Ftesës së Stines për ditëlindjen e tij i janë përgjigjur shumë kolegë të skenës muzikore. E organizuar nga vetë këngëtari, dhuratat kanë qenë me bollëk dhe me shumë shije. Të pranishmit i argëtuan Alida dhe Dr. Flori me këngët më të reja. Morën pjesë gati të gjithë kolegët e skenës, me përjashtim të atyre që kishin pasur angazhime jashtë vendit, por që e
telefonuan për ta uruar. Adelina Berisha udhëtoi nga Prishtina, kurse Alida nga Gjermania. Këto janë disa nga detajet e festës së ditëlindjes, që organizoi këngëtari i njohur i skenës shqiptare Ernest Duka gjatë fundjavës së kaluar, i njohur me emrin e artit si Stine. Një numër i madh mysafirësh, shumica këngëtarë dhe kolegë të tij, ishin mbledhur që të argëtoheshin së bashku dhe të festonin 30-vjetorin e tij. Alida ka kënduar këngën ‘’Lucky girl’’, ndërsa Dr. Flori këngën ‘’S’ma ndien’’, me të cilën u paraqit edhe tek “Kënga Magjike”. Ende mister është lidhja e Stines me këngëtaren Adelina Berisha, e cila ka udhëtuar nga Prishtina në Tiranë për të qenë pranë Nestit. Ndërsa pasi kontaktuam disa të afërm të Stines në lidhje me fjalët se a janë të lidhur, ata u përgjigjën: ‘’Nuk e dimë nëse kanë lidhje, apo jo’’.











