Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënojnë sot 236- vjetorin e Pavarësisë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dhe Kryeministri, Sali Berisha kanë përshëndetur Presidentin e SHBA-ve, Barak Obama.
Presidenti Topi, i ka uruar homologut të tij Obama në emër të të gjithë shqiptarëve sa më shumë lumturi, begati dhe përparim.
“Më lejoni, Shkëlqesi, të nënvizoj me kënaqësi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve dhe popujve tanë miq. Vendi juaj, i cili përfaqëson vlerat më të rëndësishme njerëzore të lirisë dhe demokracisë, ka dhënë dhe vazhdon të japë një mbështetje të jashtëzakoshme për Shqipërinë dhe rrugën e saj drejt integrimit të plotë euroatlantik. Ne e vlerësojmë lart këtë mbështetje dhe jemi të nderuar të vazhdojmë në këtë drejtim! Është një fat i madh për kombin shqiptar që në momentet më të vështira historike të tij ka pasur përkrah një mik të fuqishëm si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky fakt ka qenë dhe mbetet një forcë shtytëse për proceset demokratizuese në Shqipëri dhe një faktor sigurie për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Në këtë ditë feste të gëzuar të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, populli shqiptar çmon lart vlerat e civilizimit dhe përparimit që populli juaj ka sjellë për mbarë njerëzimin, si dhe për një të ardhme dhe jetë më të mirë!” – theksohet në mesazhin e urimit të Kreut të Shtetit shqiptar.
Ndërkaq, Kryeministri Sali Berisha në mesazhin e tij e cilëson, nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë më 4 korrik 1776, jo vetëm ngjarjen më të shënuar në historinë e kombit të madh amerikan, por edhe një ndër stacionet më të rëndësishme të rrugëtimit të qytetërimit tonë dhe vlerës më të lartë të shoqërisë njerëzore, lirisë.
“Ne shqiptarët festojmë këtë vit 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë si një komb i lirë, anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut, që ndërton demokracinë të bazuar në vlerat e tregut dhe jep kontributin në paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, por dhe në rajone të tjera të botës.
Në të gjitha arritjet historike të kombit tim, mbështetja e paçmuar, kontributi i jashtëzakonshëm dhe ndihma bujare e SHBA-ve, e ideuar dhe e mbështetur tërësisht mbi vlerat e lirisë, kanë përbërë faktor vendimtar për arritjen e tyre. Ndaj dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast për t’Ju shprehur Juve personalisht, qeverisë së SHBA-ve, Senatit dhe Kongresit Amerikan dhe kombit Tuaj të madh e mik të shqiptarëve, falënderimet e mia më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë dhe në emër të shqiptarëve, për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e paçmuar. “- thuhet në mesazhin e Berishës.
Kryeministri ka shfrytëzuar këtë mesazh urimi për të ftuar Presidentin Obama që të vizitojë Shqipërinë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
© Panorama.al











