Një vendim i brendshëm i qeverisë italiane ka sulmuar hapur të gjithë fasonistët e Shqipërisë. Lufta për zënien e tregjeve, apo akoma më e ashpër, për favorizimin e shteteve të caktuara, ka bërë që më në fund të reagojë edhe qeveria shqiptare. Në paketën e re fiskle është parashikuar që tarifa për lëndët e para të prodhimit me fason të bëhet zero. Bëhet fjalë për lëndët e para që vijnë nga jashtë, kryesisht të konfeksioneve, që përpunohen në vend dhe eksportohen si produkt i gatshëm. Në relacionin e qeverisë thuhet se ky vendim vjen si përgjigje e një akti të qeverisë italiane që ka sulmuar fort fasonistët shqiptarë. Por, nga ana tjetër, zerimi i kostove doganore për lëndët e para e bën Shqipërinë më atraktive edhe për ato qindra biznese me fason që po largohen tashmë nga zonat e Veriut të Afrikës dhe Lindjes së Mesme.
ARSYETIMI I FINANCAVE
“Në datën 30 prill, nga shteti italian është nxjerrë një qarkore, e cila bën të pamundur shoqërimin e mallit që subjektet shqiptare importojnë nga Italia ose vende të tjera të Europës. Sipas kësaj qarkoreje, këto mallra nuk e përfitojnë origjinën e mallit europian. Nga ky moment, ndërmarrjet fasoniste në Shqipëri nuk janë më kompetitive për tregun e huaj për faktin e vetëm se, edhe pse malli transformohet komplet brenda territorit të Shqipërisë (që do të thotë që vjen pjesë-pjesë dhe del pantallona, xhupa etj.), sipas marrëveshjes së MSA–së, nuk përfiton dot të drejtën e origjinës. Ky kusht i vendosur nga shteti italian nxjerr nga tregu komplet fabrikat e fasonit dhe sidomos industrinë e konfeksioneve, nëse duan të kalojnë në eksportuese të drejtpërdrejta në shumicën e vendeve të botës”. Ky është parashtrimi në relacionin e Financave. Duket qartë se vendimi i qeverisë italiane është një sulm mbi biznesin shqiptar me fason. Kjo ishte arsyeja që qeveria reagoi duke zeruar taksën doganore. “Tendenca është zhvillimi i industrisë së konfeksioneve në një të ardhme të afërt në vendet e Europës Juglindore, përfshirë Shqipërinë, dhe për këtë arsye tarifat doganore edhe për lëndën e parë, të cilën e përdorin prodhuesit për produktet e gatshme që ata prodhojnë, qoftë për tregun vendas apo për eksport, duhet të bëhen zero për qind. Tarifa e lartë doganore 10%, që është aktualisht në fuqi për lëndën e parë të industrisë së konfeksioneve të tilla si pëlhura, fije pambuku, fije mëndafshi, aksesorë qepjeje, butona, kopsa etj., dekurajon planet e tyre të zhvillimit të biznesit si prodhues dhe eksportues të veshjeve të gatshme ‘Made in Albania’, sepse përbëjnë kosto të larta për prodhimet e tyre dhe për të konkurruar me vendet e rajonit, si Rumania apo Bullgaria. Të gjithë këta faktorë do të krijojnë mundësi për rritjen e punësimit në vend, do të çojnë në eliminimin e importit të këtyre prodhimeve ndihmëse dhe do të rrisin qarkullimin e parasë brenda vendit”, thuhet në vendimin e Financave.
KONFEKSIONET PA DOGANË
Një tjetër veprim i qeverisë është heqja e doganës për importin e veshjeve dhe këpucëve. Duket si paradoksal me heqjen e doganës për lëndët e para, por vetë fasonistët e kanë pranuar një veprim të tillë me arsyetimin se nuk kanë ndërmend të zgjerojnë aktivitetin me shitje brenda vendit. Edhe në këtë rast, vendimi i Financave është nxitur nga një krisje e tregut. Aktualisht, biznesi shqiptar i importon veshjet dhe këpucët kryesisht nga vendet e BE-së. Këto të fundit, vetë i prodhojnë jashtë vendeve të BE-së dhe produktet, kur hyjnë në BE, paguajnë taksë doganore. Nga ana tjetër, tregtari shqiptar që blen veshje dhe këpucë jashtë vendit paguan taksë doganore për hyrjen në vend. Pra, prodhimet taksohen dy herë. Taksimi dy herë ka sjellë edhe rritjen e çmimit. Sipas relacionit të Financave, kjo ka sjellë mbylljen e disa dhjetëra bizneseve. “Kjo ka çuar që deri tani mjaft dyqane të shitjes me pakicë që tregtojnë veshje të mbyllen duke ndikuar edhe në rritjen e numrit të papunësisë”. Sipas relacionit, në Shqipëri operojnë biznese të shitjes me pakicë që paguajnë rreth 7 milionë euro në vit detyrime doganore në total (taksë doganore plus TVSH).
NERTILA MAHO
© Panorama.al











