Pavarësia,Berisha:Aktivitete brenda e jashtë vendit

Jun 29, 2012 | 12:17

TIRANË-Festim dinjitoz brenda dhe gjithandej botës ku Shqipëria ka përfaqësitë e veta diplomatike ka premtuar kreu i qeverisë, Sali Berisha me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit.

Në mbledhjen e sotme të Komitetit, Berisha ka theksuar se ky 100 vjetor përkon me  disa ngjarje të mëdha.

“Ta festojmë në mënyrë dinjitoze dhe të përdorim fondet në mënyrë eficente. Të uniformojmë veprimtaritë dhe sigurisht që mund të zhvillojmë nga më të shumtat se kemi potenciale dhe pasuria për ta paraqitur, por duhet të jemi më racionalë, të bëjmë gjithçka që me fondet e vëna në dispozicion të arrijmë të kemi impaktin më të madh. Numër i madh aktivitetesh të parashikuara në kryeqytetet e vendeve të ndryshme të Evroopës e Botës, aty ku kemi përfaqësi do të kremtojmë 100 vjetorin dhe kjo është e padiskutueshme, ky festim të ketë impaktin më të madh”- tha Berisha.

Ai ka propozuar që të shihet mundësia për prezantim me filmin ‘Besa’, dhe me dokumentarin e aktores Eliza Dushku, duke respektuar të drejtat e autorit.

“Unë pata një eksperiencë të shkëlqyer ne muzeun e Holokaustit, filmi që u shfaq ‘Besa’ përbën nje vlerësim te pazëvendësueshëm për të paraqitur këtë komb. Në të gjitha veprimtaritë e mëdha të paraqitemi me këtë film, ky të transmetohet në rrjetet e profilizuara. Artistja Eliza Dushku ka një dokumentar të shkëlqyer për vendin. Ne duhet të bëjmë gjithçka të shqyrtojmë mundësitë për shfrytëzimin e dokumentarit”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura