8000 si statistikë, e si çdo vit çdo vrasje gushti si gjëmë!

Aug 15, 2024 | 9:10
SHPËRNDAJE

NGA ARIAN GALDINI arian-galdini

Rituali i gushtit mbërriti edhe sivjet. Pothuajse çdo muaj gusht prej së paku disa vitesh, na është bërë si i paevitueshëm ky përjetimi i krimeve të mynxyrta që ngërthejnë të gjithë shoqërinë. Diku, dikush, bën një gjëmë dhe ne të gjithë ngarendim nëpër tastierat e kompjuterave apo telefonave celularë si brenda një kafazi të madh virtual për t’u hakërryer nga brenda “hekurave” që na mbajnë brenda. Sepse sikur të mos ishin ato “hekurat” që na burgosin përballë ekraneve të ndezura, të gjithë do kishim shkuar vrik drejt Fajtorit Mizor, që ta fërgonim të gjallë në nxehtësinë e zemëratës sonë kolektive. Skenari bëhet i plotë nëse Fajtori Mizor ka edhe ndihmën e Policisë, Prokurorisë, Gjykatës dhe Partisë në pushtet për t’ia hedhur paq si më i bukuri shejtan…

Këtu është e sigurt, që vjen edhe ajo pjesa tjetër e zemëratës, që çdo ditë e për çdo gjë përpiqet të bëjë edhe detyrën politike. E mira e gafurrjes nga kafazi virtual, nga “Facebook”-u e rrjete sociale është se mund t’i bësh të gjitha punët me shumë pak kosto e madje, duke marrë rreze dielli e duke parë trupa lakuriq përreth, ose duke rrëkëllyer edhe ndonjë birrë të freskët a duke shijuar ca karpacio të freskëta të përgatitura për merak. Me celular në dorë, ngulitesh tek ekrani i ndezur, përqendrohesh aty për t’u shkëputur nga qejfi përreth dhe zhytesh me gjithë fuqinë tënde në terrin e zemëratës së munguar gjatë gjithë kohës kur nuk je me pushime. E ia nis të rrahësh tastierën a thua se çdo germë është një brengë e vitit mbi të cilën t’i ngulçon. Kështu të gjithë ne lëshojmë statuset tona si Bisha të Tërbuara, si ai boksieri Pat Glendon i Xhek Londonit, e që të gjithë së bashku dërrmojmë brenda kafazit virtual, brenda “Facebook”-ut, me grushtet tanë të zemëratës çdo Fajtor Mizor e gjithashtu edhe shtetin e pushtetin e padrejtë që na ka behur në gushtin e radhës, mu në mes të pushimeve.

Nga “Facebook”-u e rrjetet sociale mund edhe të shkruajmë statuse e bëjmë lumenj me postime për veten e ndërgjegjen tonë, por edhe statuse politike që partia apo thjesht shokët tanë të partisë me të cilët ndërtojmë edhe hierarkinë tonë sociale, ta vlerësojnë përkushtimin tonë edhe në ditë pushimesh. Jo për gjë, por ia vlen që ta bësh edhe qytetarin e zemëruar kundër një makabriteti, sepse dukesh human, ama duhet patjetër që zemëratës t’i japësh edhe orientim politik, sepse kështu je edhe limfë partie. Pastaj historia harrohet, pushimet mbarojnë, e ne gjatë vitit e kemi zemëratën me pikatore.

Ndoshta ndaj edhe kemi kaq shume nevojë për këto shfryrjet ciklike kolektive. Tani të vijmë te këto rastet e vrasjeve të ditës e ngjarjeve makabre që mbushin kronikat e lajmeve çdo ditë. Jetë njerëzore shuhen dhe kjo mjafton për të ulur në gjysmështizë të gjithë flamujt tanë shpirtërorë e mendorë. Krimet e vrasjet e ditës të lënë pafrymë e të pushtojnë në çdo qelizë të qenies. Ankthi dhe makthi i madh që të shkaktohet e bëjnë legjitime çdo ndjesi revolte, sidomos kur krimet kanë edhe ngjyrën e padrejtësisë së shtetit dhe pushtetit.

Ama, pafuqia jonë për të mbrojtur viktimat apo potencialisht edhe veten tonë nga rreziku që ndihet kaq këlthitës e pranë nesh në të tilla raste, nuk na justifikon dot për apatinë tonë në gjithë ditët e tjera të vitit. Ku jemi ne kur çdo ditë lexojmë lajme për ilaçe të skaduara, të falsifikuara, joefektive apo për ushqime skandalozisht dhe marrëzisht të pasigurta? Po bisedoja me një mikun tim në Ulqin pak kohë më parë dhe mbeta i shtangur kur ai më tha se kanë filluar të shtohen rastet me kancer edhe andej kufirit qysh se kanë filluar të tregtohen në Mal të Zi produkte ushqimore nga Shqipëria.

“Besomë – më tha – në Mal të Zi ka shumë korrupsion e mafie, madje ndoshta më shumë sesa në Shqipëri, por askush, kurrë, nuk guxon të cenojë sigurinë ushqimore”. Si për të ma turbulluar edhe më tepër ndërgjegjen, sapo u ktheva në Tiranë, dëgjoj në TV lajmin se në Shqipëri, rastet me kancer e tumore kanë shkuar deri në 7000 në vit e me këtë progresion rritjeje shumë shpejt do jenë 8500 në vit e deri në shifra katastrofike. Prej vitesh shkaktarët kryesorë nuk janë më as duhani, as ambientet e punës, por siguria ushqimore dhe ndotja e ambientit. Besoj, se këtu kam edhe një ngacmim të fortë personal, pasi për shkak të betejës që unë zhvillova në vitin 2015 kundër mizorisë së sistemit tonë shëndetësor dhe mafies farmaceutike, pata rastin të njoh e mësoj shumë sende e fakte që më parë nuk i dija. Rasti i familjarit tim që u shua jo vetëm nga kanceri, por edhe nga makutëria e politikanëve të korruptuar dhe e mafies farmaceutike, me hapi portat e disa të vërtetave ulëritëse, për të cilat nuk kam ndërmend të hesht përsa të kem frymë. 3 janë të vërtetat që sipas meje janë emergjencë mbi emergjencat për shoqërinë dhe kombin tonë.

1. Ne ushqehemi me krim.

2. Ne strehohemi në krim.

3. Ne kurohemi me krim.

Cili është krimi? Krimi është babëzia, makutëria, ligësia, çnjerëzia e atyre që pasurohen duke sjellë, tregtuar apo prodhuar ushqime të skaduara, të manipuluara, të shiringuara me hormone, të dendura me kimikate. Është krim mbi krimet sepse potencialisht çdo tregtar apo prodhues produktesh ushqimore të tilla është një vrasës. Dhe përderisa shesin apo prodhojnë të tilla produkte ushqimore për t’u pasuruar apo për të mbijetuar, kjo i bën vrasës me ndërgjegje. Edhe politikanët dhe institucionet që marrin ryshfete a përfitime korruptive e pasurohen kriminalisht nga kjo lloj tregtie apo prodhimesh ushqimore, janë vrasës me ndërgjegje. Si mund të lejojmë të vazhdohet kështu? Si mund t’i quajmë tregtarë a sipërmarrës të ndershëm këta batakçinj e vrasës me ndërgjegje, që sjellin e tregtojnë për fëmijët tanë dhe për ne ushqime të skaduara, të cilësisë më të ulët, të manipuluara, e kështu me radhë?

Po këta fermerët tanë që kanë bërë fitimin arsye madhore e nuk po lënë mish po hormonizuar dhe prodhim bujqësuar pa shiringëzuar e pa kimikatizuar, çfarë t’i quajmë përveçse vrasës me ndërgjegje? Po këta tregtarët e miellit dhe furrtarët, që me grurë e miell kuajsh nga Serbia na bëjnë bukën e përditshme duke na vrarë nga pak çdo ditë, çfarë t’i quajmë? Po ndërtuesit që me hekur radioaktiv nga Ukraina na kanë ndërtuar gjysmën e Shqipërisë, çfarë t’i quajmë? Po këta barbarët e farmaceutikës që na shesin kinse ilaçe gjenerike, por që e kanë mbushur tregun me ilaçe të skaduara apo të falsifikuara që veç shërim nuk na japin, çfarë t’i quajmë?

7000 apo 8000 raste me kancer në vit, janë statistika naziste eksterminimi kombëtar. Ju quajeni si të doni, por po nuk reaguam sot, po nuk e përdorëm Pat Glendonin tonë publik sot, për ta ndalur këtë krim kundër njerëzimit, vitin tjetër, kur të bëhen 8500 të tjerë të prekur nga kanceri, mos u ankoni më. Thjesht prisni gushtin që vjen për ta shfryrë bishën tonë publike ndaj ndonjë Fajtori Mizor që do të bëjë makabritetin e radhës. Kombi duhet të ngrihet në këmbë për sigurinë ushqimore dhe sigurinë e ilaçeve. Nuk ka emergjencë më të lartë. Sepse ata 7000 – 8000 që na u prekën gjatë këtij viti nga kanceri janë maja e ajsbergut… Ne nuk dimë e nuk matim dot krimin që po ndodh ngadalë në trupat tanë e në brezat që po vijnë, prej ushqimeve që po hamë çdo ditë….

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura