“Vramë 24-vjeçarin për vëllanë”

Jun 13, 2012 | 15:14
Vendi ku u vra 24-vjeçari në Rubik

Gjykata e Lezhës la dje në “burg pa afat” dy vëllezërit nga Rubiku, Arjan dhe Plaurent Përlala, 40 dhe 28 vjeç. Ata dolën para togave të zeza, ku iu komunikua masa e sigurisë dhe akuza për vrasje. Dy furgonë të Policisë i kanë transportuar ata, ndërsa ishin marrë masa edhe në ambientet e Gjykatës për të evituar ndonjë hakmarrje të mundshme nga të afërmit e 24-vjeçarit Nik Tuci, i cili u vra mbrëmjen e së shtunës. Në sallë nuk ishte asnjë familjar i vëllezërve. Vëllezërit Përlala u shoqëruan edhe nga efektivë të Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa ishin marrë masa që gjatë kësaj periudhe të mos kishte asnjë hyrje-dalje për në Gjykatë. Ata pranuan krimin, duke deklaruar se kjo ka qenë mënyra e vetme për të marrë gjakun e vëllait të tyre, por nuk kanë saktësuar se cili prej tyre kishte qëlluar me breshëri automatiku ndaj 24-vjeçarit Nik Tuci. “E vramë për të marrë hakun e vëllait”, kështu kanë deklaruar në sallë vëllezërit, pa dhënë asnjë detaj tjetër në lidhje me autorësinë.  Arjan Përlala u kap disa orë pas vrasjes në malin e Rubikut, jo shumë larg nga vendi i ngjarjes, ndërsa Plaurent Përlala u vu në pranga në malet e Burrelit teksa tentonte të largohej. Pas komunikimit të masës së arrestit, avokati mbrojtës i dy vëllezërve Përlala pranoi fajësinë e klientëve të tij. Ata u shoqëruan nga dy furgonë dhe janë transportuar për në Burgun e Shënkollit deri në përfundim të procesit gjyqësor. Vëllezërit Përlala vranë me armë zjarri për motive gjakmarrjeje Nik Tucin, 24 vjeç nga Rubiku, ngjarje e cila ndodhi brenda një lokali në dalje të qytetit. Prezentë në momentin e kryerjes së krimit ishin edhe disa persona të tjerë, të cilët do të jenë edhe dëshmitarët kryesorë të kësaj ngjarjeje. Vëllezërit Arjan dhe Plaurent Përlala morën hak për vrasjen e vëllait të tyre nga Fatmir Tuci, vëllai i viktimës. Ngjarja ndodhi më 25 dhjetor të vitit 2007. Fatmir Tuci humbi jetën rreth 2 muaj më parë nga një sëmundje e pashërueshme, por vdekja e tij nuk e shmangu gjakmarrjen.                   gj.f

Precedentët
Dy krime të rëndë u shënuan brenda pak ditësh në qarkun e Lezhës. Njëra prej tyre ndodhi më 5 qershor, kur pas një grindjeje u sulmua me automatik makina e një 22-vjeçari në Mamurras. Për pasojë humbi jetën nipi i shoferit, vetëm 9 vjeç. Një person u arrestua, ndërsa vëlla i tij është ende në kërkim. Katër ditë më vonë u regjistrua për motive gjakmarrje në një zonë të Rubikut një 24-vjeçar, ngjarje për të cilën u vunë në pranga të dy autorët e dyshuar.

© Panorama.al

Te lidhura