
UPDATE- Kolegji Zgjedhor ka zbardhur sot vendimin e ditës së premte ku rrëzoi kërkesën e Partisë Socialiste , ku kjo e fundit kundërshtonte vendimin e KQZ-së për të numëruar votat e hedhura në kutitë e gabuara.
Në argumentat e tij, Kolegji kundërshton PS-në,duke thënë se KQZ nuk ka vepruar në kapërcim të kompetencave të saj në marrjen e vendimit , kur e ka miratuar kete vendim me katër vota pro, pasi nuk bëhet fjalë për akt normativ por për akt me karakter individual ku mjaftojnë katër vota.
Më tej në raport shkruhet se ,konkretisht nëpërmjet këtij vendimi është rregulluar një marrëdhënie juridike specifike, e cila ka lindur pas kërkesë së disa KZAZ-ve, të njësisë zgjedhore Bashkia Tiranë, lidhur me fatin e një kategorie votash të hedhura aksidentalisht në kutinë e gabuar brenda të njëjtës qendër votimi.
“KQZ si organ qëndror i parashikuar nga Kodi Zgjedhor, është organi epror i administratës zgjedhore si i tillë ushtron dhe kompetencat e organeve të varësisë, në rastet kur ato nuk mund të ushtrojnë detyrat e tyre”- thuhet më tej në raportin e Kolegjit.
Lidhur me pretendimet e PS_së për ndryshim të rregullave të lojës, për Kolegjin edhe ky argument çmohet i pabazuar, pasi në rastin konkret nuk kemi një situatë të tillë. Me vendimin objekt gjykimi KQZ nuk ka normuar rregulla të reja sjelljeje por ka zgjidhur një situatë të re të patrajtuar më parë, situatë e krijuar në një moment të caktuar paszgjedhor.
© Panorama.al











