68 të vdekur dhe 200 të plagosur në Egjipt

Feb 2, 2012 | 12:50
Nga përleshjet e ndeshjen e djeshme në Egjipt

Tragjedi në Egjipt. Të paktën 68 të vdekur dhe rreth 200 të plagosur janë raportuar gjatë një konference për shtyp të Ministrisë së Shëndetësisë, pas një përleshjeje mes tifozëve, në stadiumin “Port Said”. Ngjarja ka ndodhur gjatë një ndeshjeje mes ekipit vendës Al Masri dhe Al Ahli. Vendësit e mbyllën ndeshjen me rezultatin 3-1, por ndërsa pritej që tifozët e saj të festonin, ka ndodhur krejt e kundërta. Ata kanë pushtuar fushën e stadiumit, duke u vërsulur te lojtarët dhe stafi i ekipit kundërshtar e sidomos te tifozët rivalë. Përgjatë takimit mendohet se ka pasur një grindje mes dy tifozerive dhe është pritur pikërisht vërshëllima e mbylljes së ndeshjes (për të mos dëmtuar edhe fitoren e ekipit të tyre), për të realizuar hakmarrjen edhe ndaj ultrasve kundërshtarë. Me mijëra tifozë kanë hyrë në fushë dhe kanë sulmuar lojtarët, të cilët janë detyruar të vrapojnë për në dhomat e zhveshjes. Policia ka qenë e paaftë për të parandaluar përleshjet, ndërsa mendohet se mes të plagosurve janë edhe tre futbollistë të ekipit Al Ahli. Shkak i vdekjes për disa prej tifozëve ka qenë shkelja me këmbë gjatë rrëmujës së krijuar dhe disa të tjera nga çarja me mjete të mprehta. Stafet e të dyja skuadrave u kyçën në dhomat e zhveshjes dhe u urdhërua dërgimi i disa helikopterëve për evakuimin e tyre. “Është një tragjedi. Njerëzit po vrasin njëri-tjetrin pa asnjë arsye. Kam parë tifozë duke vdekur dhe kjo është e tmerrshme. Është skandaloze që në stadium nuk kishte shumë policë dhe, mbi të gjitha, asnjë ambulancë”, ka thënë lojtari i Al Ahli dhe i Kombëtares së Egjiptit, Mohamed Abo Treika.

© Panorama.al

Te lidhura