“Zogu do pranojë protektoratin, i dhimbset e shoqja”

Jul 6, 2012 | 14:02

Konti Ciano në një takim me Hitlerin

Ditët para pushtimit të Shqipërisë në ditarin e Çianos.

“Zogu e dashuron gruan e tij, besoj se ai do të preferonte të siguronte një të ardhme të qetë”

Kur dy forca të mëdha përplasen, në mes do të jenë gjithnjë të vegjlit. Kështu ka ndodhur me Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për të marrë “hakun” ndaj Gjermanisë që shtriu duart në territore të aneksuara nga Italia, këta të fundit vendosën të pushtojnë Shqipërinë. Në ditarin e tij, ministri i Jashtëm fashist, Galeazo Çiano, tregon ditë pas dite planet për pushtimin e Shqipërisë, druajtjen nga reaksioni i Jugosllavisë dhe stepjen për të mos qenë të parët që do të nisnin Luftën Botërore. Në këtë pjesë të ditarit të dhëndrit të Musolinit, publikuar nga Robert Elsie, sipas origjinalit të botuar së pari në Londër në vitin 1947, tregohen pikërisht ditët para pushtimit.

5 mars, 1939

Kopertina e librit - Ditar

Ngjarjet precipituan gjatë natës. Pas një takimi midis Hitlerit, Hachas dhe Chwalkoskyt, trupat gjermane filluan pushtimin e Bohemisë. Çështja është serioze, sidomos pasi Hitleri i kishte siguruar të gjithë se ai nuk donte të aneksonte as edhe një çek të vetëm. Ky veprim gjerman nuk shkatërroi Çekosllovakinë e Versajës, por atë që u ndërtua në Mynih dhe në Vjenë. Çfarë peshe mund t’u jepet në të ardhmen këtyre deklaratave dhe premtimeve, të cilat na shqetësojnë në mënyrë direkte? Është e kotë të mohosh që të gjitha këto shqetësojnë dhe poshtërojnë popullin italian. Është e nevojshme t’i japim atyre kënaqësinë dhe kompensimin:  Shqipërinë. Fola në lidhje me këtë me Duçen, të cilit i shpreha bindjen time se në këtë kohë nuk do të gjejmë pengesa vendore, as komplikime serioze ndërkombëtare në rrugën e avancimit tonë. Ai më autorizoi t’i dërgoj një telegram Jakomonit, duke i kërkuar të përgatisë revoltat lokale, ndërsa ai personalisht urdhëroi  Marinën të mbajë të gatshëm skuadronin e dytë në Taranto.
Fola me Cavagnarin dhe pasi dhënies së udhëzimeve telegrafike  Tiranës, isha në gjendje të flas në telefon me Jakomonin, i cili ishte duke shkuar në rrugën e tij në seli. Ai tha se nesër ai do të na çojë telegram mbi atë çka mund të bëhet. Ai parashikon dorëzimin e këtij ultimatumi Mbretit: ose ai pranon ardhjen e trupave italiane dhe kërkon një protektorat, ose trupat do të mbërrijnë gjithsesi. Fola përsëri me Duçen dhe ai m’u duk më pak i qetë në lidhje me operacionin.
E takova përsëri Duçen vonë pasdite. Ai është plotësisht i vetëdijshëm për reagimin armiqësor të popullit italian, por ai pohon se ne duhet, veç të tjerash, të pranojmë mashtrimin gjerman me dinjitet për të shmangur “mërzitjen e Zotit dhe armiqtë e Zotit gjithashtu”. Ai përmendi përsëri mundësinë e një goditjeje në Shqipëri, por është ende e dyshimtë. Edhe nëse nuk ndodh pushtimi i Shqipërisë, sipas mendimit të tij, si kundërpeshë në sytë e opinionit publik botëror do të shërbejë inkorporimi në Rajhun e Bohemisë, një nga territoret më të pasura të botës. Për më tepër, për admiral Cavagnarin, të cilin Duçe e priti para meje, ai bëri vetëm pyetje të përgjithshme në lidhje me mundësinë për të bërë një zbarkim, por nuk dha udhëzime të asnjë lloji. Shumë keq! Unë jam i bindur se zbritja jonë në Shqipëri do ta kishte ngritur moralin e vendit dhe do të kishte qenë një rezultat efektiv për politikën e Boshtit, pas së cilit ne mund të rishqyrtonim politikën tonë në lidhje me Gjermaninë, hegjemonia e së cilës po bëhet e bezdisshme.

16 mars, 1939
Musolini më thirri në Villa Torlonia në orën nëntë të mëngjesit. Dukej i zymtë. Tha se kishte menduar një marrëveshje të madhe gjatë natës dhe se kishte dalë në përfundimin se operacioni shqiptar duhet të shtyhej, sepse i trembej prishjes së unitetit të Jugosllavisë, kjo mund të favorizonte një Kroaci të pavarur nën sundimin gjerman, i cili do të thotë se Ustasci do të jetë në Sussak. Nuk ia vlen të marrim këtë rrezik për ta pasur Shqipërinë, ne mund ta kemi kur të duam. Mund të kuptoja se Musolini e kishte mbledhur mendjen, nuk ia vlente të insistoje. Urdhërova Jakomonin të linte gjithçka. Mbajta një shënim me shkrim nga ana e Duçes, në të cilën ai rendit arsyet për shtyrjen e veprimit në Shqipëri.

23 mars, 1939

Mbretëresha Geraldinë me të birin e porsalindur, Princ Lekën

Duçja ka vendosur të lëvizë më shpejt për çështjen shqiptare, dhe ai vetë ka hartuar marrëveshjen e planifikuar, e cila është shumë e shkurtër, e përbërë nga tre pika të thata, që të japin më shumë përshtypjen e një akt-pushtimi, se sa të një pakti ndërkombëtar. Ndërkohë jam duke përgatitur gjithashtu një me Vitettin. Kjo është një marrëveshje e cila, edhe pse shprehet në terma kortezie, do të na lejojë të aneksojmë Shqipërinë. Duçja e  miratoi atë. Ose Zogu pranon kushtet që ne kemi vënë para tij, ose ne do të ndërmarrim pushtimin ushtarak të vendit. Për këtë qëllim, ne tashmë jemi duke mobilizuar dhe përqendruar në Pulia katër regjimente të qitësve, një divizion këmbësorie, repartet e forcave ajrore dhe gjithë skuadrën e parë detare.
Chamberlain i ka dërguar një letër Duçes. Ai shpreh shqetësimin e tij mbi situatën ndërkombëtare dhe kërkon ndihmën e Duçes në rivendosjen e besimit reciprok dhe për të siguruar vazhdimësinë e paqes. Musolini do të përgjigjet pasi të ketë goditur Shqipërinë. Kjo letër përforcon vendimin e tij për të vepruar, sepse në të ai gjen një tjetër dëshmi të inercisë së demokracive.
24 mars, 1939
Diskutova me Duçen dhe Parianin planin tonë për veprim në Shqipëri. Ramë dakord që nuk është e këshillueshme të dërgojmë një ultimatum menjëherë, por më mirë të fillojmë negociatat tona me Mbretin Zog. Nëse ai mundohet të rezistojë, apo të na sjellë vërdallë, ne do të përdorim forcën. Duçe u shqetësua për reagimet e Beogradit, të cila për shumë arsye, duhet të minimizohen.

25 mars, 1939
De Ferraris u nis për në Tiranë, duke marrë me vete draft-marrëveshjen për protektoratin. Nuk është ende e mundur të parashikosh se çfarë zhvillimesh do të ketë, por me shumë gjasë Mbreti Zog do të pranojë. Ka një fakt mbi të cilin unë i kam sytë: lindja e fëmijës së Zogut. Zogu e dashuron gruan e tij dhe në fakt tërë familjen e tij, shumë. Unë besoj se ai do të preferonte të siguronte një të ardhme të qetë për njerëzit e tij të dashur. Dhe, sinqerisht, unë nuk mund ta imagjinoj Geraldinën duke rendur mes luftimeve nëpër malet e Unthit ose Mirditës, në muajin e saj të nëntë të shtatzënisë.

28 mars, 1939
De Ferraris u kthye nga Shqipëria me një memorandum nga Jakomoni. Duket se mbreti është duke bërë dredhi. Përgjigja e tij është po, dhe pastaj ai u përgatit t’u thotë jo ministrave të tij. Megjithatë, makina është në lëvizje dhe nuk mund të ndalojë. Ose ajo do të funksionojë me Zogun, ose ndryshe, kundër tij. Për shumë arsye, kryesisht për shkak se ne italianët nuk duam të jemi të parët që të fillojmë luftën në Europë, unë do të preferoja alternativën e parë, por nëse Zogu nuk dorëzohet, do të jetë e nevojshme të përdorim armët.
Demonstrata në “Piazza Venezia” për shkak të rënies së Madridit. Duçe është i gëzuar. Duke më treguar një atlas të hapur në hartën e Spanjës, më tha: “Ka qenë e hapur kështu për gati tre vjet, dhe kjo është e mjaftueshme. Por unë e di se tashmë duhet të hapet në një faqe tjetër”. Ai ka në mendje Shqipërinë.

29 mars, 1939
Kam pasur dy takime me Duçen për të marrë vendime në lidhje me Shqipërinë. Duke qenë se është duke u nisur për në Kalabri, dhe do të kthehet të shtunën, ai këmbënguli të bënim një përmbledhje të situatës: 1) Ushtria, Marina, Forcat Ajrore vazhdojnë përgatitjet e tyre. Ata do të jenë gati të shtunën. (2) Ndërkohë Jakomoni duhet të ushtrojë presion diplomatik mbi Mbretin, duke raportuar efektet e tij. (3) Në një pikë të caktuar, përveç nëse ai heq dorë para kësaj, ne do të dërgojmë anijet tona në ujërat territoriale të Shqipërisë dhe të paraqesim një ultimatum. (4) Nëse ai vazhdon në refuzimin e tij, ne do ngremë fiset në revoltë, publikojmë deklaratat tona, dhe zbarkojmë. (5) Pasi të kemi pushtuar Tiranën, ne do të mbledhim krerët shqiptarë në një  Asamble Kushtetuese, të cilën do ta kryesoj unë, dhe do t’i ofroj kurorën e Shqipërisë Mbretit të Italisë.
Askush nuk do të protestojë. As Jugosllavia, e cila është shumë e preokupuar me ngjarjet e fundit në Kroaci. Këtë mbrëmje bisedova gjatë me Christic-in: I dhashë atij garanci të mjaftueshme në lidhje me Kroacinë, por kishte rezerva në lidhje me Shqipërinë. Nuk kishte asnjë kundërshtim, ai propozoi si kusht që Shqipëria të mos përdoret për sulm ndaj Jugosllavisë.
Badoglio shkoi te Duçja për t’i thënë se ishte dakord me të për çështjen shqiptare; sugjerimi i tij i vetëm ishte që të mobilizohen forca të shumta. Ne do të mobilizojë një divizion shtesë, dhe gjithashtu një batalion tankesh.

31 mars, 1939
Pas një serie të gjatë diskutimesh pak a shumë të padobishme, ndër të tjerë me Spoleton dhe Suardon, pata një takim me Parianin, Jakomonin dhe Guzonin, i cili ka qenë emëruar komandant i Forcave Zbuluese në Shqipëri. Jakomoni nuk kishte asnjë arsye të veçantë për të ardhur në Romë, me përjashtim të faktit që ndoshta me mungesën të tij do të qetësonte pak atmosferën në Tiranë, e cila ishte shumë e nderë. Duket se Mbreti ka vendosur të refuzojë nënshkrimin e një traktati, i cili zyrtarisht dhe në thelb shkel integritetin dhe sovranitetin e Shqipërisë. Pariani tha se preferonte më mirë një qëndrim të tillë që jep mundësinë e një zgjidhjeje përfundimtare të çështjes shqiptare. Ne studiuam planin ushtarak të fushatës dhe bashkëkoordinimin e ngushtë me lëvizjet diplomatike. Duket se ky koordinim është i mundshëm. Por, Jakomoni u kthye pasdite pas takimit me shefat ushtarakë për të më dhënë përshtypjet e tij shqetësuese në lidhje me organizimin e forcave zbuluese. Duket se ata nuk mund, me gjithë përpjekjet e tyre, të ngrenë një batalion me motoçiklista profesionistë, të cilët mund të bëjnë një hyrje surprizë në Tiranë. Vështirësi të paparashikuara po lindin edhe në lidhje me operacionin e zbarkimit. Ndërkohë, lajme nga Tirana konfirmojnë faktin se mbreti po përgatitet për të rezistuar – një fakt që më mërzit shumë, sepse e konsideroj mjaft të rrezikshme të hap zjarrin e parë në këtë Europë të trazuar dhe të ndezur. Duçe do të mbërrijë nesër pasdite, dhe deri atëherë vendimet e tij nuk mund të ndryshohen. Ndërsa po pres, po udhëzoj Jakomonin të përgatisë një draft-marrëveshje, që sipas tij mund të pranohet nga Mbreti Zog.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura