80 vjet çlirim nga fashizmi e pushtim nga “komunizmi”!?

Nov 29, 2024 | 7:30
SHPËRNDAJE

NGA XHEVAT MUSTAFA Xhevat Mustafa

Pavarësisht debateve se i fundmi gjerman iku në sekondat e fundit të datës 28 apo në sekondat e para të 29 nëntorit 1944, zyrtarisht, “shqiptarët e majtë”, enveristo-edramistë kanë “festë”, edhe pse dihet nga shumica e fakteve se kjo datë u vendos arbitrarisht nga Enver Hoxha për ta pasur si një ditë çlirimi dhe feste të njënjtë me “Jugosllavinë motër”. Edhe pse “ramë nga shiu në breshër”, nga një pushtim i huaj në pushtimin nga “e majta”, përfaqësuar, sidomos në strukturat drejtuese të saj, jo nga “ajka” e saj, por nga pjesa më e padenjë, më perverse, më e paskrupullt, më antinjerëzore, më e papërgjegjshme, internacionaliste deri në antikombëtarizëm, përsëri kjo datë na ka mbetur në derë si “festë”!

Për të qenë objektivë dhe mirënjohës ndaj atyre që luftuan dhe ranë dëshmorë apo viktima për liri, pavarësi, demokraci, për jetë shumë më të mirë për atë kohë e në të ardhmen, rreth 4800 veta e jo 28.000 sa e tejfryu shifrën Enver Hoxha, nuk është as e drejtë dhe as shkencore që të minimizohet përtej të vërtetës faktike e historike, lufta kundër pushtuesve fashistë e nazistë dhe “fryti tejet i hidhur”, që ajo solli. Po kështu, nuk është as e saktë dhe as historikisht e dokumentuar të tejzmadhohet, apo të keqinterpretohet se partizanët që dolën të gjallë nga kjo luftë dhe ata që u vranë, luftuan dhe ranë për PKSH-në dhe Enver Hoxhën, që ishte me shumë fytyra e pseudonime, por edhe me një shpirt katran e karakter pervers…!

As për komunizmin dhe socializmin, ku do të “hanin me lugë të florinjta” e nuk do t’ia kishin zili parajsës qiellore. Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare e bëri populli shqiptar, si pjesë e koalicionit ndërkombëtar antifashist. PKSH-ja dhe Enver Hoxha patën “meritën”, se sipas këshillave të “misionarëve” jugosllavë”, arritën të dilnin në krye, ta shndërronin atë në “luftë civile” dhe pas “fitores”, të merrnin frenat apo timonin e qeverisjes së vendit. Analizuar nga shumë burime dhe fakte, ka dalë prej shumë kohësh sheshit se PKSH-ja, e krijuar dhe “rritur me përkujdesje e dashuri prindërore” në 7 vitet e para nga Tito dhe misionarët e tij Miladin Popoviç, Dushan Mugosha, Vukmanoviç Tempo, Velimir Stojniç…, që ishin edhe “dadot politike”, “profesorët”, e Enver Hoxhës, e propaganduan dhe shfrytëzuan LANÇL për skenarët e planet e tyre, kryekëput në dëm të interesave kombëtare shqiptare.

Sipas skenarit të tyre, u hodh në koshin e plehrave apo në zjarr edhe teksti i të shumëpërfolurës “Marrëveshje e Mukjes”, duke e larguar përfundimisht “Ballin Kombëtar” dhe “Legalitetin”, në proces mëdyshjeje dhe reflektimi deri para “Mukjes”, nga fronti i përbashkët antifashist. Natyrisht nuk mund të thuhet se “Balli” dhe “Legaliteti” bënë zgjedhjen dhe zgjidhjen e duhur me aleancën e tyre me pushtuesit fashistë e nazistë! Kjo lëvizje e tyre duhet lidhur edhe me dy rrethana të tjera. E para, pushtuesit italianë dhe gjermanë, më së shumti të angazhuar me planet, luftimet dhe shqetësimet e pushtimit të Greqisë e si kalimtarë nëpër Shqipëri, bënë një akt të zgjuar diplomatik dhe politik, në interesin kombëtar shqiptar. Ata e bashkuan Kosovën me Shqipërinë dhe krijuan shtetin shqiptar në kufijtë e parë apo etnikë. E dyta, PKSH dhe Enver Hoxha u bashkuan me Jugosllavinë e Titos, bënë biznese me interesat kombëtare shqiptare e flirtuan me “vëllezërit jugosllavë”.

Pra, “Balli” dhe “Legaliteti”, përfaqësuar nga Mid’hat Frashëri dhe Abaz Kupi, mes dy të këqijave, mes pushtuesve kalimtarë, për 4-5 vjet dhe pushtuesve dhe armiqve qindravjeçarë, sllavo-serbëve, zgjodhën alternativën e parë, bashkëpunimin me pushtuesit italianë dhe gjermanë. Atëherë, cilët kanë gabuar më shumë e më rëndë? Ata, që gabuan për vetëm 5 vjet apo Enveri dhe enverizmi, që “gabuan” me vetëdije të plotë e me “largpamësi” për 47 vjet e që nëpërmjet Nano-Rama-qeverive kanë vazhduar “të rrisin stivën e gabimeve dhe të gjëmave ndaj Shqipërisë dhe Kombit edhe për mbi 20 vjet të tjerë, për rreth 67 apo më saktë, për 80 vjet…? Pas 29 nëntorit, Enveri, kapur fort te marrëveshjet dhe vendimet e fuqive të mëdha fituese në Luftën e Dytë Botërore, nuk u ndje apo nuk kundërshtoi “kthimin paqësor” të Kosovës sonë në hartën dhe shtetin e Jugosllavisë…!

Për më keq, me ato marrëveshje që nënshkroi me qeverinë jugosllave dhe lëshime të mëdha që i bëri, rrezikoi shndërrimin e vendit tonë në republikë të shtatë të Jugosllavisë. Personalisht, pavarësisht alibive dhe justifikimeve të Enver Hoxhës e të historianëve enveristë të moçëm e të sotshëm, mendoj se këto pazare e marrëveshje janë akte të qarta apo të lakuriqsuara tradhtie kombëtare. Dashuria, besnikëria dhe nostalgjia për Enver Hoxhën dhe sistemin e tij diktatorial, të ndeshura edhe sot e kësaj dite tek jo pak të majtë, shprehin jo vetëm këmbëngulje për vetëskllavërim ideologjik e politik, por edhe të këqija të tjera jo vetëm për ata individualisht e si familje… Shprehet prej një kohë të gjatë se enveristët kapen fort te disa alibi, karta apo “fije bari”.

E para, sipas gjykimit tim, është mirënjohja për shumëçka kanë arritur gjatë viteve të regjimit enverian, kryesisht ata që kishin punëra të mira dhe kushte të kënaqshme jetese e që sot janë në moshat rreth 60-85 vjeçare. Këta, përgjithësisht, ndjehen borxhlinj të përjetshëm ndaj PKSH-së, PPSH-së, PSSH-së, sepse “sistemi komunisto-socialist”, menjëherë pas luftës apo më vonë, pjesën më të madhe i mori me opinga e të pashkollë nga fshatrat dhe krahinat e tyre dhe i solli në Tiranë dhe në qytetet e tjera. Disa që patën më shumë fat, të njohur apo miq, si dhe ca më tepër vite shkollimi e aftësi, u bënë edhe kuadro në strukturat partiake, administrative; nëpër ministri, në industri, miniera, naftë, bujqësi; në arsim, shëndetësi, kulturë; në ushtri, polici, Sigurimin e Shtetit, drejtësi… Të tjerëve, partia dhe Enveri ua prishën mendjet dhe ua blenë votat me një dëshmi e pension qesharak veterani, me një tabelë në murin pranë portës se “Këtu ka qenë bazë lufte…”, me një monument heroi a dëshmori; me medalje dhe dekorata…

Por, në qoftë se do të bëhet një analizë e thellë, objektive, e pandikuar nga politika, do të dalë se ata dhe familjet e tyre i kanë dhënë diktaturës komuniste shumë më tepër se sa u ka dhënë ajo. Nëpërmjet pagave të ulëta, mungesave të shumta në tregje e për jetesë normale, triskave, tollonave dhe radhëve, keqpërdorimit apo shfrytëzimit barbar të fryteve të punës dhe të djersës së tyre, mungesës së lirive themelore njerëzore dhe demokratike, bëhet e qartë se Enver Hoxha i ka trajtuar dhe shfrytëzuar edhe ata, si shumicën e shqiptarëve, si skllevër e si “kavie” për eksperimentet e tij të çmendura, çnjerëzore, antikombëtare, antidemokratike…

Regjimi komunist i solli në qytete apo në kryeqytet jo nga dashuria dhe përkujdesja e madhe individuale, krahinore e sociale, por sepse i duheshin edhe për të zëvendësuar intelektualët dhe kuadrot e diplomuar në universitete të Evropës Perëndimore, që Enver Hoxha i vrau dhe burgosi për rreth 47 vjet, edhe më shumë nga sa u vranë nga pushtuesit, me dy qëllime. Së pari, për t’i eliminuar këta intelektualë si ura të mundshme ndikimi nga qeveritë e vendeve, ku ishin diplomuar dhe të hapjes ekonomike dhe politike ndaj “Perëndimit Kapitalist”.

Duke qenë se shumica e këtyre intelektualëve vinin nga familje të pasura e të shquara, Enver Hoxha, edhe nëpërmjet burgosjes së baballarëve, konfiskimit dhe shtetëzimit të pasurive të tyre familjare, arriti të “vriste” jo vetëm politikisht edhe klasën e borgjezisë dhe të djathtën shqiptare, duke e lënë vendin edhe sot e kësaj dite pa të djathtë të vërtetë, gjenetike, të konfiguruar qartë, të konsoliduar!? Ky “investim” po i shërben fort prej më se 11 vitesh Edi Ramës dhe “rilindjes” së tij, sidomos me sloganin mashtrues “të dy palët janë njësoj”. Së dyti, për të krijuar inteligjencien e vet, komunisto-socialiste, me nivel të lartë politizimi, besnikërie, partishmërie, militantizmi, kukëllizimi, skllavizimi… e të ulët emancipimi qytetar, kulturor, intelektual, demokratik. Se sa i ka dashur me të vërtetë apo sinqerisht regjimi komunist dhe personalisht Enver Hoxha mund të kuptohet se pjesa më e madhe e fitimeve nga puna, djersa, mendja dhe sakrificat e tyre të përditshme, shkuan për eksperimentet dështake dhe aventurat qesharake të tij në politikë, ekonomi, industri, mbrojtje, me shprehje të qartë gjigandomanie dhe që nuk ndikuan realisht në rritjen e mirëqenies së qytetarëve…

Një kartë tjetër “e fortë” e enveristëve të vjetër e të rinj është edhe ajo e “shtetit të fortë në kohën e Enverit”. Në të vërtetë, ky ishte shtet personal, njëpartiak dhe diktatorial i fortë, pa mirëqenie, pa liri fjale dhe lëvizjeje, pa drejtësi të pavarur e të depolitizuar, pa avokat mbrojtës; pa zgjedhje me të vërtetë të lira dhe demokratike, përfshirë edhe mos ndëshkimin e egër për mosvotim e votë kundër… Një tjetër kartë e plot të majtëve, të mësuar keq për rreth 47 vjet pa “të djathtë” dhe “opozitë”, fshihet trashë me justifikimin se “Edi Rama vërtetë po na turpëron dhe zhgënjen, por nuk na hyjnë dot në zemër edhe Saliu, Luli, Ilir Meta…PD-ja dhe kjo opozitë”?! Të gjitha fajet dhe përgjegjësitë për gjendjen mjerane të vendit, edhe sot pas 11 vitesh, edhe ato që mbajnë autorësinë e Ramiz Alisë, Fatos Nanos, Edi Ramës, i kërkojnë, gjejnë dhe faturojnë tek PD-ja, opozita dhe personalisht tek Sali Berisha dhe jo tek qeveritë Rama, mbushur me “amatorë”, kolegjistë apo diplomatblerës, me “vajza e djem të këqij”, njeri më i korruptuar se tjetri, jo tek partia dhe qeveria e tyre!?

As tek vetvetja, që i votojnë dhe mbështesin, duke ua falur të gjitha gabimet, pisllëqet, dështimet, edhe pse këto ua kanë nxirë shumicës së shqiptarëve jetën dhe Shqipërinë, mbetur për 80 vjet ndër të fundit në Evropë e botë për treguesit kryesorë të zhvillimit, nivelit të jetesës, demokratizimit, shtetit ligjor e social funksional, të përjetueshëm…! Përfundimi fare SHQIP: më 29 nëntor 1944 u çliruam nga Hitleri e u pushtuam nga Enveri!? Pas 1990-tës, sidomos pas 2005-së, jemi pushtuar nga brigadat e neoenverizmit, për 19 vjet në formën e edramizmit. Kjo është në aleancë politike, ordinere, kriminale, që duket sheshit, e që nuk mbulohet dot me gjethet e fiqve dhe të degëve të kanabizit të gjithë Shqipërisë, me çetat, brigadat, bandat e prodhuesve e të trafikantëve të drogave; me tufat e të korruptuarve, të oligarkëve, “investitorëve strategjikë”, patronazhistëve, sorosistëve…! Të gjithë janë pjella të një “nëne”, të “qumështit, brumit dhe bukës” së duarve të saj të përgjakura, më së shumti me gjak shqiptar, viktima të saj e të “bijve dhe bijave” të saj…! Njeri më shumë se tjetri pa ndjeshmëri, dhimbshuri, përgjegjshmëri… njerëzore, sociale; pa atdhedashuri e kombëtarizëm me zemra e me vepra!

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura