Kryesocialisti Edi Rama denoncoi dje Kolegjin Zgjedhor për moszbardhje të qëllimshme të vendimit të tij të së premtes. Gjatë një deklarate për mediat në selinë rozë, Rama tha se Kolegji nuk dha drejtësi, duke e akuzuar si të varur nga qeveria. “Kolegji i së premtes ka dhënë një vendim që ne nuk e pranojmë dhe, duke mos dhënë pas arsyetimin e atij vendimi siç e kërkon ligji, ka treguar botërisht se nuk është as i pavarur, as i paanshëm, as i gatshëm të fshehë varësinë e vet nga Saliu. Aq më keq për ta! Ne jemi këtu të gatshëm të përballemi me të keqen dhe të rivendosim demokracinë me çdo sakrificë”, u shpreh Rama. Kreu i selisë rozë tha se Kolegji po shkel ligin dhe Kushtetutën duke mos dhënë drejtësi. “Tri ditë pas atij vendimi që i ra ndesh Kushtetutës, ligjit, opinionit të qartë të shprehur në raportin e ODHIR-it dhe vetë praktikës zgjedhore në Shqipëri, ne ndeshemi me një shkelje të re të ligjit nga vetë gjykatësit e thirrur të bëjnë drejtësi në emër të ligjit. E ndërkohë Saliu vijoi sot të flasë broçkulla që tregojnë qartë, hapur, açik, se është ai që e orkestron gjithë këtë maskaradë me një KQZ në shkelje të ligjit e një Kolegj që ligjëron shkeljen e KQZ-së”, u shpreh Rama. Kreu i PS-së i kërkoi faktorit ndërkombëtar të ndërhyjnë në këtë situatë të vështirë për drejtësinë dhe demokracinë. “Bindja jonë se e drejta e qartë si dielli nuk mund të mbulohet me shoshën e marrëzive e presioneve të Saliut, na bën të besojmë që bota demokratike nuk do të mbyllë sytë përpara këtij kanibalizmi zgjedhor e ligjor që nuk ka lidhje me standardet demokratike dhe nuk paralajmëron asgjë të mirë për Shqipërinë. Përsërisim sot apelin për komunitetin ndërkombëtar që të ndërhyjë urgjentisht, duke kërkuar një ekspertizë të pavarur për një çështje kaq thelbësore, e cila po nuk u gjykua në respekt të Kushtetutës, ligjit dhe vullnetit të zgjedhësve, do të kthehet në një minë me sahat për ekuilibrat e brishtë politikë, socialë e ekonomikë të vendit”, u shpreh Rama. Për kreun e selisë rozë, beteja ligjore në Kolegjin Zgjedhor vazhdon. “Ne sot depozituam padinë tjetër, duke kërkuar të drejtën dhe vetëm të drejtën. Do të vazhdojmë të përpiqemi për ta gjetur këtë të drejtë në rrugën ligjore deri në sekondën e fundit, por askush nuk duhet të mendojë se shkelja e kësaj të drejte deri në fund në rrugën ligjore, mund ta mbyllë këtë histori grabitjesh të paturpshme si çudinë e radhës që harrohet pas tri ditësh. Saliu e kërkon me çdo kusht e mjet Tiranën, që asnjëherë nuk e ka fituar dot me vota, por është e sigurt se fitorja e vjedhur s’është asgjë tjetër veçse gropa që ai po i hap pushtetit të tij pa din e as iman”, u shpreh Rama. PADIA Socialistët depozituan dje pasdite në Kolegjin Zgjedhor padinë e tretë të tyre për rezultatin e Bashkisë së Tiranës. Padia e tretë e socialistëve kërkon rrëzimin si të pavlefshëm të Vendimit Nr. 710 të KQZ-së, që ka të bëjë me rezultatin e Njësisë Bashkiake Nr. 5 dhe të Vendimit Nr. 711, i cili shpall kandidatin demokrat Lulzim Basha fitues të Bashkisë së Tiranës me 81 vota më shumë se Edi Rama. Një tjetër pikë e padisë ankimore në Kolegj është dhe pavlefshmëria e vendimmarrjes së KQZ-së që prishi shifrat e tabelave të ardhura nga grupet e numërimit të votave dhe kërkohet miratimi i tabelave ashtu siç kanë mbërritur në KQZ nga GNV-të dhe KZAZtë. Këto kërkesa do të bëjnë të mundur, sipas PS-së, pavlefshmërinë e votave për kryetarin e Bashkisë, të hedhura gabim në kutitë e tjera, por dhe rakordimin e tabelave të rezultateve ku në disa qendra votimi numri i votave është më i madh se numri i votuesve. Kolegji Zgjedhor ka tani 10 ditë kohë për ta shqyrtuar dhe dhënë vendimin për këtë kërkesë.
Gjiknuri: Vonesa e Kolegjit tregon mungesë pavarësie
Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, akuzoi Kolegjin Zgjedhor se është i varur nga pushteti. I kontaktuar në telefon nga “Panorama”, deputeti Damian Gjiknuri, lidhur me vonesën në zbardhjen e vendimit të Kolegjit Zgjedhor, u shpreh se “kjo vonesë tregon se tjetërkush po përgatit arsyetimin e vendimit të Kolegjit, i cili ka shkelur të gjitha afatet ligjore”. Gjiknuri ishte dje në Kolegjin Zgjedhor për të kërkuar arsyet e kësaj vonese. “Ardhja jonë këtu ka të bëjë me skadimin e afatit nga ana e Kolegjit Zgjedhor, i cili, normalisht, sipas ligjit, sot duhet të zbardhte vendimin aq shumë të
përfolur që gjithë publiku e priste, e gjithë media e priste, por, mbi të gjitha, e prisnin palët e interesuara në këtë proces. Fatkeqësisht kemi një shkelje të pastër të ligjit nga ana e Kolegjit, pasi ai vendim duhej të zbardhej dhe duhej të arsyetohej brenda tri ditëve. Pasi vetëm në arsyetimin që duhej t’i bënte Kolegji ne do të kuptonim shkaqet e vërteta të rrëzimit të atij vendimi, ku e kanë bazuar këta njerëz kur gjykuan që aktet e KQZ-së janë në përputhje me ligjin,
me Kodin Zgjedhor. Duam ta denoncojmë këtë fakt, një fakt vërtet i rëndë, që tregon edhe për standardet e ulëta në të cilat ndodhet Kolegji. Ata që normalisht marrin përsipër të gjykojnë standardet e të tjerëve, duhet t’i respektojnë të parët standardet që përcakton ligji. Fatkeqësisht kanë shkelur çdo afat”, u shpreh Gjiknuri.
PD: Rama të ndalë presionin mbi Kolegjin
Partia Demokratike i kërkoi kryetarit socialist të ndalë presionet ndaj institucioneve të pavarura. Zëdhënësja e Partisë
Demokratike, Albana Mustafaraj, i bëri dje sërish thirrje liderit të opozitës, Edi Rama, të respektojë vendimet e institucioneve. “Edi Rama ende nuk kupton. Me gjithë detyrimin e çdo politikani, por edhe thirrjet e përsëritura të komunitetit ndërkombëtar për të respektuar pavarësinë e institucioneve kushtetuese demokratike të Shqipërisë, vendimet e tyre dhe shtetin ligjor, ai vazhdon çdo ditë me presione e kërcënime dhe deklaron se nuk njeh vendimet e tyre. Partia Demokratike i qëndron e patundur angazhimit të saj që të presë me durim dhe respekt vendimet e
institucioneve të pavarura të vendit”, tha Mustafaraj. Sipas saj, kërcënimet dhe presionet e Ramës ndaj institucioneve dhe Kolegjit Zgjedhor tregojnë qëllimet e vërteta të tij
“Vota e qytetarëve të vlerësohet”
Dy ditë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Volfarth,
ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu dhe kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian,
ambasadori Etore Sekui, dolën me një deklaratë të përbashkët ku u bënë thirrje palëve për qetësi, pjekuri, “duke vënë interesin kombëtar përpara çdo lloj interesi partizan vetjak”. Sipas tyre, “po aq e rëndësishme është që të gjitha palët, partitë politike dhe qytetarët, të presin derisa rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç kërkohet nga legjislacioni shqiptar.”
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











