
Diplomati Bashkim Zeneli, një njohës i mirë i situatës greke për shkak dhe të drejtimit të Ambasadës sonë në Athinë, analizon krizën aktuale greke.Ai vlerëson vendosmërinë e Jorgo Papandreut për të mos u larguar nga drejtimi i qeverisë së tij, ndërsa nënvizon se populli grek po paguan në këto momente pandëshkueshmërinë nga ligji të njerëzve të veshur me pushtet ndër vite. Ai e sheh të ardhmen e vendit fqinj me optimizëm.
Zoti Zeneli, situata politike dhe ekonomike në Greqi është rënduar shumë, ku ka pasur dhe protesta të dhunshme mes protestuesve dhe policisë para Parlamentit grek. Sipas jush, si njohës i mirë i këtij ambienti dhe për faktin se keni shërbyer si ambasador në vendin fqinj, përse Greqia precipitoi në këtë situatë?
Së pari, unë dua të them se kjo është një krizë e vjetër, e akumuluar, financiare, krizë e klientelizmit politik, krizë e korrupsionit masiv në mënyrë të veçantë të dekadës së fundit dhe veçanërisht nga qeveria paraardhëse e zotit Karamanlis. Duhet të kemi parasysh se në Greqi vitet e fundit u zhvilluan 2-3 palë zgjedhje të parakohshme dhe të gjitha këto kishin si bazë premtimin për të zgjidhur krizën. Pra kjo është një krizë financiare dhe arriti gati-gati në një krizë politike. Unë nuk mendoj se Greqia është sot në një krizë politike, është krizë ekonomike shumë e rëndë dhe është përgjegjësi e klasës politike greke për ta kaluar këtë krizë. Do të thosha se revoltat e fundit popullore masive jo vetëm në Athinë, por dhe në qytetet të tjera të Greqisë, kanë të bëjnë me mospranimin e planit shtrëngues të qeverisë së komanduar dhe nga Memorandumi trepalësh i FMN-BE dhe Greqisë për një sërë masash tepër shtrënguese për të dalë nga kjo gjendje tepër e rëndë. Ajo që e bëri edhe më imediate këtë revoltë popullore ishte në një farë mënyre edhe qëndrimi disi i ngadaltë dhe jo aktiv në zbatimin e këtyre masave nga qeveria e zotit Papandreu. Duhet të keni parasysh që brenda vendit, popullit të tij, qeveria e Kryeministrit grek i premtonte propagandën e saj se nuk do të merrte masa aq drastike që do të mund të preknin nivelin e jetesës së tyre, ndërsa Trojkës, FMN, BE, Bankës Qendrore Europiane, atyre që do të jepnin fondet për të shpëtuar Greqinë nga kjo situatë, u premtonte se do t’i zbatonte në mënyrë rigoroze të gjitha këto masa.
Ju mendoni se përgjegjës për këtë situatë në Greqi janë partitë politike që kanë qeverisur vendin ndër vite, apo paaftësia e individëve në drejtim?
Nëse do të bëjmë një analizë Ambasadori Bashkim Zeneli analizon krizën greke dhe efektet e saj Zeneli: Papandreu, i vendosur për zgjidhjen e krizës në Greqi të gjerë, përgjegjëse për këtë situatë është klasa politike greke dhe qeveritë që kanë zëvendësuar njëra-tjetrën në dekadën e fundit, janë individë të caktuar të veshur me pushtet, por, mbi të gjitha, ka qenë një politikë klienteliste, e korrupsionit masiv, gjë që ka çuar në humbjen masive të besimit të popullit te politika dhe qeveria.
A shihni ju përgjegjës konkretë?
Midis të tjerave unë mendoj se ajo që ka revoltuar popullin grek është njëlloj karshillëku prej dekadash i politikës në raport me qytetarin. Janë akuzuar për vite me radhë ministra, politikanë të të dyja palëve, në mënyrë të veçantë të Demokracisë së Re, për përvetësime pronash dhe fondesh publike dhe asnjëri nuk është ndëshkuar, as politikisht, një pjesë e madhe ka vazhduar të jetë në politikë, deputetë, por nuk janë ndëshkuar as penalisht. Kjo ka qenë dhe nxitja reale e revoltave popullore të ditëve të fundit.
Pati një përpjekje nga zoti Papandreu për të ndërtuar një qeveri kombëtare ku do të kontribuonin të gjitha palët në kalimin e kësaj situate si produkt i të gjitha qeverisjeve të mëparshme. Si e vlerësoni qëndrimin e opozitës greke që e refuzoi këtë bashkëpunim?
Unë mendoj se lëvizjet e kryeministrit Papandreu kanë qenë në drejtimin e duhur, sidomos 3-4 ditët e fundit. Ai bëri takime me presidentin Papulias, i kërkoi atij mbështetjen e të gjitha forcave politike parlamentare për ta kaluar bashkërisht këtë krizë ekonomike, ku secili të ndajë përgjegjësinë e vet. Më pas ai pati takime me kreun e opozitës, Samaras e drejtues të tjerë të partive politike parlamentare. U kërkuan disa zgjidhje, që nga ideja e zgjedhjeve të parakohshme e deri te krijimi i një qeverie teknike, e një qeverie me bazë të gjerë, por të gjitha këto kishin si kusht që Papandreu të mos vazhdonte të ishte më Kryeministër. Unë mendoj se zoti Papandreu bëri zgjedhjen e duhur dhe lëvizjet e forcave politike, në mënyrë të veçantë të Demokracisë së Re, pavarësisht nga slogani për të nxjerrë vendin nga kriza, nuk kishin asnjë alternativë. Natyrisht që kërkesat për zgjedhje të parakohshme janë të natyrshme të bëhen, por këtu kishim të bënim me një detyrim nga Memorandumi i Trojkës me masa shtrënguese për ta nxjerrë Greqinë nga kjo krizë e rëndë. Nga forcat politike opozitare nuk u tregua ai vullnet politik i duhur për të bashkëpunuar me socialistët e PASOK-ut. Mendoj se zoti Samaras është një politikan dhe ekonomist i njohur. Atij iu kërkua të bashkëpunojë me qeverinë “Papandreu”, por nuk arriti ta bëjë këtë dhe mendoj se nga ky qëndrim, Samaras më shumë ka humbur, sesa ka fituar.
Vendimi i zotit Papandreu për të mos dhënë dorëheqjen mund të konsiderohet si moslënie e karriges së pushtetit, apo marrje përgjegjësish në momentet më të vështira të vendit?
Unë mendoj se kryeministri Papandreu e bëri të qartë që 2-3 ditë më parë se do të ishte i gatshëm të largohej nëse do të krijohej një qeverisje me bazë të gjerë, me kushtin që të zbatohej plani i rekomanduar nga Trojka. Kur u pa që këto lëvizje të tij dështuan dhe nuk u pranua nga opozita dhe partitë e tjera, atëherë ai mori një përgjegjësi historike para vendit dhe popullit, sesa për të mbajtur postin e Kryeministrit. Natyrisht, ky ishte një risk i madh për zotin Papandreu, por në të njëjtën kohë është dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme politike që tregon vendosmërinë dhe pjekurinë e tij politike dhe konceptet e tij të qarta europiane. Për askënd nuk është e këndshme dhe komode të jetë kryeministër në këto kushte kur ke përpara një plan shtrëngues të detyruar për t’u realizuar. Tani s’bëhet më fjalë për populizëm, por për punë dhe reforma konkrete.
Pavarësisht zërave kundër masave shtrënguese edhe brenda Grupit Parlamentar të PASOK-ut, ku dy deputetë lanë mandatin dhe dolën të pavarur nga Grupi, kryeministri Papandreu paraqiti kabinetin e ri qeverisës. Në këtë kabinet bie në sy dhe vendosja në postet më të rëndësishme, atë të zv.kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë të Evangjelos Venizelos, rivalin e Papandreut për postin e kryetarit të PASOK- ut. Si i gjykoni këto lëvizje brenda PASOK-ut?
Unë mendoj se zoti Papandreu, me hartimin e këtij kabineti, tregoi guxim jo vetëm në planin qeverisës, por dhe atë të drejtimit të partisë. Pavarësisht nga dy rrjedhjet e deputetëve nga Grupi Parlamentar, zoti Papandreu arriti të merrte aprovimin nga i gjithë Grupi për qeverinë dhe vendimin e tij për të qëndruar në krye të saj. Unë i kam ndjekur me shumë vëmendje këto zhvillime, Papandreu është duartrokitur në Grupin e tij Parlamentar për këto qëndrime. Kalimi i zotit Venizellos në krye të Ekonomisë greke është një përgjegjësi e madhe për të. Por duhet të dijmë se Venizelos ka qenë kundërshtar i zotit Papandreu për kryetar të PASOK- ut. Kjo tregon se ka një klimë shumë bashkëpunuese brenda maxhorancës qeverisëse.
Greqia është vend i BE-së, ndërkohë që aty jeton një numër shumë i madh shqiptarësh. Çfarë efektesh pritët të ketë në Shqipëri kriza ekonomike greke?
Natyrisht, nuk do të jetë pa ndikim. Një Greqi e dobët dhe në krizë ekonomike nuk është pozitive për rajonin, por dhe për Shqipërinë, pa përmendur faktorin shqiptar, që është rreth 800-900 mijë shqiptarë që jetojnë në këtë vend. Janë gjithashtu dhe raportet bilaterale, do të çedojnë investimet greke në Shqipëri, do të kemi frenim të tyre në ekonominë shqiptare, do të kemi marrëveshje të pjesshme, të cunguara, të shtyra për këtë shkak. Edhe disa projekte të ndihmës ekonomike greke për momentin do të bllokohen. Por, efekte negative kjo situatë do të ketë dhe në Maqedoni. Greqia ka investime edhe më të mëdha në Maqedoni dhe këto marrëveshje do të rishikohen në të ardhmen.
Ditët e fundit, në kulmin e këtij debati për krizën greke, Maqedonia, e cila ende nuk ka zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë, realizon ndërtimin e një shtatoreje të Aleksandrit të Madh në Shkup, duke i futur marrëdhëniet me Greqinë ndoshta në një acarim edhe më të madh. Duket si provokim?
Është e njohur tashmë që Maqedonia ka mbetur e bllokuar në raportet e saj me NATO-n për shkak të moszgjidhjes me Greqinë të çështjes së emrit. Në këtë kontekst, unë do ta quaja ngritjen e shtatores së Aleksandrit të Madh në Shkup një provokacion, sepse marrëdhëniet u tendosën edhe para 2-3 vitesh, kur Aeroportit të Shkupit iu vu emri “Aleksandri i Madh”. Dyshoj në një ballafaqim nacionalist mes dy vendeve. Provokimi i ri është i pazakontë, ndikon negativisht dhe një Greqi e dobësuar ekonomikisht do të jetë një Greqi e nervozuar, dhe mendoj se Maqedonia, si shtet që kërkon të anëtarësohet në NATO dhe BE, duhet t’i shohë me më shumë kujdes raportet e saj me Greqinë, sepse pa zgjidhjen e çështjes së emrit do të mbetet jashtë proceseve integruese.
Si e vlerësoni qëndrimin e vendeve të tilla si Gjermania apo SHBA ndaj krizës greke?
Unë mendoj se Memorandumi i Trojkës, pavarësisht se përmban masa shumë shtrënguese për ekonominë greke, është një mbështetje që i jepet Greqisë, mbështetje financiare, morale dhe politike. Nuk mund të rri pa përmendur dhe deklaratën e pak ditëve më parë të Presidentit amerikan Obama gjatë takimit të Uashington me kancelaren gjermane Angela Merkel, ku u shpreh për një angazhim shumë të përgjegjshëm ndaj Greqisë që të dalë nga kjo krizë, si një vend i bashkimit Europian. Edhe Presidenti francez, Sarkozi, ka bërë thirrje për mbështetje të Greqisë, ndërkohë që të dielën mbahet takimi i Luksemburgut, ku pritet që Greqia të marrë këstin tjetër të ndihmës financiare. Unë mendoj se Greqia, klasa politike dhe qeveria aktuale me shumë vështirësi do ta kapërcejnë këtë krizë, përpjekje që besoj do të kuptohen dhe nga populli grek.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











