Tiranë, Prokuroria kërkon edhe 3 muaj hetime të tjera për shkak të kompleksitetit të çështjes.
Sot, seanca e Llupos, gardisti kërkon lirimin: Kam një vit në burg.
Në një diferencë kohore prej një ore, Gjykata e Tiranës pritet të shqyrtojë sot dy kërkesa që kanë për “protagonist” Agim Llupon, gardistin e akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit në demonstratën e 21 janarit 2011. Në orën 12:00, trupi gjykues do të shqyrtojë kërkesën e Agim Llupos për lirimin e tij nga qelia, me argumentin se kanë kaluar afatet e para-burgimit. Kjo kërkesë u depozitua në Gjykatë ditën e djeshme. Burime pranë Gjykatës sqaruan se në kërkesë Llupo pretendon se arrestimi i tij është bërë më 8 shkurt 2011 dhe se sot atij i përfundojnë afatet e mbajtjes në masën e sigurisë “arrest me burg”. Kërkesa e dytë në radhë për shqyrtim, në orën 12:00, është kërkesa e prokurorisë për shtyrjen e afateve hetimore ndaj të dyshuarit Llupo. Nga ana e saj, prokuroria do të kërkojnë zgjatjen e afateve për të mbajtur në para-burgim edhe tre muaj të tjerë gardistin Llupo. Seanca e parë e shqyrtimit të kësaj kërkese ishte dje, por për shkak të mbetjes pa mbrojtës të Llupos, seanca nuk u zhvillua. SEANCA
I veshur me një kostum sportiv, gardisti Llupo, i vetmi i paraburgosur për vrasjet e 21 janarit 2011, ishte i pranishëm në kafazin e hekurt të sallës numër një të Gjykatës së Tiranës. Pranë tij në bankën e mbrojtjes ndodhej avokati Genci Gjokutaj. Që në nisje të seancës, avokati Gjokutaj deklaroi para gjyqtarit Shkëlqim Mustafa se i dyshuari Llupo nuk mbrohej më prej tij. “Më 23 janar 2012 jam paraqitur në Gjykatën e Tiranës, në seancën e masës së sigurimit të shtetasit Ndrea Prendi. Nga ana e përfaqësuesit të organit të akuzës më është paraqitur një vendim i prokurorisë që shprehte papajtueshmëri mes të dy personave nën hetim, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo”, u shpreh avokati Gjokutaj. Në këtë logjikë, avokati u shpreh se ai kishte hequr dorë nga mbrojtja e Agim Llupos dhe se dje ishte paraqitur në seancë vetëm për respekt të një njoftimi që kishte marrë nga Gjykata. Në vijim, nga kafazi i sallës së gjyqit, i dyshuari Llupo deklaroi se interesat e tij në vijim do të mbroheshin nga avokati Gëzim Veleshnja. Në vijim, për shkak se avokati Veleshnja nuk ishte njoftuar për këtë seancë, gjykata e shtyu procesin për ditën e sotme. Gjykata pranoi dje kërkesën e prokurorit, që shqyrtimi i kësaj kërkese në Gjykatën e Tiranës të zhvillohet në një proces me dyer të mbyllura. Bëhet e ditur se bashkangjitur kërkesës së prokurorisë për shtyrjen e afatit të hetimeve, përfaqësuesi i akuzës do të paraqesë akte, publikimi i të cilave mund të dëmtojë hetimin. AKUZA
Gardisti Agim Llupo është i vetmi i dyshuar i dosjes “21 janari” që ka qëndruar në masën e sigurisë “arrest me burg”. Deri para mbërritjes së ekspertizës së FBI-së në Tiranës, Llupo ishte i vetmi i dyshuar kundër të cilit akuza zotëronte prova shkencore. Sipas prokurorisë, nga veprimet hetimore pas ngjarjes u zbuluan se predha e gjetur te viktima Ziver Veizi ishte qitur nga arma që më 21 janar 2011 është përdorur nga gardisti Agim Llupo. Pas mbërritjes së ekspertizës balistike nga FBI-ja për 21 janarin, Llupo dyshohet edhe për dy vrasje të tjera.
Gjykata e Apelit shqyrton sot masën e sigurisë ndaj ish-kreut të Gardës
Ndrea Prendi në gjyq
TIRANE – Gjykata e Apelit në kryeqytet shqyrton sot ankimin e ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, kundër masës së sigurisë arrest shtëpie. Prendi së bashku me shoferin e tij, Margarit Kume, kanë bërë ankim në Apel kundër masës së sigurisë të vendosur nga Gjykata e Tiranës. Ata janë kundër qëndrimit në arrest shtëpie, duke kërkuar masë më të lehtë sigurie. Më 22 janar 2012, gjykata, me kërkesë të prokurorisë, vendosi masat e sigurisë arrest shtëpie ndaj Ndrea Prendit dhe Margarit Kumes, duke e akuzuar të parin për vrasjen e Faik Myrtajt dhe të dytin për moskallëzim krimi. Sipas ekspertizës balistike, predha e gjetur në trupin e Faik Myrtajt, i vrarë më 21 janar, ka dalë se është qitur nga arma pistoletë e Ndrea Prendit, ndërkohë që tyta e kësaj arme është ndërruar më pas me atë të Margarit Kumes. Një veprim i tillë, sipas organit të akuzës, është bërë për të humbur gjurmët dhe për të shpërqendruar hetimin e çështjes. Ankim në Apel ka bërë edhe prokuroria, e cila është kundër arrestit të shtëpisë, pasi ka kërkuar që të pandehurit të mbahen në masën e arrestit me burg.
Kasaj në Prokurori: Pamjet e serverit i kërkuan gardistët
Armando Kasaj në Gjykatën e Tiranës
TIRANE – Prokuroria e Tiranës i komunikoi dje zgjatjen e hetimeve edhe për tre muaj të tjerë ekspertit të IT-së në Kryeministri, Armando Kasaj. I shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës, mësohet se Armando Kasaj është paraqitur në Prokurori ditën e djeshme. Ai ka marrë kontakt me grupin hetimor, ku i është bërë e ditur se çështja penale ndaj tij me akuzën e shpërdorimit të detyrës, do të mbahet në hetim edhe për tre muaj të tjerë, për shkak të nevojave për hetime dhe verifikime të mëtejshme. Sipas burimeve jozyrtare të Prokurorisë mësohet se gjatë ditës së djeshme, Kasaj ka dhënë deklarime në Prokurori duke theksuar se ka kryer kopjimin e disa pamjeve në serverin e kamerave të Kryeministrisë, por këtë veprim e ka kryer me kërkesë të njërit nga katër gardistët që kanë qëndruar në dhomën e kamerave të survejimit më 21 janar 2011. Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzë për shpërdorim detyre ndaj shtetasit Ardian Kasaj duke e pandehur atë si personin që ka kryer kopjimin e materialeve të serverit të Kryeministrisë më 21 janar dhe më pas ka fshirë pamjet e ruajtura aty nga sistemi i kamerave. Në kërkesën për masën e sigurisë ndaj Armando Kasajt, prokuroria thekson se më 4 mars 2011 është proceduar duke sekuestruar DDR-në e serverit të Kryeministrisë dhe po në këtë datë Këshilli i Ministrave, me shkresë nr. 870, ka dërguar edhe një informacion shtesë në lidhje me sistemin e vëzhgimit, duke përcjellë edhe regjistrimet e një kamere tjetër. Pas ekzaminimit teknik që iu bë DDR-së nga ekspertë të Drejtorisë së Policisë Shkencore, veç të tjerave, janë evidentuar se: pajisja nuk ka qenë e programuar për të kryer formatim automatik. Sipas prokurorisë, që nga data 1 janar 2011 deri më 4 mars 2011, kësaj pajisjeje i është bërë formatim i hard diskut, përkatësisht më datë 21 janar 2011, ora 12:14:14, më datë 22 janar 2011, ora 00:51:52 dhe më datë 28 shkurt 2011 në orën 12:10:21. Organi i akuzës pohon gjithashtu se më datë 21 janar 2011, ora 19:24:00 deri në orën 19:36:31 është realizuar kopjimi i të dhënave të regjistruara duke i regjistruar ato në një pajisje të jashtme duke i regjistruar ato në një pajisje të jashtme, (hard disk, USB, DVD, CD-R). Sipas ekspertizës, pajisja ka qenë në punë deri në datën 4 mars 2011. Hetuesit kanë thënë se pajisja ishte konfiguruar që të fshinte automatikisht regjistrimet më të vjetra se shtatë ditë, pra regjistrimet e datës 21 janar 2011 fshiheshin automatikisht në datën 28 janar 2011.