SOTIRAQ HRONI & ARJAN DYRMISHI
Ditët e fundit ka nisur një debat mes institucioneve kryesore të vendit dhe partive politike për verifikimin nga Kuvendi i Shqipërisë nëse Ministria e Mbrojtjes është e përfshirë apo jo në tregti të paligjshme armësh, dhe verifikimit nga Kuvendi i Shqipërisë nëse Shërbimi Informativ i Ushtrisë, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, është përfshirë në kontrollin e opozitës apo kundërshtarëve politikë të qeverisë. Ka disa arsye së përse kryerja e këtij kontrolli duhet të realizohet sa më shpejt, në mënyrë të besueshme, me standarde dhe integritet të lartë, si dhe me pjesëmarrjen konstruktive të të gjitha palëve. Nga ana tjetër duket se ka disa vështirësi, të cilat lidhen me mungesën e një praktike të konsoliduar në këtë drejtim, por që mund të ishte pikërisht kjo çështje që mund të shërbente si pikënisje për të filluar konsolidimin e një praktike bazuar edhe në eksperiencën më të mirë ndërkombëtare. Në radhë të parë, pavarësisht vërtetësisë së aludimeve mbi të cilat mbështetet kërkesa e opozitës, sqarimi sa më i shpejtë dhe në mënyrë sa më transparente i këtyre aludimeve është në interesin e vetë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimit Informativ të Ushtrisë, pasi kjo lidhet drejtpërsëdrejti më besueshmërinë dhe legjitimitetin e tyre ndaj publikut shqiptar. Në radhë të dytë, trajtimi me standarde dhe integritet të lartë i kësaj çështjeje ka të bëjë me besueshmërinë e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, pasi tregtia e paligjshme e armëve është e ndaluar nga një sërë aktesh dhe instrumentesh ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë. Në radhë të tretë, angazhimi dhe pjesëmarrja konstruktive e të gjitha palëve, me qëllimin që vërtetësia ose jo e aludimeve të opozitës të sqarohet deri në fund, ka të bëjë më vetë angazhimin e Shqipërisë për të qenë pjesë e familjes së vendeve demokratike, pasi përfshirja e Forcave të Armatosura në çështje të brendshme politike dhe përdorimi i burimeve dhe kapaciteteve të tyre për të kontrolluar opozitën është një akt i papranueshëm për një vend demokratik dhe që bie ndesh me parime dhe rezoluta të Këshillit të Europës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, ku Shqipëria është palë. Është e dukshme se transparenca mbi këtë çështje pengohet nga mungesa e një praktike të konsoliduar për të realizuar një proces kontrolli transparent, të besueshëm dhe pa pasoja negative mbi institucionet e sigurisë. Mospasja e kësaj praktike është ajo që i lejon Ekzekutivit dhe Ministrisë së Mbrojtjes të vënë në diskutim apo edhe pengojnë kryerjen e një procesi me interes të lartë publik, i cili, pas njëzet viteve të zbatimit të demokracisë duhet të ishte një proces më se normal. Duhet thënë që në krye të herës që kontrolli parlamentar mbi sektorin e sigurisë buron nga parimi i ndarjes dhe pavarësisë së pushteteve, ku Ekzekutivi zbaton politikat dhe ligjet, ndërsa Legjislativi është përgjegjës për kontrollin dhe mbikëqyrjen për mënyrën se si Ekzekutivi i zbaton politikat dhe ligjet e miratuara prej Legjislativit. Fakti që është më shumë një parim se sa një normë apo konventë ndërkombëtare me koherencë të brendshme dhe të pranuar ligjërisht nga palët, përbën edhe arsyen përse nuk ka një model unik të kontrollit dhe mbikëqyrjes parlamentare, por zbatime të ndryshme praktike të këtij parimi. Nga mënyra se si është zbatuar dhe zhvilluar ky parim në demokracitë e përparuara apo edhe në zhvillim, institucione ndërkombëtare kanë identifikuar një sërë “praktikash më të mira”, të cilat u rekomandohen për t’u përshtatur në kushtet e tyre vendeve në proces demokratizimi, përfshirë edhe Shqipërinë. Termi “praktikë” ka të bëjë më faktin se vetëm pranimi në Kushtetutë i parimit të ndarjes së pushteteve apo thjesht miratimi i një ligji apo pakete ligjesh mbi kontrollit parlamentar të aktorëve të veçantë apo sektorit të sigurisë në tërësi, nuk janë të mjaftueshme. Përveç tyre, praktika përfshin tërësinë e akteve, rregullave, burimeve njerëzore, materiale dhe financiare, vënien në përdorim të eksperiencës së akumuluar, si dhe ballafaqimin me publikun nëpërmjet publikimit të raporteve vjetore apo edhe më të shpeshta, të cilat i shërbejnë publikut për të vlerësuar punën e institucioneve dhe garantuar legjitimitetin popullor të këtij procesi. Disa nga “praktikat më të mira” që ushtrohen nga komisionet parlamentare në realizimin e kontrollit të sektorit të sigurisë përfshijnë: kryerjen e seancave dëgjimore apo pyetjeje me ministra apo zyrtarëve të tjerë të Ekzekutivit; thirrjen e personelit të institucioneve të sigurisë për të dëshmuar; marrjen dhe shqyrtimin e dokumenteve zyrtare nga institucionet e sigurisë; ekzaminimin dhe analizimin e shpenzimeve dhe transaksioneve financiare; kërkesa ndaj institucioneve të specializuara për të kryer audite; marrjen në shqyrtim të ankesave apo peticioneve të parashtruara nga qytetarët në adresë të institucioneve të sigurisë; kryerjen e inspektimeve në objekte të institucioneve të sigurisë, përfshirë bazave ushtarake apo misione ushtarake jashtë vendit Kushdo që ka ndjekur sado pak praktikën e kontrollit parlamentar të sektorit të sigurisë në Shqipëri mund të arrijë lehtë në konkluzionin se sipas termave të mësipërm, kjo praktikë është në faza rudimentare zhvillimi. Deri më sot ajo është e kufizuar në miratimin formal nga Kuvendi të projektbuxhetit të propozuar nga qeveria për këtë sektor dhe dëgjimit të raporteve vjetore nga vetëm dy institucione të sigurisë, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Prokurorisë së Përgjithshme, por që si tematika e raportuar, ashtu edhe vërtetësia e fakteve të paraqitura në raporte, asnjëherë nuk janë bërë subjekt i kontrollit apo verifikimit të mëtejshëm nga Parlamenti. Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme, si dhe gjithë institucionet që varen prej tyre, të cilat funksionojnë më ligj të veçantë, siç janë Forcat e Armatosura, Shërbimi Informativ i Ushtrisë, Polica Ushtarake, Policia e Shtetit, Garda e Republikës dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, nuk janë bërë akoma, qoftë edhe formalisht pjesë e procesit të raportimit formal vjetor në Parlament, që përbën edhe formën minimale të kontrollit. Po kështu, në kategorinë e institucioneve që deri më sot kanë qenë subjekt i ndonjë kontrolli parlamentar hyjnë edhe një sërë institucionesh me kompetenca policore dhe informative në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë. Në këto kushte, si Kuvendi, ashtu edhe qeveria do të demonstronin një shkallë të lartë pjekurie demokratike nëse debatin e shkaktuar nga ky rast do ta përdornin si një pikë kthese për të filluar ndërtimin e një sistemi të balancuar dhe efikas kontrolli parlamentar, i cili nga njëra anë të lejojë institucionet e sigurisë të ushtrojnë misionin e tyre sa herë që lind nevoja, por, nga ana tjetër, të garantojë që këto institucione përmbushin këtë mision me përgjegjshmëri dhe duke respektuar parimet e demokracisë dhe të shtetit ligjor, të drejtat themelore të njeriut si dhe të shpenzojnë në mënyrë të efektshme dhe transparente burimet financiare të dala nga taksapaguesit shqiptarë. Për t’i paraprirë mendimit se një rast i tillë mund të mos shihet në përpjesëtim me propozimin për një rishikim tërësor të sistemit të kontrollit dhe mbikëqyrjes së sektorit të sigurisë në Shqipëri, do të nënvizoja se në shumicën e demokracive të zhvilluara kanë qenë pikërisht raste të ngjashme, të cilat kanë shërbyer si pikënisje për krijimin e praktikave të sipërpërmendura. Mjafton të përmendet rasti i skandalit “Watergate”, i cili përveçse u bë shkak për dorëheqjen e Presidentit Nikson, nëpërmjet kontrollit dhe raporteve të publikuara nga komisioni i Senatit mbi abuzime të shërbimeve informative, iu dha fund modelit të kontrollit minimal ndaj sektorit të sigurisë në SHBA.











