MB: 14 komuna të bllokuara, vijojnë operacionet

Feb 20, 2012 | 19:20

TIRANE- Ministria e Brendshme ka njoftuar se vazhdon puna për lidhjen me akset nacioanle të 14 komunave të fundit të cilat vazhdojnë të jenë të bllokuara nga reshjet e dëborës.

Sipas MB-së, në Qarkun e Shkodrës sot është punuar dhe vazhdon puna për hapjen e akseve rrugore që lidhin me akset kombëtare qendrat e komunave Shalë, Shosh, Shllak, Pult, Iballë dhe Fierzë.

Qarkun e Kukësit është punuar dhe vazhdon puna për lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Shishtavec, Grykë Çajë, Kalis, Lekbibaj dhe Arrën.

Lura, Selishta dhe Zall Reçi, janë tre komunat e Qarkut të Dibrës, ku gjithashtu vijon puna për lidhjen e qendrave të tyre me akset kombëtare.

Puna e kryer gjatë gjithë këtyre ditëve mundësoi ndërkohë lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Qelëz, Kelmend, Poroçan, Lenie, Kukur, Zavalinë, Blerim dhe Bytyç. Ndaj në bilancin e sotëm rezultojnë 8 komuna më pak të bllokuara  se ditën e djeshme.

Sa i përket,  emergjencave shëndetësore sipas ministrisë së Brendshme gjatë ditës së sotme janë raportuar 5 misione me helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë.

Janë transportuar për shkak të emergjencave shëndetësore në spitalin e Bajram Currit një burrë dhe një grua nga fshati Papaj, si dhe një person tjetër nga fshati Degë i Tropojës. Janë kryer dy misione të tjera fluturimi për transport medikamentesh mjekësore në Lurë dhe Selishtë.

Ndërsa njësia e helikopterëve të Forcave të Armatosura ka kryer 3 misione fluturimi për transport ndihmash humanitare në komunën Kala e Dodës të Dibrës dhe në komunën Trebinjë të Pogradecit.

© Panorama.al

Te lidhura