Janë me dhjetëra maturantët që kanë mbetur pa shkollë të lartë, për shkak të zgjedhjeve të gabuara në Formularin A2. Shumë të tjerë janë shpallur fitues në degë që nuk i donin, për të njëjtën arsye. Pas dhënies së 4 provimeve, nis faza më pikante e Maturës Shtetërore. Renditja jo e duhur e 10 degëve të shkollës së lartë mund t’i kushtojë shtrenjtë kujtdo që është i pakujdesshëm apo i painformuar. Duke pranuar mangësitë në maturat e mëparshme, prej dy vitesh Ministria e Arsimit nuk lejon që nxënësit të plotësojnë formularin A2 pa marrë rezultatet e provimeve. Vetë kreu i MASH, Myqerem Tafaj, disa muaj më parë theksoi se ndërmarrja e kësaj mase do të minimizonte zgjedhjet e gabuara të nxënësve. Këta të fundit duhet të bëjnë kujdes. Dëshira për të ndjekur një degë të caktuar në universitet nuk shkon gjithmonë paralel me mundësitë për ta fituar. Aq më shumë për fakultete të kërkuara ku konkurrenca është tepër e fortë. Ndaj, maturantët duhet të bëjnë ca llogari paraprake. Vetëm kështu do të dinë se ku kanë më shumë shanse për t’u pranuar, mbi bazën e pikëve që grumbullojnë nga 5 komponentët e Maturës Shtetërore. Vetë specialistët e Agjencisë së Vlerësimit të nxënësve dhe MASH bërë gati një guide të posaçme vetëm për të plotësuar formularin A2. Në të jepen këshilla specifike nga ekspertët më të mirë të arsimit, për mënyrën si duhet plotësuar ai. Materiali i hartuar nga specialistët e Ministrisë, “Ku gabojnë maturantët në plotësimin e formularit A2”, jep orientimin që u duhet më shumë se 48 mijë nxënësve që këtë vit konkurrojnë për në shkollat e larta.
SI TË MOS GABONI ME A2
Kujdesuni të mbani mend saktë ID-në tuaj personale, sepse është pasaporta juaj e konkurrimit në Maturën Shtetërore 2011. Plotësoni personalisht Formularin A2 në mënyrë që t’i kontrolloni vetë degët e vendosura. Mos e lini në dorë të personave të tjerë, sepse mësuesit, prindërit apo të njohurit kanë të drejtë vetëm t’ju këshillojnë. Përpara se të plotësoni formularin, shihni në Web Site-n e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) koefiçientët e shkollës dhe të lëndëve me zgjedhje për programet e studimit që do të preferoni si dhe konsultohuni me pikët e fituesit të fundit për çdo program studimi në maturat e mëparshme. Maturantët kandidatë që kanë mbaruar një shkollë të mesme në profilin shoqëror, kanë më pak shanse të shpallen fitues në programet e studimit me profil natyror. Nuk sugjerohet plotësimi i më pak se 10 preferencave në formularin A2, sepse zvogëloni shanset tuaja për të fituar një të drejtë studimi. “Kujdes! Këshillojmë që të plotësohen të 10-ta preferencat, në mënyrë që të rrisni shanset tuaja të suksesit”, theksojnë specialistët e MASH. Nuk është e detyrueshme dhe është njëlloj e “dëmshme” nëse listën e preferencave e shtojmë artificialisht me programe studimi për të cilët nuk arrini pikët e mjaftueshme apo nuk keni mundësi (financiare)t’i ndiqni, sepse janë në Universitete larg qendrës suaj të banimit.(Shembull, Shkodrani fitues në Gjirokastër ).Kur të plotësoni formularin A2 nuk ka nevojë të përsëritet disa herë e njëjta preferencë, sepse nuk jep asnjë ndikim pozitiv në qenien fitues apo jo në këtë program studimi. Kjo do të thotë që preferenca juaj merret vetëm njëherë në konsideratë nga sistemi informatik.
KUJDES ME SHIFRAT
Shifrat që përbëjnë numrin e kodit të programit të studimit dhe që plotësohen në pjesën e sipërme djathtas të formularit A2, duhet të jenë qartësisht të lexueshme, sepse mund të bëhen ngatërresa. Është e këshillueshme që plotësimi të mos bëhet menjëherë në formularin origjinal, por të bëhen prova në fotokopje të tij, derisa të jeni të bindur për zgjedhjet që keni bërë. Preferencat e para duhet të plotësohen me degët më të dëshiruara dhe pastaj të tjerat me radhë në bazë të dëshirës, sepse, nëse vendosni një degë që nuk është shumë e preferuar në preferencat 1,2,3 dhe fitoni në këto degë, nuk keni shanse në degët tuaja të preferuara që renditen më poshtë edhe sikur të keni arritur pikët e mjaftueshme për t’u shpallur fitues. Gjatë plotësimit të A2 kujdesuni që shënimet (shifrat) në pjesën e poshtme të formularit të përputhen me pjesën lart. Duhet të kini të qartë që informacioni në pjesën lart – djathtas është ai që lexohet nga operatorët gjatë hedhjes së të dhënave në kompjuter. Me shënimet e bëra në pjesën e poshtme operatori konsultohet kur ka dyshim në shifrat e shkruara në mënyrë të pakuptueshme në pjesën e sipërme. Lexoni me vëmendje programet e studimit që do të zgjidhni në formular, duke bërë shumë kujdes në leximin e vëmendshëm edhe të tekstit të shkruar në kllapa. Atje përcaktohet filiali i universitetit dhe në disa raste kohëzgjatja e studimeve. Ka ndodhur më parë që maturantët kandidatë të kenë përzgjedhur programe studimi të Universitetit të Tiranës apo të Durrësit, pa vënë re që ky program zhvillohet në filialet e këtyre Universiteteve në Kukës, Peshkopi apo gjetkë. Gjithashtu, kujdes duhet bërë edhe në leximin e vëmendshëm të kohëzgjatjes së programit të studimit, sepse ka të tilla që e përfundojnë ciklin e studimeve për dy ose tre vjet.
Procesi i çregjistrimit
Një maturant kandidat që është shpallur fitues në një program studimi në fazën e parë të shpalljes së fituesve dhe është regjistruar, në fazat e mëtejshme mund të shpallet fitues në preferenca më të larta të përzgjedhura nga ai. Në këtë rast, ai duhet të çregjistrohet nga programi i mëparshëm i studimit dhe të regjistrohet në programin e ri fitues të preferencës më të lartë. Nëse nuk e bën këtë veprim, humbet të drejtën e vazhdimit të studimeve në IALP.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











