
Rrëzimi i kërkesës së PS-së nga ana e Kolegjit i hap rrugë nisjes së procedurave që Lulzim Basha të marrë zyrtarisht postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.Ligji “për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” përcakton të gjitha hapat që do të ndiqen që nga shpallja e rezultatit nga ana e KQZ-së deri në ceremoninë e marrjes së detyrës. Ky ligj parashikon si marrjen e mandatit nëpërmjet Këshillit Bashkiak, ashtu edhe rastin kur Këshilli nuk mblidhet, një situatë e ngjashme kjo me atë të minibashkive. HAPAT Sipas nenit 40 të këtij Ligji, mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga gjykata në juridiksionin e së cilës përfshihet komuna ose bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij. Dita e parë nga shpallja e rezultatit konsiderohet dita e sotme, pas vendimit të Kolegjit dhe duke filluar nga sot, Basha mund t’i drejtohet Gjykatës së Faktit në Tiranë për të vërtetuar mandatin e kryetarit. Sipas procedurës normale, mandati i kryebashkiakut të ri bëhet në prezencë të këshillit bashkiak të dalë nga zgjedhjet e 8 majit. Në pikat 3 dhe 4 të këtij neni thuhet se “Shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të komunës ose bashkisë bëhet në mbledhjen më të parë të këshillit komunal ose bashkiak përkatës, ku kryetari bën betimin sipas formulës së përcaktuar në nenin 28 të këtij ligji dhe e nënshkruan atë. Ushtrimi i mandatit të kryetarit të komunës ose bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”. Megjithatë, duke pasur parasysh qëndrimin që Partia Socialiste mbajti me mandatet e këshillave të minibashkive, nuk përjashtohet mundësia që ajo të mos pranojë ndarjen e mandateve të këshillit bashkiak në mbledhjen e KQZ-së që do të zhvillohet javën e ardhshme. Kjo do të thotë se vendimi i KQZ-së nuk do të marrë pesë votat e mjaftueshme dhe çështja do të shkojë sërish në Kolegj. Nëse kjo procedurë do të vonohet, atëherë kryetari i ri i bashkisë mund të marrë zyrtarisht detyrën përmes një ceremonie që e organizon prefekti. “Në rast se këshilli bashkiak ose komunal nuk mblidhet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prefekti organizon ceremoninë e betimit të kryetarit të bashkisë ose komunës në mjedisin e bashkisë ose komunës dhe në praninë e banorëve të njësisë përkatëse”, thuhet në pikën 5 të nenit 40 të Ligjit për “pushtetin vendor”. Por, ndërkohë që ligji ka përcaktuar mënyrën se si Basha do të marrë postin e kryetarit të Bashkisë, ajo që nuk është përcaktuar dhe nuk dihet qartë është mënyra se si Rama do ta lërë postin e kryebashkiakut që e mban prej 11 vjetësh.
MARRJA E POSTIT
Neni 40
1. Mandati i kryetarit të komunës ose bashkisë vërtetohet nga gjykata, në juridiksionin e së cilës përfshihet komuna ose bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij.
2.Shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të komunës ose bashkisë bëhet në mbledhjen më të parë të këshillit komunal ose bashkiak përkatës, ku kryetari bën betimin sipas formulës së përcaktuar në nenin 28 të këtij ligji dhe e nënshkruan atë.
3. Ushtrimi i mandatit të kryetarit të komunës ose bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.
4.Në rast se këshilli bashkiak ose komunal nuk mblidhet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prefekti organizon ceremoninë e betimit të kryetarit të bashkisë ose komunës në mjedisin e bashkisë ose komunës dhe në praninë e banorëve të njësisë përkatëse.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











