
Mbi banak bukët janë vendosur një mbi një, si stivë drush. Janë nga ato të zezat, 40- lekëshet…. Fëmijë, rrudhnim buzët kur na e vinin para, prerë trashë, lyer me një margarinë të çuditshme vegjetale. Por, kur nuk kishte tjetër, dukej e mirë edhe ajo… Për të rriturit në demokraci, sidomos qytetasit, (sepse ende ka shumë varfëri dhe pamje të ngjashme në shumë zona të Shqipërisë) kjo është një pamje që vjen nga një planet tjetër. Ndoshta tërësish jashtë orbite është ndierë edhe fotografi Martin Parr në vitin 1990, kur zbuloi për të parën herë një vend, që ndonëse në qendër të Europës, dukej se nuk kishte asnjë lidhje me të. Prej kohës kur Parr erdhi për herë të parë në Shqipëri dhe fiksoi ç’të mundte në aparatin e tij, kanë kaluar 21 vjet. Që prej atëherë, fotografi ka ardhur edhe shumë herë të tjera, ka fiksuar edhe shumë ngjarje kyçe në jetën e Shqipërisë, duke bërë detyrën e tij si gazetar, por për herë të parë ai hap një ekspozitë në Tiranë, në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve. Martin Parr, një nga figurat më të rëndësishme të fotografisë bashkëkohore, sjell në Tiranë një ekspozitë të përbërë nga tre cikle fotografish, duke shpalosur talentin e tij shumëplanësh, jo vetëm si një fotograf “kronikan”. Janë 35 foto të realizuara në 1990 dhe 21 të tjera nga dy ciklet e tij të njohura në të gjithë botën. Parr konsiderohet si “një fotograf i zhdërvjellët origjinal që e eksploron fotografinë që nga themeli e deri në lartësitë e skajshme të saj. Praktika e Parrit mbështetet mbi kalimin e shkathët nga një botë fotografike tek tjetra, duke trajtuar në mënyrë instiktive çështje, si roli i fotografit, statusi i imazhit fotografik në kulturën tonë dhe padyshim natyra e vërtetë e vetë kulturës bashkëkohore”. Kjo ekspozitë, e hapur në bashkëpunim edhe me Këshillin Britanik dhe me mbështetjen e “Vodafone” dhe “Magnum Photos”, do të jetë e hapur për publikun deri në datën 7 gusht.
“ALBANIA / SHQIPËRIA 1990”

Një nga ciklet që do të tërheqë menjëherë vëmendjen e publikut është pikërisht “Albania 1990”. Një cikël që na kthen pas në kohë. Në kapërcyellin e ndërrimit të sistemeve, në skajshmërinë e varfërisë së shqiptarëve. Martin Parr erdhi në Shqipëri në vitin 1990 me udhëtimin e parë turistik në vend pas rënies së murit të Berlinit. Ky udhëtim ishte një turne arkitekture dhe, nga 14 pjesëmarrës, 12 dolën që ishin gazetarë. Parr ishte në gjendje të bridhte lirisht herët në mëngjes ose kur kishte një sasi të kufizuar kohe të lirë. Kanë kaluar 21 vjet. Mund të jenë shumë… mund të jenë pak… E sigurt që ato fotografi rrëfejnë për një realitet krejt të ndryshëm nga ai që na rrethon. Objektivi i tij fokusohen në përditshmërinë e shqiptarëve, te dyqanet e bukës, te bulmetoret e perimoret, ku gratë rrinë në radhë si vazot e reçelëve të kumbullës e të fikut të rreshtuara nëpër rafte. Vetëm ato nuk mungonin kurrë. Por është futur edhe në berberane, ku nga muret me vurrata lagështie buzëqesh Enver Hoxha e Stalini në një foto mitike apo Ramiz Alia me grushtin shtrënguar. Por, ka pasur edhe sallone grash, me mure mbushur me këshilla për klientët. Parr futet nëpër klasa, ku nxënësit me përparëse të zeza mbajnë ende në qafë shallin e kuq të pionierit. Mbi dërrasën e zezë shquhet fotografia e fundit zyrtare e Enver Hoxhës, ndërsa në të dyja anët e tij, një parullë e vlefshme për të gjitha kohët: “Të jesh mik i librit, është nder i madh!”. Në oborret e shkollave bëhet gjimnastikë mëngjesi, ndërsa të vegjlit e kopshteve ndjekin edukatoren dhe njëri-tjetrin, kapur te përparëset e bardha. Syrit të fotografit nuk i kanë shpëtuar edhe “shtypjet” për të hipur në një autobus të shtrembër, interurbanë. Ishin të vetmet mjete publike tek të cilat mund të gjeje një vend, vetëm nëse kishe mik të fortë. Por nuk mund të mungojnë pamjet e klubeve, të varfra, të pista dhe orët e gjata rreth një filxhani kafeje turke, konjaku apo “kaçurreli”.. tek –tuk duken shenjat e para të “ekonomisë së tregut”. Fshatarët kanë dalë në rrugë për të shitur ca tufa presh, ndërsa kanë filluar të shfaqen sallat e para të bilardove, ku më pas shqiptarët do të kalonin orë të tëra. Po diktatori? Ai vazhdon të dominojë sheshet. Me dorën pas shpine, me pallton që ia merr era, ai sheh nga sheshi i zbrazët, ku i bën “karshillëk” Skënderbeut. Në Gjirokastër, në vendin e lindjes, ka një qëndrim më pak pompoz. Të gjitha grupet e punonjësve që vizitonin Gjirokastrën, por edhe vizitorë të zakonshëm, nuk mund të iknin nga qyteti i gurtë pa e bërë një foto përpara monumentit të udhëheqësit. Parr ka rastisur të fotografoj pikërisht një moment të tillë. Një çift me një fëmijë që pozojnë para monumentit të Enver Hoxhës…
ALMA MILE
© Panorama.al











