TIRANË- “Nderimin më të madh ndaj atyre që u detyrohemi më të shtrenjtën gjë që ka njeriu i qytetëruar; dinjitetin dhe lirinë”. Me këto fjalë kreu i qeverisë, Sali Berisha u është drejtuar shqiptarëve në nderim të të rënëve për lirinë e vendit, duke përkujtuar Dëshmorët e Atdheut, në ditën e tyre, 5 majin.
Në ceremoninë e zhvilluar në Varrezat e Dëshmorëve, shoqëruar nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ministri i Mbrojtjes e të tjerë anëtarë të kabinetit, Berisha ka kërkuar prej të gjithëve mirënjohje për veprën sublime të të rënëve.
“Kjo është një ditë në të cilën fjalët nuk mund të shprehin atë që ndjen zemra dhe shpirti për të gjithë ata që flijuan jetën, rininë, gjithçka që ne sot të festojmë 100 vjetorin e Shqipërisë së Pavarur, të lirë kudo që ndodhemi në trojet tona. Ideali i tyre kombëtar ishte liria e kombit dhe sot shqiptarët janë të lirë. Ata luftuan që trojet të jenë të bashkuara, trojet sot janë të lira dhe në përpjekjen e tyre për t’u bashkuar në të ardhmen evropiane që meritojnë”- tha Berisha.
Ai kujtoi se si 100 vjet më parë me mijëra burra e gra shqiptare u flijuan që Shqipëria të bëhej e pavarur dhe e lirë, derdhën gjak, luftuan me trimëri të madhe, cliruan vendin në kuadrin e një koalicioni antifashist botëror.
Berisha kujtoi se Shqipëria më pas ra në zgjedhën më të egër që ajo kishte njohur në tërë historinë e saj, e cila e shkëputi vendin nga trungu evropian.
“Sërish në mëse gjysmë shekulli diktaturë me dhjetëra mijëra shqiptarë flijuan jetën e tyre, u burgosën, persekutuan, u torturuan vetëm për të mbrojtur ato vlera që janë sa njerëzore dhe hyjnore, liritë themelore të njeriut. Pas 100 vitesh ne përulemi me nderim para gjithë atyre që sakrifikuan, nderim më të madh ndaj familjeve të tyre për më të dashurit që humbën për lirinë kombëtare. Secili prej tyre kur vështron vendin e tij, që 100 vjet më parë përpëlitej mes ekzistencës e mosekzistencës së tij si shtet, sheh sot një Shqipëri anëtare të Nato-s, që rend me ritme të shpejta për të kapur dekadat dhe shekujt që iu grabitën nga diktaturat dhe pushtimet, sheh shqiptarë të lirë, të sigurtë në të ardhmen e tyre”- tha ai.
© Panorama.al











