Presidenti amerikan, Joe Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ardhshëm të SHBA-së në janar, pavarësisht se kush fiton zgjedhjet e së martës së ardhshme, u ka thënë gazetarëve të mërkurën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, duke u zotuar për një transferim paqësor të pushtetit.
“Ky president beson në transferimin paqësor të pushtetit, dhe kjo është ajo që do të shihni që ky president do të bëjë”, ka thënë Jean-Pierre.
“Nuk ka të bëjë me të. Ka të bëjë me popullin amerikan. Kjo është ajo që populli amerikan duhet të shohë, pavarësisht se kush fiton. Ai me siguri do të marrë pjesë në këtë”, ka shtuar ajo duke vënë në dukje se presidentët në largim morën pjesë rregullisht në inaugurimin e pasardhësve të tyre, raporton Reuters.
Ajo nuk përmendi vendimin e ish-presidentit republikan, Donald Trump për të mos marrë pjesë në inaugurimin e vetë Bidenit në janar të vitit 2021.
Trump dhe gruaja e tij Melania u larguan nga Shtëpia e Bardhë përpara inaugurimit të Bidenit, duke anashkaluar përshëndetjen tradicionale të banorëve të radhës të rezidencës presidenciale dhe vetë inaugurimin.
Në ceremoni morën pjesë zëvendëspresidenti i Trumpit, Mike Pence, të cilin disa nga mbështetësit e Trumpit e kishin kërcënuar se do ta varnin gjatë sulmit vdekjeprurës të 6 janarit 2021 në Kapitol.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al