Edhe një letër e thjeshtë mund të kushtojë 80 mijë dollarë, nëse është e shkruar nga një njeri që ka arritur të bëhet pjesë e historisë. Letra, që astronauti Alan Shepard ua kishte shkruar prindërve të tij, do të dalë në ankand në shtator dhe mendohet se do të arrijë vlerën 80 000 dollarë. Në letrën e dërguar 53 vjet më parë, Shepard flet për mundësinë që të bëhet piloti i parë i misionit amerikan në gjithësi. Në përshkrimin trefaqësh shkruhet edhe plani i tij për të meremetuar shtëpinë dhe martesën, si dhe shpresat që ai të jetë pjesë e programit “Njeriu në gjithësi”. “Janë përzgjedhur 100 pilotët më të mirë nga vendi për të shkuar në Uashington e për të marrë udhëzime për planet se si do të dërgohen njerëzit në gjithësi në vitin 1961. Na është dhënë ky shans”, shkruan ai. Shtatë astronautë u zgjodhën për këtë projekt: Alan Shepard, Skot Karpenter, Gordon Kuper, Xhon Glen, Gus Grisom, Ueli Shera dhe Dik Slejton. Shepard u bë amerikani i parë që shkoi në hapësirë duke drejtuar “Freedom 7”, në maj të vitit 1961. Dhjetë vjet më pas, ai drejtoi “Apolo 14”.











