
Policia e Vlorës sekuestroi dje 108 kg lëndë narkotike kanabis sativa dhe arrestoi si posedues të saj dy vëllezër. Blutë organizuan herët në mëngjes operacionin e koduar “Zgjimi”, pas informacioneve të grumbulluara në rrugë operative. Agjentët e Antidrogës kanë mbajtur në survejim situatën prej një jave dhe vendosën ndërhyrjen në momentin e vlerësuar prej tyre. Burime të Policisë bënë të ditur se kanë ushtruar një kontroll në disa banesa të fshatit Velçë të Vlorës. “Si rezultat i kontrollit të banesave të shtetasve Edlir Ibrahimaj, 41 vjeç dhe vëllait të tij Androkli Ibrahimaj, 42 vjeç, është bërë e mundur kapja dhe sekuestrimi i 108 kg lëndë narkotike canabis sativa”, bëri të ditur Policia. Mësohet se 93 kg lëndë narkotike u kapën në banesën e Edlir Ibrahimaj, dhe 15 kg të tjera u sekuestruan në banesën e të vëllait, Androkliut. Gjithashtu nga kontrolli përreth banesave të tyre, janë gjetur edhe rreth 91 fidanë bime narkotike “canabis sativa”, të cilat ishin të vendosura në gota plastike. Një pjesë tjetër ishte e mbjellë në tokë, ndërsa u zbuluan edhe farë bime narkotike. Pas sekuestrimit të lëndës, e cila ishte futur në thasë, blutë arrestuan vëllezërit Ibrahimaj, të cilët akuzohen tashmë për kryerjen e veprës penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “kultivim i bimëve narkotike”. Burime të Policisë bënë të ditur se gjatë këtyre ditëve ka nisur aksioni për të parandaluar mbjelljen e fidanëve të kanabisit, shkatërrimin e sasive që mund të jenë mbjellë, si dhe kapjen e sasive që mund të mbahen nga persona në banesat e tyre, kryesisht në zonën e lumit të Vlorës. Fshatrat e lumit njihen si zona mjaft problematike për sa i përket kultivimit të bimës narkotike. Me gjithë kontrollet e herëpashershme të Policisë si dhe arrestimet e disa banorëve, sërish në këto fshatra vijon të mbillet bima e ndaluar. Policia bëri të ditur se kontrolli i realizuar ditën e djeshme u bë pas sinjaleve se në fshatin Velçë disa banorë kishin mbjellë drogë. “Kontrollet do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme, jo vetëm në Velçë, por edhe në disa fshatra të tjera të dyshuara”, bënë të ditur burime nga Policia. Ende nuk është konfirmuar se cili ishte destinacioni i lëndës, por paraprakisht burimet hetimore bënë të ditur se ka dyshime që droga kishte destinacion Italinë. Pak ditë më parë, Policia e Gjirokastrës sekuestroi 500 kilogramë drogë që ishte kultivuar në Lazarat. Operacioni u realizua në tri faza, pasi një pjesë e mallit kishte destinacion Greqinë, ndërsa një tjetër Italinë. Në kufi me fshatrat e Vlorës, blutë arrestuan dy persona nga Vlora, të cilët sasinë e drogës që kishin marrë në Lazarat, po tentonin ta trafikonin drejt Italisë.
VLORE/ QEMAL BIRAKU











