112 vite Polici e Shtetit, sa evropianë ndihemi dhe sa evropianë jemi

Jan 14, 2025 | 7:42
SHPËRNDAJE

SKËNDER DODADREJTUES (RET) SKËNDER DODA

Numri 112 është bërë numri më i përdorur dekadat e fundit në Evropë e Shqipëri. Rrugëtimi i Policisë së Shtetit drejt modelit evropian është i lidhur ngushtë me zhvillimet historike dhe shoqërore të vendit. Në periudhën më delikate për fatet e Shqipërisë, Policia nisi udhën zyrtarisht më 13 janar 1913, ngjarje madhore e trajtuar gjerësisht nga studiues, historianë, analistë e drejtues policie. Ekzistenca gjeografikisht në zemër të Evropës nuk na ka shërbyer kurrë si bonus për të ulur standardet apo për të lehtësuar rrugën drejt integrimit evropian, në të cilën edhe policia ka detyrimet e veta. Kjo dukuri është dhe për vendet ballkanike që ndodhen në të njëjtin proces me Bashkimin Evropian e që përballen me një realitet problematik. Në këtë kontekst, pyetja “sa evropianë ndihemi” duhet rifomuluar se “sa evropianë jemi”. Një polici evropiane nuk nënkupton vetëm ligje bashkëkohore, rregulla dhe standarde, pajisjet logjistike ndërtesat, përdorimin e teknologjisë moderne, aplikimin e rregulloreve ndërkombëtare, kryerjen e operacioneve etj.. Janë mjaft të rëndësishëm, sikurse edhe ndërtimi i një kulture e mentaliteti evropian. Përpara se të kërkojmë të fitojmë respektin e komunitetit apo ndërkombëtarëve është e domosdoshme të kuptojmë se fryma, standardet evropiane, duhet të reflektohet në praktikat e përditshme brenda organizatës së policisë nga mënyra se si trajtohen njerëzit tanë, duke filluar nga nivelet e larta të drejtimit deri në rolin bazë. Për ta gjykuar këtë, mund të analizojmë qëndrimin ndaj pensionistëve të policisë dikur pjesë e rëndësishme e organizatës. Shteti duhet të bëjë ç’është e mundur për t’u dhënë atyre shansin më të mirë të mundshëm jo vetëm për të zhvilluar karrierën në zbatim të ligjit, por për të mbijetuar shumë kohë pas zbatimit të ligjit. Ne kujdesemi shumë për ceremoni të veçanta, që lidhen me akte të larta heroizmi e me pasoja në jetën e shëndetin e policëve, kësisoj dalja në pension për shkak të moshës duket një akt i pritshëm kalendarik. Është fat që punonjësi i policisë të shohë në tortën e tij të ditëlindjes numrin 65. Ne dimë sa policë janë vrarë në krye ose për shkak të detyrës, por nuk dimë sa oficerë policie janë larguar nga jeta në muajin apo vitin e parë të daljes në pension. Dole në pension, mbarove së shkruari paragrafë të rëndësishëm në historinë e Policisë së Shtetit dhe të vendit, shijo javën nga 70 e më shumë orë punë aktive, në 168 orë të ferrit. Mjaft gjëra ndryshojnë; zgjimi, kafet në mëngjes me kolegët, orari punës, situatat e koklavitura, telefonatat e shpeshta, korrespondenca apo mbledhjet nuk do jenë më si më parë. Nuk përjashtohet mundësia që dikush pensionistin e quan një makinë që i “kanë hequr targat”, ka dalë nga qarkullimi ndërsa ka të drejtë të shkojë deri te klubi i lagjes, në shtëpi të ngulet para televizorit, të kontrollojë çdo darkë fikjen e dritave dhe të vetmin sinjal gatishmërie e merr nga gruaja. Në ndryshim nga pensionistët në Evropë, ne kemi disa veçori që lidhen me ndryshimet e thella social-politike. Në vitet 1990, procesi i rekrutimit në Policinë e Shtetit sikundër dhe në administratën shtetërore, pavarësisht nga retorikat e ditës, ka qenë mjaft fleksibël ndërmjet formalizmit dhe ligjit. Për pasojë, disa herë u ballafaquam, u krijua boshllëk në sigurinë publike, i cili rezultoi me pasoja, në dështime sistematike të zbatimit të ligjit. Gjatë këtyre viteve mjaft punonjës policie për arsye nga më të ndryshmet u larguan përgjithmonë apo u rikthyen në ngjarjet e marsit 1997 ose në vijimësi sipas favorizimeve që ofroi situata politike e ditës. Policia nuk është vetëm profesion mekanik, por një mision delikat që kërkon unitet njerëzor dhe bashkëveprim për të siguruar vlerat e policimit. Ata që dikur mbajtën peshën e sigurisë publike me ndershmëri, përkushtim dhe sakrifica personale në ato vite, tani kanë filluar të dalin në pension për shkak të moshës. Janë me dhjetëra punonjës policie të niveleve të ndryshme që kanë lënë uniformën, por jo profesionin. Ata mbartin përvojën për policimin në komunitet, parandalimin e krimeve të hapura, të menaxhimit të situatave të rënda dhe emergjencave civile, janë adaptuar me teknologjinë etj.. Një pjesë e tyre gjatë karrierës, përveç arsimimit, shkollimit policor, janë trajnuar edhe nga misionet e huaja që kanë asistuar policinë tonë. Me pak fjalë, shumë punonjës policie fituan aftësinë të qëndronin në “tregun e sigurisë” sipas aftësive e mundësive duke filluar nga roje objekti, truprojë, biznesmenë, drejtues e pronarë të shërbimeve të sigurisë private, ekspertë sigurie, madje edhe pedagogë në Universitet. Qëndrimi ndaj tyre nuk është çështje e së shkuarës ose trajtimi financiar relativisht i justifikueshëm, por investim i zgjuar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjen e shoqërisë, të cilën ata e bëjnë më mirë. Është dhe mënyrë për të ruajtur një trashëgimi të fortë vlerash. Pensionistët e policisë janë një kombinim unik i njohurive ligjore aftësive praktike dhe disiplinës. Një shoqëri që me egoizëm dëshiron të maksimizojë kthimin e investimit që ka bërë tek çdo oficer, e trajton atë me dinjitet, është mirënjohëse edhe largpamës, sepse respekti për ta është vlerësim për mbrojtjen e jetës. Neglizhimi, braktisja e njerëzve korrektë pas daljes në pension sjell pasoja që ndihen si brenda institucionit, ashtu edhe në perceptimin publik. Nëse shoqëria nuk kujdeset për ata që kanë mbrojtur ligjin, humbet jo vetëm ndershmërinë, por edhe një pjesë të shpirtit të saj. Analizuar nga afër e me syrin e një biznesmeni vizionar në fushën e prodhimit të sigurisë, rezulton se trajtimi i pakujdesshëm marrëdhënieve me policët në pension apo të liruar me dëshirën e tyre, përbën një lloj “mëkati institucional”. Integrimi i tyre nuk ka kosto financiare për shtetin, por vlerë të trefishtë, sepse rrit të ardhurat, i mban të integruar në pikëpamje sociale dhe ndikon pozitivisht në profesionalizmin dhe karrierën e policëve të rinj, të cilët synojnë të dalin në pension nën uniformë. Nuk është risi, në botën e zhvilluar është praktikë e njohur përfshirja e policëve pensionistë deri dhe në misionet e huaja trajnuese të policive. Liderët e policisë luajnë një rol kritik në formësimin e kësaj kulture. Një lider që inkurajon empatinë, edukimin dhe bashkëpunimin, krijon një forcë policore që jo vetëm që është më efektive, por gjithashtu gëzon më shumë mbështetje dhe mirëkuptim nga publiku. Në të kundërt, një lider me mendësinë e një pitbulli, i fokusuar ekskluzivisht te pushteti dhe arrestimet, jo vetëm që i kufizon mundësitë e zhvillimit të institucionit, por kontribuon edhe në distancimin mes policisë dhe komunitetit që ajo supozohet të mbrojë.

IMAZHI DHE VLERAT E INSTITUCIONIT

Mënyra se si një institucion trajton policët e dalë në pension është një tregues i drejtpërdrejtë i kohezionit dhe vlerave që ai përfaqëson. Policët nuk janë vetëm zyrtarë të ligjit, janë prindër, miq, kolegë dhe qytetarë. Mungesa e respektit institucional përcjell një imazh ftohtësie e mosmirënjohës për qytetarët. Punonjësit e rinj të policisë kur vërejnë se ishkolegët lihen në harresë, shpërfillen, ose trajtohen pa dinjitet, pyesin veten: “A ia vlen të sakrifikoj për këtë punë?”, duke ndikuar negativisht në mënyrën se si e kryejnë detyrën e tyre dhe për pasojë, në perceptimin negativ të publikut për institucionin e policisë.

NË INTERES TË KOMUNITETIT

Për parandalimin e krimit në komunitet, si këshilltarë sigurie në strukturat e pushtetit lokal bëhen pjesë e programeve të ndërgjegjësimit qytetar për sigurinë publike. Ndërmjetësues mes policisë dhe qytetarëve për të ndërtuar besim dhe bashkëpunim.

NË SHËRBIM TË STRUKTURAVE POLICORE

Pensionistët me njohuritë dhe përvojat mund të ndihmojnë brezat e rinj në trajtimin e sfidave aktuale. Afrojnë trajnime e mentorime për policët e rinj, ndihmojnë në hartimin e politikave apo të marrin pjesë si këshilltarë në çështje të ndryshme. Arsyet e ngurrimit të ndonjë drejtuesi policie lidhen me mungesën e një akti ligjor që i jep hapësirë përfshirjes së pensionistëve të aftë fizikisht e mendërisht në strukturat ndihmëse e trajnuese të policisë. Disa drejtues zakonisht ambiciozë më shumë se duhet, ngurrojnë sepse mund të ndihen të kërcënuar nga prania e ish-kolegëve me përvojë, duke zgjedhur t’i mbajnë larg për të shmangur krahasime të pafavorshme. Por, nuk ka asnjë akt që të ndalojë kontaktet, takimet periodike dhe aktivitetet që përfshijnë pensionistët, sepse flitet për ura lidhëse midis brezave që ruan vlerat institucionale.

ROLI I IPA

IPA botërore e krijuar 75 vite më parë, pikërisht më 1 janar 1950, (ndërsa seksioni i Shqipërisë në shtator 2017) është një institucion që përmes miqësisë, komunikimit, aktiviteteve promovon mirëqenien mendore, emocionale dhe zhvillimin profesional të anëtarëve të saj që janë punonjës në detyrë dhe të liruar e në pension. Në këtë aspekt, IPA është një mekanizëm që ruan balancën midis profesionit dhe humanizmit. Nëse e shohim IPA-n dhe aktivitete të ngjashme si “qejf” apo “lukse”, atëherë largësia jonë nga standardet evropiane nuk është teknologjike apo strukturore, por mendore. Pa një mentalitet që kupton rëndësinë e zhvillimit të brendshëm dhe të mirëqenies së forcës policore, do të jetë e vështirë të arrijmë një standard të plotë evropian. Një polici që luan futboll, shijon një drekë në një ditëlindje apo në pensionim nuk e ka harruar misionin e saj kryesor. Këto momente janë “qetësues” për policinë hapësira ku stresi i grumbulluar përmes detyrave të rrezikshme dhe të tensionuara gjen rrugëdalje. Janë iniciativa që u japin mundësi policëve të ndajnë përvoja, të lidhen mes tyre si kolegë, por edhe si njerëz. Një trupë policore që funksionon si një familje e madhe është më e fortë, më kohezive dhe më e përkushtuar ndaj detyrës së saj. Ndarja e përvojave dhe ndjenjave me kolegët shpeshherë vlen për të lehtësuar ngarkesën mendore. Në këtë kuptim, IPA vepron si një psikolog kolektiv, duke ofruar një rrjet mbështetës që ndihmon në përballimin e stresit dhe traumës. Në përfundim, IPA është një institucion që ndihmon policët të qëndrojnë të ekuilibruar emocionalisht, të lidhen më ngushtë me njëri-tjetrin dhe të kujdesen për veten. Kjo e bën policinë jo vetëm më të fortë dhe të bashkuar, por edhe më humane dhe më të aftë për të shërbyer shoqërinë me zemër të hapur.

* President i IPA – Seksion Albania

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura