Duket se ditëve të nxehta të verës u erdhi fundi. E bashkë me to, mbyllet për shumë prej nesh një kapitull kujtimesh të këndshme buzë detit në shoqërinë e njerëzve të dashur pranë. Pas shijes së mirë që ka mbetur, “troket” shpejt edhe e “E hëna” e zezë e kalendarit, kur shumëkujt i duhet të kthehet në punë. Ashtu, të mbështetur përpara kompjuterit, mes dosjeve të stivuara mirë dhe detyrave që nevojiten për t’u mbyllur, mblidhen pa dashur të gjitha simptomat negative rrotull vetes, ndërsa me mendje ju ende jeni duke deliruar në plazhet e bukura që zbuluat sivjet. Nervozizëm, lodhje, ankth, dhimbje koke, djersitje… Janë të gjitha shenjat e ankthit të vërtetë gjatë rikthimit në punë. Mos e lini stresin t’ju vërë poshtë! Mjaftojnë disa këshilla të vyera për të luftuar kësi simptomash shqetësuese që shoqërojnë rikthimin në punë. Nga sallata energjike, te loja e sudokut, ndërsa përmes një sasie të kontrolluar alkooli, ju mund të largoni mendimet e këqija që ju vijnë në mendje. Martha Stewart, autorja e disa librave të suksesshëm me receta gatimi dhe suksesi në Amerikë, sjell 9 mënyrat e duhura për të mbajtur larg vetes stresin e fazës post pushime gjatë rikthimit në punë. Ja rregullat e arta për të nisur muajin shtator me këmbën e djathtë…
Bëj një kokteil
Dozat e alkoolit në një kokteil të përgatitur nga ju ndihmojnë shpesh për të larguar mendimet e këqija. Një pije që i shërben shpirtit tuaj, është një gjetje interesante gjatë muajit shtator, sidomos pasi jeni kthyer në punë dhe me mendje jeni ende duke deliruar me një gotë pije buzë detit. Koketej me ananas apo me përmbajtje qumështi, dhe kubikë akulli në të, ndihmojnë mjaft për t’ju çliruar mendërisht.
Kultivoni lule
Sipas një studimi nga revista “HortScience” teksa vëzhgoni kopshtin tuaj që rritet, ndjenja e përmbushjes me kënaqësi, rrit edhe koeficientin e lumturisë. Sezoni i vjeshtës është ideal për të kultivuar lule dhe bimë të reja, lulëzimin e të cilave do duhet ta shini me kohë, edhe gjatë dimrit. Sugjerohet që pasi të ktheheni nga puna, bëni mirë të relaksoheni duke u marrë me kopshtin tuaj, me mbjelljen e luleve.
Hani domate
Një studim në revistën amerikane mjekësore “Lifestyle” i mëshon idesë së konsumimit të domateve pas kthimit nga plazhi. Studimet e mëparshme ishin përqendruar në përmbajtjen e elementit “lycopene” te domatja, si një aleat i mundshëm kundër kancerit. Por, tanimë janë zbuluar të tjera veti të efektshme te domatja, bazuar në vlerat ushqimore të saj që ndihmojnë në kurimin e sëmundjeve të zemrës, osteoporozës, dhe shumë patologjive të tjera. Ndërsa, aciditeti që përmbajnë domatet ndihmon për të larguar stresin dhe lodhjen gjatë ditës. Muaji shtator është i duhuri për të furnizuar shtëpinë me domate, e cila e shoqëruar me djathë mocarela, gjizë, apo borzilok ka efekt kurues në organizëm.
Fikni TV
Themelore është të fikësh televizorin gjatë ditës. Kështu nuk do të humbasësh asnjë ditë me diell dhe asnjë minutë nga aktiviteti ditor. Televizori është shenjë e dembelizmit dhe letargjisë, shpesh duke parë një film të bukur apo dokumentar, tulatemi për orë të tëra përpara tij. “Brook University Medical Center” në Nju Jork paralajmëron se të parit e televizorit përpara se të shkojmë për të fjetur është një ves i keq. Duhet eliminuar për të bërë kështu një gjumë të qetë dhe pa strese. Më mirë një libër në vend të televizorit.
Digjni kalori
Sudoku, gjimnastika e mendjes Sudoku është një lojë inteligjente, ndaj praktikimi i saj gjithmonë ndihmon për të mbajtur mendjen të karikuar. Loja e sudokut është një praktikë që ndihmon për të rritur edhe nivelin e përqendrimit, ndaj duke punuar me mendjen dhe inteligjencën tuaj, kjo ju ndihmon që të mos bini në gjumë, por të jeni në çdo kohë të vëmendshëm ndaj çdo gjëje.
Rri drejt në karrige
Sipas një studimi në revistën ‘Shkenca Psikologjike’ është e rëndësishme që në qëndrimin përpara kompjuterit, të mos rrimë të varur në karrige, të kërrusur. Kjo dëmton seriozisht shëndetin tuaj. Është mirë që gjatë orarit të punës, të bëni ndërprerje të vogla, duke praktikuar stretching, duke hapur krahët e duke i rrotulluar pas shpatullës. I gjithë ky ritual ndihmon për t’u çliruar nga lodhja.
Digjni kalori
Është e rëndësishme të rifokusohet qëllimi parësor: rikthimi në formën ideale trupore përmes djegies së kalorive. Gjatë pushimeve, tendenca për të shtuar kilogramë është evidente. Pasi trupi dhe mendja kanë rënë në qetësi, rikthimi në shtator në punë shoqërohet shpesh edhe me komplekset e kilogramëve të shtuar. Ndaj, duke i vendosur vetes një objektiv të dobishëm, duhet përpjekje për ta finalizuar atë. Bëni vrap, palestër, kësisoj duke çliruar djersë përmes aktivitetit fizik, dita-ditës do të humbni kilogramët e akumuluar gjatë pushimeve verore.
Skrab për trupin
Pas sezonit të plazhit, ndërsa lëkura e fytyrës suaj mund edhe të ashpërsohet për shkak të diellit, në lëkurën e trupit qelizat e vdekura janë sakaq të pranishme. Aplikimi i skrabit për trupin në kushtet e shtëpisë apo edhe në qendrat estetike, i shoqëruar shpesh edhe me aroma-terapi, është mënyra më e mirë për t’u ndier të relaksuar dhe mirë me veten.
Juli Krisafi, folëse e lajmeve në “Top Channel”
Ajo u është mirënjohëse gjeneve të arta, sepse trupi nuk i bindet në shtimin e kilogramëve. Prej 10 vitesh peshorja e saj shënon 53 kilogramë, ndërsa Juli Krisafi dëshiron të shkojë të paktën në 55 kg. Andaj, kujdesi i saj maksimal në drejtim të vetes, sidomos pas kthimit nga pushimet, i takon më tepër aspektit estetik, pikërisht lëkurës. “Gjatë pushimeve verore, duke qenë se lëkura plasaritet vetevetiu nga uji me kripë apo dielli, pavarësisht kremrave mbrojtës, duhet të jem e vëmendshme për shkak të pasojave që këta faktorë mund të sjellin në lëkurë, shenja të padëshirueshme. Pasi kam testuar llojin e lëkurës, kam gjetur ‘shërim’ vetëm te vaji i bajames. Më shumë se kurrë e kam vënë re gjatë shtatëzanisë, pasi vaji i bajames më ndihmoi të mos kisha shenja të dallueshme. Përkundrazi, një lëkurë elastike dhe të shndritshme. Këtij vaji i jam besnike jo vetëm për lëkurën e fytyrës, por edhe të trupit. Përgjithësishst përdor produkte farmaceutike ose bimore, asnjëherë kozmetike, sepse jam alergjike. Gjithashtu, nuk e ndaj skrabin për lëkurën e trupit, i cili është i domosdoshëm për heqjen e qelizave të vdekura, sidomos pas pushimeve”.
Eli Fara, këngëtare
Gjithë periudha e pushimeve është qetësi totale e trupit dhe e mendjes. Ruaj një linjë trajtimi edhe para pushimeve, edhe post tyre, duke treguar kujdes maksimal ndaj vetes. “Për trupin përdor shpesh vajin e ullirit si një ekstrat origjinal që më ndihmon për të relaksuar trupin, ndërsa skrabin e trupit nuk e ndaj. Sidomos pas kthimit nga pushimet, skrabi ndihmon për të hequr qelizat e vdekura. Një nga gjërat që më ndihmon për t’u rikthyer në formë të mirë fizike, është e ecura. Përveç përdorimit të makinës, unë dal në shëtitje dhe praktikoj ecjen e lirë në takimet me mikeshat apo kur shëtis me time bijë. Kjo më ndihmon që të humbas gradualisht kilogramët dhe të vë trupin në lëvizje”.
Rezarta Skifteri, stiliste
Që të mos krijojë stresin post pushimeve, stilistja Rezarta Skifteri zgjedh të bëjë disa pushime të ndërmjetme, përveç pushimeve të gjata. Ka pak ditë që është kthyer nga një pushim treditor në Pogradec, që e ndihmon për të marrë veten pas kthimit në punë në atelienë e saj. “Kjo zgjedhje për të bërë pushime të shkurtra më ndihmon që të mos më bjerë menjëherë stresi dhe ngarkesa e punës. Ndërsa, në kujdesin vetjak ndaj lëkurës gjithmonë bëj një trajtim profesional për trajtimin e fytyrës, çka më ndihmon për të hapur poret dhe pas aplikimit të kremit hidratues efekti është i menjëhershëm”, thotë Rezarta. Gjithashtu, pas kthimit nga pushimet, ajo nuk e ndan nga vetja skrabin e trupit dhe aroma-terapinë. Përgjithësisht zgjedh skrab me aromë ndjellëse, karamele, kanellë, çokollatë apo myshk, që përpos efektit trajtues në trup, aroma që mbetet pas është edhe më relaksuese. Këtë vit, stilistja ka menduar edhe më seriozisht për format trupore, ndaj ka marrë vendimin për t’u angazhuar në aktivitet fizik. “Vendosa të futem në palestër për dy arsye: për të mbajtur trupin në formë, dhe për të shkarkuar energjitë negative që mund të grumbullohen për shkak të lodhjes në punë”, thotë Rezarta Skifteri.
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











