“+355”, Beogradi reagon ndaj rezolutës kosovare

Sep 7, 2012 | 18:12

BEOGRAD- Miratimi nga Parlamenti i Kosovës i rezolutës për zëvendësimin e kodit telefonik të Serbisë, Monakos e Sllovenisë, me atë të Shqipërisë ka nxitur reagimin serb.

Siç raporton radio Evropa e Lirë, ministri për Tregti të Jashtme dhe të Brendshme dhe Telekomunikacion, Rasim Lajiç, e ka zilësuar zëvendësimin e kodit telefonik nga ana e Kosovës, si shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ai ka thënë se sot ka dërguar një notë proteste në Unionin Ndërkombëtar për Telekomunikacion.

Lajiç, ka thënë se në letër ka kërkuar nga Unioni që të pengojë zbatimin e rezolutës, sepse sipas tij, nëse ajo zbatohet, në praktikë do të nënkuptojë që të gjitha telekomunikimet ndërkombëtare me Kosovën do të kalonin nëpërmjet Shqipërisë, me të cilën do të shkelej parimi i ekstraterritorialitetit në përdorimin e numrave ndërkombëtarë.

Edhe zëvendësshefja e Qeverisë së Serbisë për integrimet evropiane, Suzana Grubeshiç, ka reaguar ndaj rezolutës së hartuar nga Kuvendi I Kosovës.

Ajo ka thënë se duke marrë parasysh këtë fakt, bisedimet për telekomunikacion mes Prishtinës e Beogradit nuk do të jenë të lehta, por sipas saj, nuk i duhet dhënë rëndësi të madhe, “aktit të njëanshëm” të Kuvendit të Kosovës.

Rezoluta e miratuar një ditë më parë, parasheh që Kosovës në rast të mosmarrjes së kodit të vet telefonik, atëherë t’i lejohet të shfrytëzojë kodin telefonik të Shqipërisë +355 dhe heqjen e kodeve telefonike të Serbisë +381, të Monakos +377 dhe të Sllovenisë +386.

© Panorama.al

Te lidhura