13 vjetori i çlirimit të Kosovës,Berisha,letër Thaçit

Jun 13, 2012 | 15:58

TIRANE- Ne kujtim te 13 vjetorit te përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës, kryeministri i Shqiperise, Sali Berisha i ka dërguar një letër homologut te Kosoves, Hashim Thaci, ne te cilen shpreh urimet per kete date historike.  Berisha, bashke me pershendetjet per arritjet e Kosoves ne keto vite ka garantuar vendosmerin e e qevrise shqiptare per thellim te metejshem te marredhenieve te shkelqyera mes dy republikave, ne te gjitha fushat.

Më poshtë letra që Kryeministri Berisha i ka dërguar Kryeministrit Thaci

“I nderuar zoti Kryeministër,

13 vjet më parë trupat e Aleances së Atlantikut të Veriut, trupat e paqes, hynë si çlirimtare në Kosovën e martirizuar dhe i dhanë fund përgjithmonë sundimit e shtypjes shekullore serbe. Kremtimi i “Ditë së Paqes,” që përkon me 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe 134 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, me jep kënaqësinë e veçantë, që në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t’Ju përcjell Ju dhe, përmes Jush të gjithë popullit të Kosovës përshëndetjet e mia më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta vëllazërore për progresin e pandalshëm që ka arritur Kosova e lirë, e pavarur dhe sovrane.

Dita e Paqes, 12 Qershori, do të mbetet në memorien historike të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë si datë historike që mbylli kapitullin e sundimit barbar serb  dhe kurorëzoi me sukses sakrificat mbinjerëzore të shqiptarve të Kosovës në luftën e tyre legjendare per liri dinjitet dhe pavaresi. Kjo ditë e shënuar me gërma të arta në historinë e kombit shqiptar hapi për qytetarët e Kosovës kapitullin e paqes, lirisë dhe, mbi të gjitha, të pavarësisë, duke shndërruar Kosovën në një shtet të pavarur e sovran të njohur nga 91 shtete të botës, ku të gjithë qytetarët e saj ndihen të lirë e të barabartë, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.

Në këto 13 vjet Kosova ka ndërtuar jetën e saj në paqe dhe harmoni me fqinjët, duke u shndërruar në një faktor paqeje e stabiliteti në Ballkan dhe, njëlloj si të gjitha vendet fqinje, po punon intensivisht për t’u integruar në strukturat evropiane dhe euro-atlantike. Falë këtyre përpjekjeve titanike, Kosova po merr udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe qytetarët e saj, si gjithë të tjerët, do të lëvizin të lirë në Evropë. Së shpejti Kosova do të nënshkruajë edhe marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE, që do t’i japë një momentum të ri proceseve të saj integruese.

Më lejoni i dashur mik, që të përmend edhe një arritje tjetër madhore; së shpejti i jepet fund procesit përmbyllës të pavarësisë së mbikëqyrur dhe Republika e Kosovës, shtet demokratik, sovran e i pavarur, do të ecë edhe më shpejt drejt anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe të zërë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara.  Këto janë arritje madhore që mbushin me krenari cilindo qytetar të Kosovës multietnike, sovrane dhe të pavarur, për të cilat  padyshim, Ju zoti Kryeministër, keni dhënë një kontribut të çmuar personal.

Në këtë ditë feste më lejoni zoti Kryeministër, t’Ju siguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht jemi plotësisht të vendosur e të angazhuar që marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe që ekzistojnë mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, të njohin zhvillime pozitive, duke u pasuruar e zhvilluar më tej në të gjitha fushat.

Duke Ju uruar edhe një herë në këtë ditë historike, më lejoni zoti Kryeministër t’ju ritheksoj sigurimet e konsideratës time më të lartë”.

© Panorama.al

Te lidhura