UASHINGTON- Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha kërkoi që hetimi për ngjarjet e 21 janarit të jetë gjithëprfshirës, i pavarur dhe i pandikuar politikisht. Komentet, kryebashkiaku i bëri gjatë një intervistë për Zërin e Amerikës, ndërsa prej disa ditësh po qëndron për një vizitë në Uashington.
“Çdo njeri është i përgjegjshëm, është një ngjarje tragjike, ka shkaqet e saj, të gjithë këto do të jenë pjesë e një hetimi gjithpërfshirës, të pavarur dhe pa ndikim politik. Gjëja më e dhimbshme është që të bëjmë politikë me këtë ngjarje”- tha Basha.
Sipas tij, po kaq e rëndësishme është që Shqipëria të fokusohet tek e ardhmja, protagonistët e ngjarjes duhet të marrin përgjegjësitë për të ardhmen e vendit, bashkëpunim për kodin zgjedhor apo reforma të tjera.
Udhëheqësit duhet të vendosin interesat e vendit mbi ato partiake, tha ai, pasi rruga drejt integrimit është e qartë, kjo rrugë kalon nga reforma elektorale dhe bashkëpunimi me njëri- tjetrin.
Zgjedhjet e 8 majit, vazhdoi me tej Basha, treguan se qytetarët janë të tejngopur nga retorika, apo nga sulmet e pambështetura, sipas tij, kërkojnë bashkëpunim dhe zgjidhje të problemeve të tyre.
Basha foli edhe për arritjet e tij në krye të Bashkisë së Tiranës, ku u fokusua tek heqja e taksave dhe tek partneriteti i ndershëm me biznesin.
Lidhur me procesin e hipotekimit, si një nga premtimet e tij elektorale, Basha u shpreh se; “Procesi ka ecur, kemi evidentuar mbi 3000 apartamente që janë në proces të marrjes së hipotekës. Po fillon puna për 1500 apartamente të tjera. Çdo ndërtesë që është ndërtuar me leje në Bashkinë e Tiranës do të hipotekohet”- tha ai.
© Panorama.al











