
Fiks dy muaj pas zgjedhjeve të 8 majit, Tirana ka mësuar emrin e kryetarit të ri të Bashkisë. Kolegji Zgjedhor ka dhënë dje vendimin për të cilin iu desh një ditë kohë për të vendosur.Sipas këtij vendimi, Lulzim Basha do të drejtojë Bashkinë më të madhe në vend për katër vitet e ardhshme, pasi mundi me një diferencë prej 93 votash kreun aktual të Bashkisë, Edi Rama. Burime pranë dy partive të mëdha bëjnë të ditur se vendimmarrja për këtë çështje ka qenë unanime dhe të pestë gjyqtarët kanë qenë të të njëjtit mendim për ta rrëzuar kërkesën e PS-së.
VENDIMI
Në orën 10:03 minuta, trupi gjykues hyri në sallën e gjyqit të mbushur me përfaqësuesit e partive politike, gazetarë dhe kameramanë. Tekstin e vendimit e lexoi relatorja e çështjes, Sashenka Jonuzi. “Kolegji Zgjedhor në bazë të nenit 158 pika 3 e Kodit Zgjedhor, vendosi :Rrëzimin e kërkesë-padisë të paditësit Partia Socialiste e Shqipërisë si të pabazuar në ligj, për shkak të kalimit të afatit ligjor të ngritjes së kërkesë-padisë me objekt ‘pavlefshmërinë’”, tha gjyqtarja dhe më pas trupi gjykues la sallën për të kaluar në zyrën ku shqyrtohen provat. Pas leximit të vendimit, nuk munguan duartrokitjet në favor të Bashës, por edhe ato ironike. Sipas këtij vendimi, padia e Partisë Socialiste për pavlefshmëri të zgjedhjeve për shkak të mosrakordimit të numrave ishte jashtë afateve. Në të njëjtën kohë u rrëzua edhe kërkesa tjetër e socialistëve, të cilët i kërkonin Kolegjit të detyronte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të shprehej mbi ankimimin për rivotimin në Tiranë.
ATMOSFERA
Teksa po largoheshin nga salla e gjyqit, avokatët e të dyja partive nisën komunikimin me mesazhe. Në ambientet e jashtme të Kolegjit Zgjedhor, brenda një kohe të shkurtër, ata që për më shumë se një muaj janë përballur gjashtë herë në Kolegjin Zgjedhor, u shpërndanë si për koiçidencë, PS-ja në krahun e majtë të gjykatës dhe PD-ja, në krahun e djathtë. Dy avokatët e Partisë Demokratike, Ivi Kaso dhe Oerd Bylykbashi, për një kohë të gjatë komunikuan në telefon dhe me mesazhe për të bërë të ditur vendimin e trupës gjykuese. Nga ana tjetër, avokatët dhe deputetët e PS-së u ngjitën në katin e dytë të lokalit pranë Kolegjit, ku nuk munguan as batutat e hidhura mes tyre. Damian Gjiknuri, teksa u ngjit nga shkallët në katin e dytë, iu drejtua kolegëve të tij me fjalët ‘më jepni një krehër të krihem, para se të më varin’. Në tavolinat e barit qëndronin edhe Armando Subashi, Armonela Felaj dhe anëtari i ri i Këshillit Bashkiak, Lorenc Vangjeli, i cili konsumonte vazhdimisht cigare. Pasi qëndruan rreth 20 minuta në ambientet e Kolegjit, përfaqësuesit socialistë nisën të largohen dhe fati e donte që ata, teksa linin Kolegjin, të kalonin përpara atyre të PD-së, të cilët po komunikonin me gazetarët për vendimin e trupës gjykuese. Teksa po i drejtohej derës së Kolegjit, përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, iu drejtua dy avokatëve të PD-së duke e uruar: “Hajt, suksese”. Nga ana e tyre, përfaqësuesit demokratë nuk patën shumë kohë të lirë, për shkak se pak minuta më vonë sekretarja e Kolegjit njoftoi për gjyqin e radhës që kishte të bënte me ndarjen e mandateve të Këshillit të Minibashkive në Tiranë.
BYLYKBASHI: PS ZVARRITI PROCESIN
Në përfundim të seancës gjyqësore për padinë e Partisë së Pensionistëve, përfaqësuesi i PD-së në Kolegj, Oerd Bylykashi, tha se PS-ja ndoqi një taktikë për të zvarritur procesin zgjedhor. “Sot jemi përpara përfundimit të procesit ankimor. Sot kemi përfundimisht fitues zotin Lulzim Basha. Ishim përpara një taktike zvarritëse që kërkonte të deligjitimonte jo vetëm procesin, por edhe institucionet, por Kolegji konfirmoi ligjshmërinë e procesit zgjedhor me të mirë në vend, ku çdo votë u numërua”, tha Bylykbashi. Sipas tij, përfundimi i proceseve ankimore dhe shqyrtimi i çdo ankese e bën votën e qytetarëve për kandidatin Lulzim Basha legjitime. “Kjo procedurë na bën që të kemi sigurinë maksimale se kandidati fitues i ka të gjitha votat të certifikuara. Basha ka
arritur një fitore legjitime”, përfundoi Bylykbashi.
Rrëzohet edhe “pavlefshmëria” e zgjedhjeve
Kolegji Zgjedhor rrëzoi dje përfundimisht mundësinë e përsëritjes së zgjedhje në Tiranë. Bëhet fjalë për kërkesën ankimore të Partisë Bashkimi i Pensionistëve Shqiptarë, të cilët, bazuar në provat e Partisë Socialiste, kërkuan përsëritjen e zgjedhjeve. Kolegji Zgjedhor i drejtuar nga gjyqtarja Meriban Mullai dhe me anëtarët; Astrit Kalaja, Dhurata Haveri, Entela Prifti dhe Marie Qirjazi, rrëzuan si të pabazuar në ligj kërkesën e kësaj partie. Mbledhja e Kolegjit u bë në orën 13:30 dhe vijoi për afërsisht 1 orë e 30 mita. Fillimisht kjo parti kërkoi pezullimin e kërkesës së saj, pasi ka kërkuar shfuqizimin e disa neneve të Kodit Zgjedhor në Gjykatën Kushtetuese, por kjo kërkesë u rrëzua. Pasi palët paraqitën argumentet e tyre, Kolegji u tërhoq për 15 minuta dhe dha vendimin. Avokatja e Partisë së Pensionistëve, Blerta Kraja, u shpreh se “ka mospërputhje në tabelat përfundimtare dhe se duhen të përsëriten zgjedhjet, për hir të interesit kombëtar”, shtoi ajo. “Nëse shohim tabelën e rezultateve, ka 870 vota më shumë në rezultat se sa të gjetura në kuti. Kjo shkel disa nene të Kodit dhe duhet të shpallet pavlefshmëria e zgjedhjeve. Akti i KQZ është i pavlefshëm dhe Kolegji nuk mund ta bëjë të vlefshme nga këto shifra ulëritëse. Do të ishte e tmerrshme të miratohej. Partia e Pensionistëve, njerëz që nuk ia kanë parë hajrin këtij shteti dhe ndiejnë mosmirënjohjen e tij, kërkon që Kolegji të shohë për të ardhmen e brezave që vijnë”, tha Kraja. Por, përfaqësuesja e KQZ-së, Dëshira Pasko, u shpreh se kërkesa është jashtë afateve. Nga ana tjetër, avokati i PD-së, Ivi Kaso, u shpreh se përtej kërkesës për mospërputhje shifrash nuk ka asnjë provë për manipulim, por përkundrazi çdo votë është shënuar si vullnet. “I ka të gjitha votat e përputhura me vullnetet. Mund të mos ketë shifrat, por ka votat. Jo çdo rast në tabela shifrat na pasqyrojnë votat. Kemi një qendër votimi ku kemi vetëm votat e vlefshme dhe votat e tjera janë për statistikë. Ne mund të hetojmë shkaqet nëse nuk na përputhet statistika dhe pasojat që mund të na sjellë. Në asnjë padi nuk ka një pretendim të vetëm që ka të bëjë me votat”, tha Kaso.
ARGUMENTET NË KOLEGJ
Blerta Kraja (avokate e pensionistëve): Nëse shohim tabelën e rezultateve, ka 870 vota më shumë në rezultat se të gjetura në kuti. Kjo shkel disa nene të Kodit dhe duhet të shpallet pavlefshmëria e zgjedhjeve. Akti i KQZ është i pavlefshëm dhe Kolegji nuk mund ta bëjë të vlefshme nga këto
shifra ulëritëse.
Ivi Kaso(PD): I ka të gjitha votat e përputhura me vullnetet. Mund të mos ketë shifrat, por ka votat. Jo çdo rast në tabela shifrat na pasqyrojnë votat. Kemi një qendër votimi ku kemi vetëm votat e vlefshme dhe votat e tjera janë për statistikë. Ne mund të hetojmë shkaqet, nëse nuk na përputhet statistika
dhe pasojat që mund të na sjellë. Në asnjë padi nuk ka një pretendim të vetëm që ka të bëjë me votat.
Blerta Kraja: Zotëria në fjalë na tha që vullnetet përputhen dhe s’kanë lidhje shifrat.
Meriban Mullai: Ju lutem, këtë pjesë e dëgjuam Ivi Kaso: Ne do të bënim debatin për shifrat kur ishte koha e duhur, por jo më tani. Sa për diskriminim që u fol këtu, me lejoni të shtoj se pak ditë më parë qeveria bëri rritjen më të
madhe të pagave dhe pensioneve këtë vit dhe shteti nuk është mosmirënjohës. (të qeshura në sallë).
Meriban Mullai (relatore): Provat që doni të dorëzoni, çfarë janë?
Blerta Kraja: Kemi vendimin e KQZ. I kërkojmë gjykatës që të merren edhe provat që ka paraqitur PS për 284 qendra. Nuk kemi prova të tjera, sepse jemi edhe parti e diskriminuar. S’kemi ku t’i çojmë më tani. Kodi Zgjedhor na ka diskriminuar.
Entela Prifti (gjyqtare): Mos u ankoni sepse u tha që ju kanë rritur pensionet (të qeshura)
Blerta Kraja: Kjo bën që gjyqtarëve që u ka ardhur mosha, të dalin në pension
Meriban Mullai (relatore): Çfarë kërkoni nga Gjykata?
Blerta Kraja: Kërkojmë pranimin e kërkesës sonë dhe shpalljen e pavlefshëm të vendimin e të KQZ. Sepse na shqetëson ajo tabela me thënë të drejtën.
Dëshira Pasko: Kërkojmë rrëzimin e padisë.
Ivi Kaso: Ne kërkojmë rrëzimin e padisë edhe si e kanë shkruar,
edhe ashtu siç e thanë me gojë.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











