
KUKES- Dy persona janë arrestuar sot në Kukës nën akuzën për mashtrim. Manushaqe Shehi, 37 vjeç, lindur në Klos, Mat, dhe banuese në Tiranë si dhe Besnik Aga, 21 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, punonjës pranë Gardës së Republikës së Shqipërisë.
Dy të ndaluarit dyshohen se kanë konsumuar veprën penale të “Mashtrimit”, pasi në bashkëpunim me njëri- tjetrin, i kanë premtuar një shtetasi nga Kosova nxjerrjen e dokumenteve të identifikimit shqiptar, si kartë identiteti, pasaporte biometrike të rregullta, kundrejt shumës 3000 euro, duke e pajisur me kartë identiteti të falsifikuar.
Ndalimi i këtyre dy personave erdhi pas një hetimi dy mujor dhe si bashkëpunim i Sektorit Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë Qarkut Kukës, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.











