
Rritet harta e lexuesve për librin “Zonja e zezë, Nexhmije Hoxha”. Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit në Çeki, shtëpia botuese “Nase Vojsko” hedh në treg për lexuesin monografinë e shkrimtarit dhe publicistit Fahri Balliu. Libri, çdo botim i të cilit është shoqëruar me kritika pozitive, është përkthyer në gjuhën çeke nga Hana Matousu dhe Ilir Allushi. Ashtu si në të gjitha botimet, edhe botimi çek shoqërohet nga parathënia e shkrimtarit Ismail Kadare. “Gratë e diktatorëve kanë pasur fate të ndryshme, disa prej tyre kanë qenë viktima, si gruaja e Stalinit, e cila iu kundërvu gjithmonë egërsisë së regjimit që kishte vendosur i shoqi, të tjera kanë qenë po kaq keqbërëse sa burrat e tyre, e një rast spikatës mishërohet tek zonja Mao, por edhe pse më pak e njohur se këto, Nexhmije Hoxha ishte më e poshtra ndër të gjitha, mund të themi se qe më e keqja”. Libri i publicistit Fahri Balliu “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha” është botuar në disa gjuhë. Prezantimi i parë me lexuesin perëndimor me këtë vepër ka qenë publikimi i editorit franko-zviceran “Le Favre”, më pas ka ardhur përkthimi në anglisht, botimi në rumanisht, nga botuesi më i madh në vend “Humanitas”, në maqedonisht nga shtëpia botuese “Serembe” dhe në turqisht nga enti më i madh botues në vend, “Hayat”. Për shumë kritikë, përfshi dhe kritikat e fundit nga shtypi çek, libri është një nga rrëfimet më të mira të bëra ndonjëherë për komunizmin. Libri konsiderohet si një akuzë e gjallë ndaj krimeve të komunizmit, si mënyra më e mirë për të kuptuar një filozofi të frikshme, me të cilën jetuan disa vende të Ballkanit.











