RUBEN AVXHIU
Më 25 qershor 1991, Sllovenia dhe Kroacia shpallën njëkohësisht pavarësinë nga Jugosllavia. Këto akte, që ishin paralajmëruar më parë nga referendumet kombëtare në të dyja këto republika, shënuan fillimin e fundit të asaj që bota e njihte si Jugosllavia. Pas sugjerimit nga Bashkimi Europian, Kroacia pranoi që ta “ngrinte” për tre muaj pavarësinë për të vlerësuar situatën. Sllovenia nuk pranoi. Pak orë më vonë, duke gdhirë 26 qershori, trupat e Korpusit të 13-të të Ushtrisë Popullore Jugosllave kapërcyen kufirin slloven duke hapur kapitullin e katër luftërave të përgjakshme në Ballkan, ku humbën jetën qindra mijëra veta, ndërsa miliona u deportuan, u traumatizuan dhe vuajtën pasoja të tmerrshme.
Ndonëse Sllovenia ishte shumë më e vogël dhe nuk mund të krahasohej nga fuqia e armëve me pjesën tjetër të Jugosllavisë së dominuar nga Serbia, sllovenët ishin të vendosur për të luftuar. Në fakt, nga të katër luftërat ballkanike të kohës moderne, kjo në Slloveni ishte më e shkurtra dhe më pak e përgjakshmja.
Ushtria jugosllave ishte ende e shokuar nga zhvillimet politike. Ndërsa popullsia sllovene u mobilizua kudo me armë për të luftuar. Nga ushtria jugosllave, sllovenët, kroatët dhe shqiptarët dezertonin në masë, ndërsa trupat sllovene shtoheshin nga vullnetarët.
Beogradi nuk e kishte marrë Slloveninë seriozisht dhe kjo i ndihmoi psikologjikisht sllovenët kur ata bënë goditjet e para, duke rrëzuar dy helikopterë jugosllavë, ku u vranë të gjithë ushtarët, përfshi një slloven që shërbente si pilot.
Presioni nga BE-ja, frika se mos Kroacia hynte në luftë përkrah Sllovenisë dhe pavendosmëria politike bënë që Beogradi të braktisë planet për luftë frontale vetëm 10 ditë pas fillimit të konfliktit. Kështu, në ishujt e Brionit në Kroaci, Jugosllavia nënshkroi Marrëveshjen që praktikisht pranonte pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë, me kusht që ato të duronin edhe tre muaj. Marrëveshja e Brionit mbylli problemet në Slloveni, por në Kroaci ato vetëm sa kishin filluar. Me pretekstin se popullata serbe e Kroacisë nuk donte pavarësinë, u stis konflikti që justifikoi hyrjen e ushtrisë jugosllave në tokat kroate.
Lufta në Kroaci do të përfundonte realisht vetëm bashkë me atë të Bosnjës në Marrëveshjen e Dejtonit, më 1995-n.
Ndonëse kapitulli i Kosovës nuk ishte më i përgjakshmi (ndërhyrja e NATO-s ndaloi skenarin serb të spastrimit etnik dhe gjenocidit total), ai mbetet më i shënuari.
Pikërisht në Kosovë, në vitin 1981, u panë për herë të parë krisjet e pashmangshme në strukturën federale jugosllave. Federata që ishte krijuar me pretendimin për të siguruar pavarësinë dhe lirinë e popujve sllavë të Jugut, në fakt ishte kthyer në një burg për popullin shqiptar të Kosovës dhe më pas i të gjithë popujve të tjerë që nuk donin t’i bindeshin diktatit serb. Jugosllavia po kthehej në fund të fundit në një Serbi të Madhe.
Kosova, pjesa e vetme e Jugosllavisë që kundërshtoi me furi përfshirjen në të dhe që gjithnjë e quajti veten si të pushtuar, për ironi të fatit, ishte e fundit që fitoi pavarësinë.
Ndonëse Serbia nuk ka pranuar ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe ka bërë që të “ngrijë” njohja edhe nga Bosnja (nëpërmjet vetos së Republikës Srpska), të gjitha republikat e tjera ish-jugosllave e kanë njohur shtetin e ri që dikur ishte pjesë konstituive e Jugosllavisë. Njohja e këtyre shteteve është një nga kartat më të forta ligjore të Kosovës në përpjekjet e saj për njohje ndërkombëtare.
Në ato shtatë dekada që jetoi, Jugosllavia ka lënë pas shumë kujtime e ka shumë nostalgjikë. Edhe ngaqë socializmi i Titos ishte shumë më i butë se ai i Enver Hoxhës dhe komunistëve të tjerë të Europës Lindore. Jugosllavët jetonin më mirë se eurolindorët e tjerë. Krahasuar me luftërat, shkatërrimin ekonomik, mbylljen e dyerve të Europës që për ta ishin të hapura gjatë Luftës së Ftohtë, i bën shumë ish-jugosllavë sot që në vend që t’i gëzohen pavarësisë së vendeve të tyre, qajnë kohët e dikurshme.
Mirëpo, për shumicën masive të shqiptarëve, duke filluar që nga fillimi i ekzistencës së Jugosllavisë e deri në fund të viteve ‘60 (me dritaren e pushtimit nazifashist në mes), Kosova njohu një terror të paparë. Shqiptarët u vranë, u masakruan, u burgosën e torturuan, u shpërngulën me forcë e me marrëveshje ligjore etj. Kosova ishte jo rrallë në kryengritje dhe mjafton të përmendim emrat e njohur të Azem e Shote Galicës, apo më vonë të Shaban Polluzhës etj. Krime masive u bënë edhe në Maqedoni. Në Malin e Zi, përveç diskriminimit të shqiptarëve që jetonin aty, ishte edhe vendi ku ndodhi një nga krimet më tmerrshme antishqiptare, që njihet në histori si Masakra e Tivarit.
Shpresat e ngritura në Kosovë gjatë viteve 1968-1980 u shtypën nën dhunën e pamëshirshme të demonstratave të vitit 1981 dhe krijimin e situatës që solli abrogimin e statusit të autonomisë. Këto veprime dëshmuan se nuk do të kishte liri për popullin e Kosovës sa kohë që pushtimi serb do të vazhdonte nën ombrellën ligjore e politike të Jugosllavisë federale.
Për fat të mirë Jugosllavia filloi të shpërbëhej pashmangshmërisht pak kohë më vonë, në ato ditë të ethshme të qershorit 1991, 20 vjet më parë.
Ndonëse shpërbërja e Jugosllavisë deri te pavarësia e Kosovës ishte rezultat i luftës së kombeve për liri, kur të kthejnë kokën për të parë seriozisht se çfarë ka ndodhur këto 20 vjet e 70 vjetët përpara tyre, serbët do të kuptojnë se kanë po aq “meritë” në rrëzimin e federatës jugosllave, për mënyrën sesi keqpërdorën shanset që u dhuroi bujarisht historia.
Ndonëse Jugosllavia nuk do të ringjallet më, mësimet që dalin nga historia e saj mbeten të rëndësishme dhe aktuale jo vetëm për popujt që jetuan në të, por për mbarë botën.











