
Ndryshimet në paketën fiskale sa i përket akcizës, heqjes së doganës për importimin e lëndëve të para për industrinë e konfeksioneve apo taksa e karbonit, kanë gjetur miratimin e biznesit, por edhe propozime të reja.Këshilli Konsultativ i Biznesit, nën drejtimin e ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, diskutoi dje tre projektligje, të cilat vunë përballë Ministrinë e Financave me dhomat përfaqësuese të biznesit për t’u shprehur lidhur me propozimet. Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, mbrojti edhe ndryshimet respektive të bëra në paketën fiskale. Duke u ndalur te ndryshimi i nivelit të akcizës për birrën, ai u shpreh se ulja e akcizës për importin dhe eksportin e birrës shihet si një mënyrë e mirë për të formalizuar ekonominë. Një tjetër pikë që hapi debat lidhej me akcizën e disa nënprodukteve të naftës që përdoren si lëndë djegëse në industri, si solari apo mazuti. Në një rast të tillë zëvendësministri u shpreh se disa industri janë orientuar drejt përdorimit të këtyre lëndëve djegëse, pasi kanë kosto më të ulët, por ndotja është më e madhe. “Për këtë arsye, për t’i vendosur të gjitha lëndët djegëse në një nivel të kostos, është gjykuar rritja e akcizës së disa nënprodukteve të naftës. Sidoqoftë, diçka e tillë do të reflektonte një kosto tek industria. Në mënyrë që kjo të mos ndodhë në të njëjtin projektligj, është propozuar edhe rimbursimi automatik i kostos së rritjes së akcizës. Pra, industritë prodhuese që përfitojnë nga rimbursimi i akcizës do ta bëjnë këtë tashmë në mënyrë automatike në muajin pasardhës me të gjitha detyrimet që këto industri do të paguanin TVSH, akcizë, tatimfitim”, tha Rrushaj. Lidhur me këtë pikë, u shpreh dje gjatë takimit të Këshillit Konsultativ të Biznesit edhe presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, i cili sqaroi se ky grupim biznesi përkrah uljen e akcizës së birrës, por nga ana tjetër vendosja e një akcize të lartë për solarin është kontradiktore. “Ju ulët akcizën e birrës dhe rritët solarin që është kyç në industritë tona. Në këtë pikë i bie që në njërën anë ulni një taksë dhe në anën tjetër rrisni një tjetër. Skema e rimbursimit që përmendët për mua është një skemë që rrit borxhin e biznesit ndaj shtetit të paktën nga mënyra si funksionon në Shqipëri. Ndërkohë që, për rritjen e solarit mendoj se është e lartë. Mund të ketë një rritje, por jo kaq shumë”, tha Bregasi. Një tjetër pikë ku u ndal debati, ishte ajo e heqjes së tarifës doganore për importin e lëndës së parë për konfeksionistët. Nga ana e përfaqësuesve të fasonistëve u kërkua që të bëhet një trajtim i barabartë mes këtyre dy sektorëve duke qenë se si të tillë janë trajtuar që në fillim. Por, ky propozim për zëvendësministrin e Financave, Rushaj, mund të shihet në një moment tjetër, pasi në kohën që qeveria bën politikat fiskale është e kujdesshme edhe me kostot buxhetore të “sipërmarrjeve të saj”. Propozim tjetër ishte dhe ai i një trajtimi të barabartë të prodhuesve të veshjeve që eksportojnë dhe të atyre që prodhojnë dhe tregtojnë në vend, sa i përket lehtësimit që bëhet për importin e lëndëve të para.
DEBATET DJE GJATË TAKIMIT
Nikolin Jaka (Dhoma e Tregtisë): Doja të thosha që lidhur me projektligjet që propozon Ministria e Financave, kemi një problem lidhur me kohën e lënë në dispozicion për konsultim. Na është lënë një afat shumë i shkurtër nga marrja e projektligjeve në konsultimin në këtë këshill, sa nuk kemi arritur që gjithë anëtarët e Dhomës të njihen me ndryshimet e paketës fiskale. E falënderoj dhe e përshëndes zëvendësministrin për nismën për të favorizuar dhe stimuluar biznesin, por në një këndvështrim që kemi ne një pjesë e këtyre ndryshimeve, nuk janë ashtu siç thuhen
Alfred Rushaj (Ministria e Financave): Mendoj që ajo çfarë paraqitet për industrinë e birrës nuk është e bazuar dhe projekti i paraqitur nuk mban në konsideratë atë çfarë thatë ju. Konkretisht, ne kemi uluar akcizën për industrinë që prodhon deri në 200 mijë hektolitër nga 30 lekë në 12 lekë. Për ata që janë poshtë 70 mijë, e kemi bërë nga 30 në 10 lekë. Pra, e kemi ulur 3 herë akcizën. Nëse ju uljen me tre e herë e quani si rëndim të kostos, nuk gjykoj që është kështu.
Gjergji Gjika (Dhoma e Fasonistëve): Dimë që ky sektor ka filluar së bashku si veshjet edhe prodhuesit e këpucëve dhe në këtë rast duket sikur po diskriminojmë. Si mund ta argumentoni këtë ndarje të këtij binomi.
Alfred Rushaj (Ministria e Financave): Siç e thashë, është në vullnetin dhe dëshirën e qeverisë shqiptare që për çdo industri që ka të bëjë me nxitjen e prodhimit vendas qoftë këto fasonistë qoftë biznese vendas, të marrë nisma fiskale për të ulur koston fiskale. Natyrisht, qeveria në të tilla nisma mban parasysh edhe kostot buxhetore. Hapi i parë është menduar të jetë ky, por në një moment tjetër mund të jetë mundësia që të rishikojmë dhe trajtimin në mënyrë të barabartë. Nuk besoj se dëmtohet konkurrenca, nëse heqim taksën për veshjet dhe nuk heqim atë për këpucët.
Donika Mici (Fasonistët): Doja të dija cilat janë kostot buxhetore nga prodhimi dhe eksportimi i këpucëve? Nuk ka kosto buxhetore. Sektori i këpucëve brenda këtij viti ka pasur 26.8 për qind rritje. Shteti më detyron mua që të blej vetëm nga BE dhe nuk më bën kompetitiv në treg.
Alfred Rushaj (Ministria e Financave): Importi i lëndëve të para për këpucët është 800 milionë lekë, është dyfishi i konfeksioneve. Kjo është kostoja.
Luan Bregasi (“Biznes Albania”): Jam këtu në emër të “Biznes Albania”. Dua të them se ne jemi për një nivel taksash të ulëta dhe bazë të gjerë. Dhe në këtë kuadër jemi pro këtij projekti që paraqitet sot. Ajo që dua të them është që qeveria shqiptare ka si synim formalizmin dhe ne si filozofi e mbështesim, por nga ana tjetër dëshiroj të them që jo gjithmonë rrugët që propozon qeveria për të realizuar këtë politikë, janë më të mirat. Kështu që, nga kjo pikëpamje unë shoh që ka një kontradiktë midis këtij vullneti të qeverisë dhe rrugëve që ajo mendon për të arritur qëllimin dhe formalizimin e ekonomisë shqiptare. Mendoj se në të ardhmen ne do ta kemi parasysh se kemi një propozim që Ministria e Ekonomisë duhet të bëjë politikat ekonomike. Tjetër lidhur me taksën për ndotjen e ambientit, edhe kjo duhet parë që të paguhet sipas kapaciteteve. Mendoj që shumë mirë që u vu një taksë, por ju ulët akcizën e birrës dhe rritët solarin, që është kyç në industritë tona. Në këtë pikë i bie që në njërën anë ulni një taksë dhe në anën tjetër rrisni një taksë tjetër. Skema e rimbursimit që përmendët për mua është një skemë që rrit borxhin e biznesit ndaj shtetit të paktën nga mënyra si funksionon në Shqipëri. Ndërkohë që për rritjen e solarit mendoj se është e lartë. Mund të ketë një rritje, por jo kaq shumë.
NDRYSHIMET NË PAKETËN FISKALE
NDRYSHIMET NË LIGJIN “PËR AKCIZAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
1. “Rimbursimi në mënyrë automatike të akcizës së lëndëve djegëse solarit dhe mazutit për industritë vendase të prodhimit.
2. Ulet akciza e birrës:
Deri në 70,000 hl: 10 lek/litër Nga 70,001 – 200,000: 12 lek/litër Nga 200,001 – 300,000: 15 lek/litër Mbi 300,000 hl: 30 lek/litër 3. Rritja e akcizë për, mazutin, solarin dhe lëndët e tjera djegëse në: 37 lekë/kg 4. Rritja e akcizës për “koks nafte” në 2 lekë/kg NDRYSHIMET NË LIGJIN “PËR
MIRATIMIN E NIVELEVE TË TARIFËS DOGANORE”
1. Tarifa doganore për veshjet e gatshme (rrobat) bëhet 0 për qind 2. Tarifa doganore e lëndëve të para të industrisë së konfeksioneve (fasonistët) bëhet 0 për qind
NDRYSHIMET NË LIGJIN “PËR TAKSAT KOMBËTARE”
Hiqet taksa e makinave të përdorura (në import dhe në shitje brenda vendit), taksa vjetore e qarkullimit, taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve. 1. Aplikimi i taksës së re të qarkullimit. Kjo taksë do të jetë një takse fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 lekë për litër, deri në datën 31.12.2011 dhe duke filluar nga 1 janari 2012, masa e kësaj takse do të jete 7 lekë për litër. 2. Strukturim i taksës së karbonit: Solar dhe Mazut: 3 lekë për litër Vajguri: 3 lekë për litër Koks nafte: 3 lekë për kg 3. Aplikimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura, me formulën: Cilindrata në cm3 x koeficienti sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Koeficientet për vjetërsisë, për tre vitet e para janë 0.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











