Kërkohet nxjerrja e fytyrës së gardistit, dyshohet se qëlloi Hekuran Dedën.
Prokuroria: Hysni Peposhi filmoi gardistin duke qëlluar.
Dy video amatore të regjistruara më 21 janar 2011 pranë Kryeministrisë bëjnë pjesë në materialet filmike që po ekspertohen nga FBI-ja, me kërkesë të Prokurorisë shqiptare, për zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit. Dy ditë më parë, në Gjykatën e Tiranës, njëri nga prokurorët e çështjes kërkoi shtyrje të afatit të hetimit për Agim Llupon, me argumentin se veç të tjerave, janë duke vazhduar ekspertizat për dy video të regjistruara nga shtetasi Hysni Peposhi. Ky person ndodhej fare pranë në momentin e vrasjes së Hekuran Dedës. Sipas Prokurorisë, Hysni Peposhi, me telefonin e tij celular ka kryer disa regjistrime filmime amatore që mund të ndihmojnë hetimin. Sipas Prokurorisë, videot përmbajnë dy momente që shërbejnë për hetimin e ngjarjes. Momenti i parë është ai në të cilin Peposhi ka filmuar një efektiv të Gardës së Republikës duke qëlluar me armë në drejtim të zonës ku ndodhej Hekuran Deda. Kjo gjë ta ndodhur në kohën kur janë regjistruar të shtënat e para nga Garda e Republikës më 21 janar 2011. Sekuencat tjera, sipas akuzës, përmbajnë një efektiv të Gardës së Republikës në profil, i cili duket se qëllon me armë në lartësinë e njeriut, çka interpretohet se ka vënë në rrezik personat që ndodheshin të grumbulluar në protestë mes Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit. Ekspertizat
Të dyja videot e regjistruara nga Hysni Peposhi, i cili sipas Prokurorisë është dëshmitar i vrasjes së Hekuran Dedës, nuk e paraqesin qartë gardistin që qëllon me armë. Për këtë shkak, sipas grupit të hetimit, është parë e nevojshme të që kryhet një ekspertizë, me qëllim pastrimin e imazheve filmike dhe mundësisht nxjerrjen e fotove të zmadhuara të sekuencave kur personi që hap zjarr është fiksuar në fytyrë. Kjo gjë kërkohet të bëhet për efekt provueshmërie, me qëllim paraqitjen në gjykatë të këtyre provave në mbështetje të akuzës. Mësohet se njëra prej videove, pasi ka kapur breshëritë e para të gardistit, që besohet se është Agim Llupo, zgjat deri në momentin e vrasjes së Ziver Veizit, madje mësohet se ka regjistruar sekuenca nga ky moment. Burimet e Prokurorisë kanë thënë se regjistrimet filmike në fjalë janë publikuar pjesërisht nga një media televizive. Imazhet në fjalë janë administruar si prova menjëherë pas ngjarjes së 21 janarit, ndërsa më vonë Prokuroria i ka hapur dhe i ka parë ato. Regjistrimet në fjalë janë bashkuar me disa materiale të tjera dhe janë nisur në SHBA, me qëllim trajtimin e tyre ligjor nga ekspertët e fushës për të përfituar të dhëna të nevojshme për hetimin e ngjarjes. Deri tani, Prokuroria ka faktuar vrasjen e Ziver Veizit nga arma e gardistit Agim Llupo, si dhe vrasjen e Faik Myrtajt nga pistoleta që ka pasur në përdorim komandanti i Gardës, Ndrea Prendi. Ndërkohë, kanë mbetur pa u zbardhur vrasja e Hekuran Dedës, pasi nuk është gjetur predha, si dhe vrasja e Aleks Nikës, pasi plumbi i gjetur në trupin e tij ka qenë i dëmtuar. Skema e vrasjeve dhe mekanizmi i gjithë ngjarjeve janë zbardhur nga Prokuroria bazuar në ekspertizat e armëve dhe në imazhet filmime të regjistruara nga mediat dhe nga policia.
Llupo Në Gjykatën e Tiranës pritet të shqyrtohet sot kërkesa për lirimin e efektivit të Gardës së Republikës, Agim Llupo, i akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit më 21 janar 2011. Llupo ka bërë kërkesë për lirim me anë të shuarjes së masës së sigurimit “arrest me burg” të vendosur ndaj tij tashmë prej një viti. Sipas kërkesës së gardistit, afati i mbajtjes në paraburgim ka përfunduar. Nga ana tjetër, Gjykata e Tiranës të mërkurën pranoi kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen me tre muaj të afatit të hetimeve ndaj gardistit në fjalë për shkak të nevojës së verifikimeve komplekse.
Eksperti i qeverisë, sot në Apel Gjykata e Apelit në Tiranë pritet që sot paradite të shqyrtojë kërkesën e Armando Kasajt për heqjen e masës së arrestit në shtëpi. Eksperti i sektorit të IT-së në Kryeministri akuzohet nga Prokuroria se ka fshirë filmimet e 21 janarit nga serveri i kamerave të godinës së qeverisë. Ai po mbahet në arrest shtëpie, ndërkohë që ka bërë ankim në Apel duke kërkuar lehtësimin e masës së sigurisë. Ky ankim pritet të shqyrtohet sot nga gjyqtari i Apelit, Artan Broci, ndërkohë që edhe Prokuroria kërkon vendosjen e arrestit me burg ndaj të dyshuarit.
Ankimi, akuza kërkon zëvendësimin e masës
Prokuroria në Apel: Prendi e tërhoqi armën më 5 mars 2011
Ndrea Prendi ne gjykate
TIRANE – Prokuroria e Tiranës dërgon përsëri në Apel komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Sipas burimeve nga organi i akuzës, një ditë pasi Gjykata e Apelit Tiranë vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë ndaj Prendit duke e lënë atë në arrest shtëpie, është vendosur të dërgohet në Apel çështja e zëvendësimit të masës. Prokuroria, javën e kaluar i kërkoi Gjykatës së Tiranës që bazuar në provat e reja të dala gjatë hetimit që po vazhdon, ta zëvendësojë masën e sigurisë arrest shtëpie me masën arrest me burg ndaj Ndrea Prendit. Gjykata e Shkallës së Parë nuk e pranoi këtë kërkesë, ndërsa Prokuroria ka bërë ankim për këtë vendim, pasi Shkalla e Parë nuk e pranoi fare shqyrtimin e provave që paraqiti akuza. Prokuroria i është drejtuar Gjykatës së Apelit me kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë, ndërkohë që ka përmendur edhe disa fakte të reja. Kështu, në dosjen e dërguar në Apel, Prokuroria ka futur dokumentacionin ku faktohet se arma Beretë që ka vrarë Faik Mayrtajn, ishte në përdorim të Ndrea Prendit. “Nga këqyrja e regjistrit të armëve figuron se arma me numër P52796Z, që sipas raportit të ekspertimit të kryer nga Byroja Federale e Hetimit (FBI-ja) ka kryer vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj, është tërhequr më datë 5 mars 2009 nga vetë ish-komandanti Prendi”, thuhet nga Prokuroria, duke lënë të dyshohet se në këtë kohë ka ndodhur ndryshimi i tytës së armës për të humbur gjurmët. Prokuroria i sekuestroi armët në Gardë rreth 20 ditë më vonë, pas datës 20 mars 2011.