A do të ishte Nikoliçi më i butë se Tadiçi?

May 15, 2012 | 12:04

NEXHMEDIN SPAHIU

Në Francë humbi Presidenti Nikolas Sarkozy, që ishte Presidenti i parë i një vendi europian që paralajmëroi lindjen e shtetit të Kosovës. Është Presidenti i parë francez në republikën e fundit që nuk arriti të rizgjidhet. Rivali i tij, Francois Hollande, paralajmëroi se do t’i rishikojë politikat europiane të Francës. Kjo do të mund të komplikonte punë Kosovës në mënyrë indirekte, pasi Kosovës i leverdis që brenda BE-së të ketë sa më pak probleme. Në aspektin direkt, politika e Francës ndaj Kosovës është e pritshme të mbetet e pandryshuar.
Zgjedhjet në Greqi
Në Greqi, skena politike ndryshoi në mënyrë drastike. Lëvizja Pan-helenike Socialiste, PASOK e Evangelos Venizelos, që tre vjet më parë kishte 160 deputetë në Parlamentin prej 300 vetave ra në 129 deputetë. Kurse Demokracia e Re e Antonis Samaras po ashtu ra nga 91 deputetë në 72 deputetë. Vetëm Partia Komuniste Greke e Aleka Papariga’s mbeti aty ku ishte tre vjet më parë, me 21 deputetë. Partia Popullore Ortodokse e Yiorgos Karatzaferis u rrit nga 15 në 16 deputetë. Koalicioni i Majtistëve Radikalë, SYRIZA e Alexis Tspiras, nga 13 ra në 12 deputetë.
Në Parlamentin e ri grek janë 51 deputetë nga forca që nuk ishin më parë të përfaqësuar. Këtu janë 11 deputetë të ANEL-it të Panos Kammenos-it, 10 deputetë të së Majtës Demokratike të Fotis Kouvelis-it, 8 deputetë të Marrëveshjes Sociale të Louka Katseli-it, 4 deputetë të Aleancës Demokratike të Dora Bakoyannis-it si dhe 18 deputetë të pavarur.
Rezultati i zgjedhjeve në Greqi e vështirëson tej mase formimin e qeverisë, duke rrezikuar kështu zgjedhje të reja dhe përmbysje të mëtutjeshme të raporteve politike të deritashme. Këto zhvillime e bëjnë më delikat raportin e Greqisë me BE dhe më të zbehtë influencën amerikane aty si aleati kryesor i Kosovës.
Situata jo e qëndrueshme në Greqi nuk është në interes të Kosovës. Politika e saj e deritashme ka shkuar në drejtim të përafrimit të njohjes. Situata jo e qëndrueshme nuk e lejon atë që të ndërmarrë hapa të mëtejshëm në këtë drejtim. Relacioni i saj me BE-në në këtë situatë prish punë akoma më shumë sa i përket Kosovës, sepse siç thashë më lart, Kosovës i leverdisë që BE të jetë sa më unik e sa më funksional.
Zgjedhjet në Serbi
Me zgjedhjet e fundit në Serbi skena politike ka rrëshqitur në drejtim të kundërt. Në Parlamentin me 250 ulëse, partia më e madhe doli Partia Përparimtare e Tomisllav Nikoliçit, me 55 deputetë, e pasuar nga Partia Demokratike e Boris Tadiçit, me 49 deputetë, e kjo e fundit nga Partia Socialiste e Serbisë e Ivica Daçiçit me 25 deputetë. Më pas doli Partia Demokratike e Serbisë e Vojisllav Koshtunicës me 21 deputetë, Partia Liberal Demokratike e Cedomir Jovanoviçit me 14 deputetë, Partia e Pensionistëve e Jovan Kërkobabiçit me 12 deputetë, G17 e Mllagjan Dinkiçit me 11 deputetë,  Partia Socialdemokratike e Rasim Lajiçit me 9 deputetë, Serbia e Re e Velimir Iliçit me 8 deputetë, Serbia Unike e Dragan Markoviçit me 7 deputetë, Liga e Socialdemokratëve të Nenad Canakut me 5 deputetë, Lidhja e Hungarezëve të Vojvodinës me po ashtu 5 deputetë, Lëvizja e Ripërtëritjes Serbe e Vuk Drashkoviçit me 4 deputetë si dhe 10 forca të tjera politike me nga 1 e 2 deputetë.
Jashtë Parlamentit të Serbisë mbeti Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit, që një kohë ishte partia më e madhe në Serbi. Tani forca më e madhe ka dalë Partia e Nikoliçit, që e tradhtoi Sheshelin dhe i mori pjesën më të madhe të partisë.
Me një konstelacion të tillë është vështirë e pritshme që Partia më e madhe nga këto zgjedhje në Serbi të formojë qeverinë. Më e pritshme është që atë ta formojë partia e Tadiçit. Të tilla janë gjasat edhe sa i përket balotazhit ku Tadiçi gëzon një epërsi minimale.
Është me interes të shqyrtohet se çka do të ndodhte në raport me Kosovën në rast se do të fitonte Nikoliçi.
Duke u nisur nga fakti se Nikoliçi ka tradhtuar Sheshelin, si dhe nga deklarata e Nikoliçit se rreth çështjes së Kosovës do të bisedonte me Presidenten Atifete Jahjaga, mund të konstatojmë se Nikoliçi mund të rezultojë më i butë se Tadiçi, edhe pse në shikim të parë duket më radikal.
Tadiçi, sado që është perceptuar në Perëndim si pro-europian, në esencë ka lëvizur shumë ngadalë nga qëndrimet e tij duke u arsyetuar se e ka të vështirë nga opozita e tij radikaliste. Në rast se Nikoliçi të zgjidhej President, atëherë Tadiçi si opozitë nuk do të mund të arsyetohej kësisoj. Për më tepër në kompromiset e Nikoliçit, Tadiçi nuk do të mund të reagonte me kundërshtime sepse Perëndimi do të mund t’ia përkujtonte atij marrëveshjet e fshehta me Hashim Thaçin.
Në anën tjetër, vetë fakti se Nikoliçi ka pranuar e do të bisedonte me Presidenten e Kosovës, tregon se Nikoliçi do të shkonte shumë përtej Tadiçit. Derisa Tadiçi ka pranuar të bisedojë me Kryeministrin e Kosovës, biseda me Presidenten e Kosovës u jep karakter shumë më serioz këtyre bisedimeve.

© Panorama.al

Te lidhura