Mësim me turne për 2000 nxënës në gjimnaze dhe më shumë se 1/3 e nxënësve të shkollave 9-vjeçare.Në të tilla kushte do të nisë viti i ri shkollor në Tiranë. Por, ndërsa në një pjesë të shkollave ka dyndje, në të tjera ka ambiente të lira. Drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu, në intervistën e tij për gazetën shpjegon arsyet e kësaj mbingarkese, si dhe disa prej zgjidhjeve që mund të çonin në zbutjen e problemit.
Zoti Vejsiu, a ka MASH një numër të saktë të nxënësve dhe të shkollave që do të zhvillojnë mësimin me turne në vitin e ardhshëm shkollor?
MASH ka ngritur një grup pune që ka kryer një studim për mënyrën si janë shpërndarë nxënësit në shkollat e mesme dhe ato 9- vjeçare. Sa u përket gjimnazeve, janë 6 gjimnaze ku sërish do të kemi mësim me turne. Bëhet fjalë për 2100 nxënës, të cilët do të shkojnë në shkollë pasdite. Ndërsa shkolla 9-vjeçare janë 20. Tek këto të fundit situata paraqitet më problematike. Janë rreth 1/3 e nxënësve që do të zhvillojnë mësim në turnin e dytë.
Cilat janë sipas jush arsyet e kësaj mbingarkese?
Sidomos për gjimnazet, aryseja në të cilën kanë dalë edhe specialistët tanë është përqendrimi i nxënësve në shkollat më me emër. Është një tendence e prindërve dhe e vetë atyre që duke parë rezultatet që kanë pasur ndër vite këto shkolla duan patjetër të regjistrohen aty. Kjo ka rritur fluksin dhe ka bërë që të ketë mbingarkesë. Ndërkohë që në shkolla të tjera, ne kemi ambiente të lira. Pra, me një rishpërndajre më të mirë të nxënësve them se do të kishim një zbutje të kësaj problematike.
Zbutje, por jo zgjidhje të problemit. A është e nevojshme ngritja e shkollave të reja në metropol?
Pa diskutim është domosdoshmëri. Ajo do të ishte zgjidhja përfundimtare e fluksit në shkolla. Duhet të keni parasysh se Tirana është mbipopulluar dhe sidomos në disa njësi vendore duhen patjetër shkolla të reja. Nga analiza që ka bërë grupi i punës i ngritur në MASH për këtë problem, është konkluduar se Njësia 7, Njësia 1, Njësia 8 dhe Njësia 5 janë ato me të populluarat ku lind nevoja e ndërtimit të shkollave të reja.
Ju thatë se ka ambiente të lira, të cilat kryesisht rezultojnë të jenë në shkolla periferike, a duhet ndonjë ndryshim politikash apo masash që duhen marrë që të rritet frekuentimi në këto shkolla?
Pasi të përfundojmë studimin, do të hartohet një plan ndërhyrjeje. Siç jua thashë, grupi i punës është ngritur enkas për të parë si është planifikuar regjistrimi i nxënësve në shkolla dhe cilat janë arsyet. MASH do të ofrojë trajnime për mësuesit, në mënyrë që të rritet cilësia e mësimdhënies. Aktualisht kemi 21 ambiente të lira në gjimnaze dhe rreth 90 ambiente të lira në shkollat 9-vjeçare. E ritheksoj se me një rishpërndarje më të mirë edhe nga vetë drejtuesit e shkollave, të cilët nuk duhet të pranojnë nxënës jashtë kapaciteteve që ka shkolla, Tirana nuk do të ketë këtë lloj mbingarkese. Duhet ta kuptojnë të gjithë se në një qytet me 1 milion banorë nuk mund të studiojnë të gjithë në 5 shkolla të mesme apo 10 shkolla 9- vjeçare. Është e pakuptimtë.
Regjistrimet, vetëm sipas vendbanimit
MASH ka vendosur të forcojë rregullat e regjistrimit në arsimin parauniversiter. Nuk do të tolerohen më regjistrime në shkolla sipas preferencave, por vetëm sipas vendbanimeve. Tolerancë do të ketë vetëm për raste shumë të veçanta të nxënësve të shkëlqyer… Do të lihet një përqindje tolerimi 3-5%. Janë 23 klasa nëpër gjimnazet e Tiranës që rrinë bosh, të pashfrytëzuara, as turn i parë, as i dytë”, theksoi drejtori i Arsimit Parauniversitar. Ai tërhoqi vëmendjen për datat e regjistrimit, në veçanti për ata që do të ulen për herë të parë në gjimnaze. “Nuk mjafton vetëm regjistrimi i emrit në një shkollë të caktuar, por duhet të plotësojnë një formular që shkolla të marrë masa për përgatitjen, ndarjen e klasave, ofertat që i jepen, për interesat që kanë fëmijët, kështu që domosdoshmërisht periudha e regjistrimit të gjimnazit fillon jo më vonë se 1 shtatori dhe mbaron më datë 9 shtator”, sqaroi drejtori i Arsimit Parauniversitar. Këtë vit, mësimi në sistemin parauniversitar është parashikuar të fillojë në datën 12 shtator. Drejtoria Arsimore e Tiranës ka ngritur disa herë shqetësimin për fluksin e madh në gjimnazet e mëdha të Tiranës. Këtë problem e kanë edhe vetë prindërit, të cilët shprehen se mësimi me turne nuk i shërben aspak mësimnxënies së mirë të fëmijëve të tyre.
Mbingarkesa
Mësim me turne në Tiranë:
Në 6 gjimnaze
Janë 2100 nxënës
Janë 60 klasa
Gjimnazet:
“Ismail Qemali”
“Sami Frashëri”
“Qemal Stafa”
“Partizani”
“Arben Broci”
“Sinan Tafaj”
20 shkolla 9-vjeçare me turne nga 57
1/3 e nxënësve në shkollat 9-vjeçare, turn II
Duhen shkolla
të reja në:
Njësinë vendore Nr. 7
Njësinë vendore Nr. 1
Njësinë vendore Nr. 8
Mjedise të lira:
Shkollat 9-vjeçare
90 klasa
Gjimnazet
21 klasa
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











