Ministri në largim i Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic ka deklaruar se Serbia nuk mund të ndalë financimin e institucioneve të saj në veri të Kosovës, derisa nuk përfundojnë bisedimet mbi statusin politik të veriut.
“Derisa nuk përfundojnë bisedimet serioze mbi statusin politik të veriut të Kosovës, shteti nuk mund të ndalë mbështetjen financiate të insitucioneve tona”, ka thënë Bogdanovic për “Veçernje Novostin.”
Ai ka thënë se Serbia është e gatshme për dialog dhe zgjidhje kompromisi, por, jo edhe për përmbushjen e kushteve, të cilat bien ndesh me interesat kombëtare.
“Nuk është e fshehtë se ekziston presion që të shuhen institucionet tona në veri dhe që shteti të ndalë së financuari atë pjesë të territorit shtetëror. As ky kusht nuk është i ri, veç se bëhet me interpretim të ndryshëm, dhe ka ekzistuar edhe para shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Bogdanovic.
Veriu i Kosovës vazhdon të mos i nënshtrohet autoriteteit të Prishtinës derisa kontrollohet nga strukturat paralele që i financon Beogradi zyrtar.
Zyrtarë të shteteve të fuqishme perëndimore i kanë kërkuar Serbisë shuarjen e këtyre strukturave paralale. (rel)
© Panorama.al











