
Dorëheqja e gjyqtarëve “prek” dosjen “21 janari” ende pa nisur shqyrtimi në Gjykatën e Tiranës.
Vetëm pak ditë pasi Prokuroria e dorëzoi dosjen për gjykim, gjyqtari i zgjedhur nga shorti për gjykimin e të pandehurit Armando Kasaj është dorëhequr nga kjo çështje. I akuzuari për fshirjen e pamjeve filmike të demonstratës nga serveri i Kryeministrisë, nuk do të gjykohet nga gjyqtari Ibrahim Hoxha. Gjyqtari Hoxha është dorëhequr nga çështja në ngarkim të ish-specialistit të IT-së së Kryeministrisë. Sipas ligjit, dorëheqja është dorëzuar te kryetari i Gjykatës së Tiranës. Arsyet e tërheqjes së gjyqtarit mësohet të jenë të karakterit procedural, pasi ai ka shqyrtuar më parë kërkesa që kanë të bëjnë me çështjen hetimore ndaj ishshefit të IT-së në Kryeministri.
Lajmi u konfirmua nga mbrojtësi ligjor i të pandehurit Kasaj, avokati Ilir Murati. Sipas avokatit, dorëheqja e gjyqtarit është bërë vetëm për arsye ligjore, për shkak se ai ka vlerësuar një nga aktet procedurale gjatë hetimit të Kasajt. “Gjatë fazës së hetimeve paraprake, gjyqtari Hoxha ka vlerësuar një kërkesë të organit të Prokurorisë në lidhje me lejimin e përgjimeve të të mbrojturit prej meje”, tha avokati Murati. Për këtë shkak, gjyqtari Ibrahim Hoxha është gjendur në kushtet e papajtueshmërisë ligjore për të vijuar gjykimin. Pasi është përzgjedhur si shqyrtues i çështjes, gjyqtari Hoxha i ka paraqitur kërkesën titullarit të Gjykatës, kërkesë që është miratuar prej tij. Trupa gjykuese që do të shqyrtonte akuzat në ngarkim të Kasajt përbëhej vetëm nga një gjyqtar, gjyqtari Ibrahim Hoxha. Pas tërheqjes së tij, dosja ka mbetur pa shqyrtues.
Sipas procedurës, dosja do të hidhet sërish në short për të përcaktuar një gjyqtar të ri për shqyrtimin e saj. Dosja në ngarkim të Armando Kasajt u dërgua e veçuar nga tre të bashkëpandehurit e tij, Ndrea Prendi, Agim Llupo dhe Margarit Kume. Akuza penale e ngritur nga Prokuroria për Kasajn është ajo e “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Dy dosjet me të akuzuarit për “21 janarin” u depozituan më 30 prill në Gjykatën e Tiranës. Për dosjen në ngarkim të Armando Kasajt shorti elektronik përzgjodhi gjyqtarin Ibrahim Hoxha. Ndërsa për dosjen me të pandehur gardistët Agim Llupo, Margarit Kume dhe ish-shefin e Gardës, Ndrea Prendi, shorti përzgjodhi si kryesues gjyqtarin Besnik Hoxha. Anëtarë të treshes së drejtuar prej tij do të jenë gjyqtarët Ariana Caco dhe Ardiana Bera. Burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës bënë të ditur se ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë të procesit. Më 21 prill 2012, Prokuroria dorëzoi në Gjykatën e Tiranës dosjen penale ndaj Armando Kasajt, me akuzën “pengim në zbulimin e së vërtetës”. Sipas hetimeve të Prokurorisë, vepra penale është kryer me anë të fshirjes së filmimeve të kamerave të Kryeministrisë, të cilat ishin ruajtur në serverin e lidhur me sistemin e vëzhgimit të godinës së qeverisë. Me anë të ekspertizave të policisë shkencore shqiptare, por edhe bazuar në një ekspertim që iu bë memories së serverit të Kryeministrisë në SHBA, u provua nga Prokuroria se pamjet e regjistruara nga kamerat e vëzhgimit ishin kopjuar mes orës 19:00 dhe 20:00 të 21 janarit, respektivisht pas vrasjeve të ndodhura më 21 janar 2011.
© Panorama.al











