A është ERE ent rregullator?

Sep 19, 2012 | 11:36

NERTILA MAHO

Dimri po afrohet dhe, siç e dimë të gjithë, problemet e energjisë akumulohen që shpejt në verë. Dimri mund të mos jetë shumë i favorshëm këtë vit dhe sinjalet e para për këtë janë dhënë ndoshta duke mos qenë shumë të kapshme, por sigurisht të gjithë ata që e njohin fushën, e ndiejnë këtë. Edhe këtë herë problemi mund të mos qëndrojë te reshjet apo tek uji, por te çështjet e rregullimit të sektorit, që shpesh shkaktojnë dëme më shumë se vetë faktorët natyrorë.
Sistemi shqiptar i energjisë me të mirat dhe të këqijat e veta ka siguruar strukturat e nevojshme që të përballojnë situatat dhe t’i zgjidhin ato. Pavarësia dhe pafuqia e tyre është problemi më i madh që shfaqet dhe shkakton kostot te ne.
Në tregun e energjisë operojnë operatorë të fuqishëm privatë dhe publikë, të cilët luajnë për interesat e tyre ekonomike, që jo domosdoshmërisht janë në përputhje me ato të qeverisë shqiptare.
Në një hark kohor prej jo më shumë se një muaji, dëgjojmë se CEZ do të paguajë gjoba marramendëse prej miliona eurosh. Por kush do t’i paguajë këto gjoba ne (qytetarët) apo CEZ?
Prej kohësh kompania ka vënë alarmin për gjendjen e saj financiare dhe ka kërkuar nga ERE që të kryejë funksionet e veta rregullatore. Por që me gjasa këto funksione kanë munguar dhe ERE është mjaftuar të lajë duart me një gjobë disa miliona euro. Nuk është rastësi që CEZ në të njëjtën kohë dhe për të njëjtin problem vihet përballë gjobave nga dy institucione, ERE dhe Tatimet. Janë disa miliona euro që kompania duhet t’i paguajë dy institucioneve për shkak të situatës së krijuar. Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe pse CEZ ndodhet në këtë pozicion të pafavorshëm kur duhet të ndodhte e kundërta? A është CEZ kompania e radhës e vënë në shënjestër për të mbuluar deficitet e arkës së shtetit apo është shumë më tepër se kaq?
Ja disa nga mëkatet e padukshme te ERE-s që e lënë zbuluar CEZ dhe pastrojnë situatën shkresore por që krijojnë rrezik për sistemin energjetik.
Në kontratën e nënshkruar, si dhe për shkak të vendimeve rregullatore, CEZ duhet të blejë vetë një sasi energjie për të mbuluar humbjet e shkaktuara në rrjet. Këtë blerje CEZ e bën në mënyrë të pavarur dhe nga operatorë të tjerë, të cilët operojnë në tregun vendës. Por e ndodhur në vështirësi financiare, CEZ prej kohësh ka njoftuar ERE-n për pamundësinë e blerjes së kësaj sasia energjie të nevojshme për të mbajtur në punë sistemin. Në këtë rast, në një marrëveshje me KESH dhe në dijeni të plotë të ERE, energjia e munguar është siguruar nga KESH me kushtin që të kompensohet në momentin më të parë, sapo situata e CEZ të jetë përmirësuar.
CEZ nga ana e saj me fushatën e ndërmarrë muajt e fundit ka filluar të rrisë performancën e vet, duke grumbulluar burimet financiare të nevojshme për mbijetesën e kompanisë dhe për vazhdimin e investimeve.
Por në kulmin e kësaj situate dhe pas letërkëmbimeve të pafundme, ERE kupton se duhet të marrë masa për gjendjen e krijuar dhe rruga më e shkurtër është vendosja e një gjobe të re ndaj CEZ, duke rritur detyrimet që kompania duhet të paguajë tek institucionet shqiptare.
ERE e ka vendosur veten në rolin e një arbitri që vetëm penalizon, por nuk ka kuptuar pjesën tjetër të funksionit, atë të rregullimit të situatës. Në fund të fundit, qëllimi është krijimi i kushteve sa më të favorshme për operatorët në treg, që të mundësojë kryerjen e veprimtarisë në mënyrë korrekte dhe në mosdëmtim të interesave të konsumatorëve.
ERE në asnjë rast nuk e ka luajtur këtë funksion, por ka lënë situatën të precipitojë dhe vetëm në fund, për mosveprimet e deklaruara të CEZ dhe për zgjidhjen e vendosur nga të dy kompanitë CEZ dhe KESH, ka penalizuar CEZ.
A kishte zgjidhje? Sigurisht, të dy kompanitë e kanë gjetur zgjidhjen në mënyrë të saktë, duke mos rënduar në këtë rast as financat e KESH, por duke bërë transaksione të mirëfillta tregtare.
CEZ duke qenë një kompani tepër e dukshme në sytë e publikut për shkak të lidhjes së saj me furnizimin me energji të vendit, është lehetësisht e sulmueshme nga të gjitha palët. Por i takon ERE-s si ent rregullator të vendosë rregullat dhe të sqarojë situatën reale të kompanisë, lëvizjet e saj dhe përpjekjet për të vendosur rregull në sistemin energjetik shqiptar. Ndoshta ERE nuk është dakord me fushatën e ndërmarrë nga CEZ për ndërprerjen e energjisë debitorëve. Por ajo mund të pyesë të gjithë ata pensionistë, familjarë apo biznese private që vrapojnë çdo muaj për të paguar detyrimet se çfarë mendimi kanë.

Po për humbjet, por tashmë në një këndvështrim tjetër, janë përfshirë dhe Tatimet, të cilat kanë quajtur fitim të padeklaruar atë çfarë të gjitha palët e konsiderojnë si humbje.
Sipas specialistëve të këtij sektori, “Niveli i njohur i humbjeve, në asnjë lloj rrethane nuk mund të konsiderohet si energji që duhet t’u ishte shitur blerësve hipotetikë për qëllime fiskale, duke krijuar si pasojë një të ardhur të pavërtetë për shoqërinë. Ekspertët fiskalë vazhdojnë më tej kur shprehen se, “këto humbje përbëjnë kosto për shoqërinë. Humbja gjatë transportit të energjisë është një fenomen mjaft i njohur dhe që mund të ndodhë për arsye teknike dhe jo teknike. Ky fakt është i njohur dhe i pranuar nga ligjet dhe kuadri rregullator në fuqi.
Sot e gjithë ditën nuk ka asnjë dispozitë ligjore që të parashikojë se humbjet e njohura të energjisë duhet të trajtohen si të ardhura për CEZ apo se energjia duhet të ishte shitur nga Shoqëria.
Mosndërhyrja e ERE-s për të sqaruar këtë situatë dhe për të zgjidhur këtë arsyetim absurd, ka çuar në humbje financiare të konsiderueshme të CEZ, sepse siç dihet, për të ankimuar një vendim duhet të paguhet rreth 40% e vlerës së gjobës së vënë.
Një tjetër mëkat që ERE i ngarkon vetes për shkak të mosveprimit të vet dhe që shkakton gjendje të pasigurt financiare te kompania përgjegjëse për furnizimin me energji të të gjithë vendit, ka të bëjë me bllokimin e aseteve të CEZ, që shërbejnë si kolateral për kreditimin e energjisë.
Prej dy vitesh ERE ka ngrirë vendimmarrjen për vendosjen e aseteve të CEZ si kolateral për kreditimin e kompanisë, i nevojshëm për investimet që do të kryhen në sistem për ta përmirësuar atë, por edhe për të përmbushur detyrimet kontraktuale.
Vendimin për të mos pranuar propozimin e CEZ për vendosjen si kolateral për kreditim, ERE e ka marrë vetëm një muaj më parë, duke mbyllur mundësinë e kësaj kompanie për të pasur akses në likuiditete. CEZ i ka ezauruar të gjitha mundësitë për të marrë kredi në bankat e nivelit të dytë në kushtet aktuale. Do të duhet të kërkojë mbështetje në bankat ndërkombëtare ose te partnerë të tjerë. Në rastin e parë, kjo bëhet e pamundur për shkak të kolateralit dhe në rastin e dytë kjo rrit koston, sepse interesat e kredisë do të jenë shumë të larta.
Në rast të përkeqësimit të situatës për shkak të qëndrimit apatik të ERE-s, fajtori do të jetë ai i dukshmi, CEZ, por dëmi do të bjerë mbi qytetarët dhe ERE do të thotë e dija unë këtë, duke larë duart nga përgjegjësia direkte për krizën ku po fut sektorin e energjisë.

© Panorama.al

Te lidhura