mendohet se mund të jetë varrit i kryetrimit Gjergj Arianiti), Krapa (apo Caprikota e përmendur në letrën që 38 krerët e fshatrave të Krahinës së Peshkopatës së Himarës i dërgojnë Papës, për të kërkuar ndihmë në luftën kundër turqve), si dhe emrat e vjetër si ai i fisit Komemaj që tingëllon i ngjashëm, në mos i njëjtë, me njërin nga llagëpët që mbante Arianiti, Komneni, apo edhe fjala Katafiq, të cilën Papa Eugjen IV e përmend në letrën dërguar Arianitit, duke e quajtur atë “zot të Katafiqit” dhe që ekziston si toponim dhe emërtim në Golëm dhe në disa vendbanime të tjera rreth tij.

Në trajtimin e prejardhjes, kuptimit dhe historisë së emërtimeve, autor i librit është tepër skrupuloz dhe nuk i lejon vetes trajtimin sipërfaqësor apo konsiderimin e tyre si argumente përfundimtarë, shterues që vërtetojnë lidhjen e Arianitit me Golëmin. Ai e di që një pretendim i tillë, nëse nuk vendoset mbi argumente të shëndoshë dhe shkencorë nuk mund të qëndrojë gjatë në këmbë. Dikush tjetër do dalë dhe do ta rrëzojë pretendimin tënd, do të ta vrasë krenarinë dhe, në një një rast të tillë, dhimbja që ndjen nga rënia është shumë e madhe. Ismeti dëshiron dhe lufton që lidhjen e Golemit me Arianitin ta themi me zë të lartë, jo vetëm në territorin nga Gryka e Rehovës në Qafën e Gomarthit, por kudo ku jemi dhe jo vetëm ne, por kushdo. Ai dëshiron që kjo lidhje të njihet dhe pranohet nga të gjithë ata që kanë dëgjuar apo duan të dinë për Arianitin, ta dinë se ai është “yni”, gjë që nuk mund të arrihet në asnjë mënyrë me hamnendësime të marra si fakte të mirëqëna, pa argumentuar e provuar vërtetësinë e tyre. Kjo nuk do të thotë që pretendimi ynë për lidhjen me arianitët duhet të presë deri sa të sigurohen provat përfundimtare. Ne, edhe sot e kësaj dite e kemi të drejtën që ta pretendojmë një gjë të tillë. Por, kjo do të thotë që ne duhet të vijojmë të kërkojmë provat që e çimentojnë këtë pretendim.

GOLËMI NË STUDIMIN E “BABAIT TË ALBANOLOGJISË”, JOHANN VON HAHN

Është shumë interesant prezantimi i hulumtimeve të “Babait të Albanologjisë” Johann von Hahn, i cili, në librin e tij “Studime shqiptare” hedh dritë edhe mbi Golëmin e messhekullit të nëntëmbëdhjetë, në mënyrë të veçantë me skicat e dy kullave të pasanikëve të fshatit tonë, të vizatuara prej dorës së tij, kulla madhështore trekatshe që janë rrënuar nga luftrat dhe nuk janë ndërtuar më. Në fakt, janë të vetmet skica të librit të tij. Ngrehina të tilla flasin shumë për kulturën e të parëve tanë. E të njëjtës rëndësi është edhe elegjia për trimin Hasan Çako, e prezantuar në të njëjtin liber nga ky autor që njihte gjuhën shqipe në të dy dialektet e saj kryesore. Në librin e Johann von Hahn, paraqiten të dhëna shumë të rëndësishme që, ashtu sic thotë Ismeti, “ne vendasit, as i dimë, as i kemi gjetur të shënuara në ndonjë libër”. Është detyra jonë, përpara se të jetë e të huajve, që të kërkojmë dhe të gjejmë rrënjët tona.

Dikush, që e ka lexuar librin, mund të thotë se Ismeti, megjithë punën e bërë dhe faktet e hipotezat e parashtrruara në libër nuk na argumentoi në mënyrë shteruese se emri i arianitëve lidhet me fshtin tonë, apo se ata e kanë origjinën pikërisht nga ai vendbanim malor i Labërisë. Gjithkush e di se histroia nuk është një shkencë ekzakte dhe rezultatet nuk mund të jenë përfundimtare. Kjo është arsyeja që nëntitulli i librit është “mistere dhe pikpyetje”. Ismeti dha kontributin e tij në këtë drejtim dhe, mbi të gjitha, tregoi rrugën se si mund të ecet më tej: vetëm më hulumtime serioze shkencore, bazuar në dokumente arkivore, mundësisht të pakundërshtueshme.Legjedat dhe gojëdhënat kanë, sigurisht, vlerën e tyre të jashtëzakonshme dhe i shërbejnë qëllimit, por trajtimi shkencor i argumentit është ai që peshon dhe bën që edhe të tjerët të heshtin ose të përfshihen në ndriçimin e mëtejshëm të së vërtetës.

Libri i dytë, “Familja dhe farefisi golëmas në tre shekujtë e fundit”, është një studim po kaq i bukur, po kaq tërheqës dhe po kaq i rëndësishëm për njohjen dhe dokumentimin e rrënjëve, traditave dhe zakoneve tona, sa edhe i pari. Ai është një revokim i gjithçkaje të mirë të trashëguar nga të parët tanë, të cilën duhet ta njohim dhe ta ruajmë, është një homazh për vlerat e familjes dhe një thirrje për shpëtimin e saj nga reziku që i kanoset prej krizave te kohës dhe shthurjes, që sot është bërë modë. Përfundimisht, libri Golëmi i Labërisë dhe arianitët” është një vepër studimore me vlera të rralla që lexohet me endje dhe kërshëri. Është një libër që do t’ia rekomandoja kujtdo, nga Golëmi ose jo, për ta lexuar, sepse aty do të gjejë një informacion të bollshëm për shumë tema interesante të historisë sonë. Është një libër me shumë vlera.

Ismet Isufi, nga ushtarak elitar në studiues historie

Ismet Isufi autori i librit “Golëmi dhe arvanitasit”, ka lindur në fshatin Golëm ku ka kryer dhe shkollimin fillor e tetëvjeçar. Përfundoi Istitutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” dhe pasi punoi disa vite mësues në vendlindje dhe kreu shërbimin ushtarak, u titullua oficer në vitin 1970. Iu përkushtua karrierës ushtarake dhe pati një karrierë të suksesshme, duke u vlerësuar si një nga kuadrot elitar të Forcave të Armatosura që shërbeu në sektorë të rëndësishëm të Ministrisë së Mbrojtjes. Në vitin 1979, përfundoi studimet në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu” dhe u emërua kryetar dege në Drejtorinë e Kulturës dhe Propagandës në Shtabin e Përgjithshëm. Nga viti 1980 deri në vitin 1989, kreu detyrën e ndihmësit të Ministrit të Mbrojtjes e në vijim shef i Sektorit të Përgjithshëm të kësaj ministrie. Është nismëtar i krijimit të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Bilal Golemi”. Njihet si një publicist që ka shkruar shkrime e analiza për probleme të fushës së historisë, kulturës dhe traditave. Ëshët bashkautor i monografisë “Golëmi i Labërisë në ujvarën e jetës” dhe e një mori studimesh historike për vendlindjen dhe traditat. Libri “Golëmi dhe arvanitasit”, është monografia e tij e fundit në kolanën e studimeve historike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura