“Vjedhjet e grabitjet u rritën me 500%, s‘ka strategji parandalimi”

Sep 7, 2012 | 13:46

TIRANE – Institucionet janë të pandjeshme ndaj rritjes drastike të krimeve të vjedhjes. Sipas raportit të IDN, ndërsa ndjeshmëria për sigurinë e operatorëve ekonomikë, ndonëse e paqëndrueshme, gjithsesi ka qenë e lartë pas çdo serie në rritje vjedhjesh, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për të dhënat e kategorizuara nën “vjedhje të tjera”. Në raport thuhet se mbetet ende e pashpjegueshme mungesa totale e vëmendjes nga ana e institucioneve përgjegjëse, madje përballë shifrash të cilat arrijnë deri në pesëfish për tremujore të caktuara. “Për shembull: të dhënat për numrin e “vjedhje të tjera” në tremujorin e fundit të 2011-s, krahasuar me tremujorin e fundit të 2008-s, shënojnë një rritje prej thuajse 500%. Jo më pak alarmante shfaqet situata në lidhje me tendencat e veprës penale “vjedhje me dhunë” përgjatë periudhës së fundit katërvjeçare. Kjo vepër penale ka shfaqur prej kohësh një tendencë rritjeje me mbi 100% për tremujorë të caktuar”, thekson raporti. Sipas IDN, mungesa e një strategjie të qartë parandaluese, si edhe faktorë të tjerë  si kushtet e vështira ekonomike jo pak të ndikuara edhe nga kriza botërore, politika konfliktuale në vend e cila, ndryshe nga viti 2008, në periudhën 2010–2011 që ka zhvendosur ndjeshëm energjitë e institucioneve, kanë ndikuar në këtë situatë. Duke analizuar më tej edhe në korrelacion me shifrat në rritje për vepra të tjera penale, është e qartë se dhuna fatale në rastet e vjedhjeve të regjistruara në muajt e fundit ka qenë e paralajmëruar të paktën prej dy vitesh”, thuhet në raport. Sipas tij, në fushën e vjedhjeve vihet re një pasaktësi dhe një mungesë e strategjive gjithëpërfshirëse të institucioneve në parandalimin e kësaj lloj vepre penale.

© Panorama.al

Te lidhura