“Vetullat hyjnore” të Moikom Zeqos, parabolat e ankthit

Sep 2, 2012 | 10:46

FATMIR MINGULI

Libri “Vetullat Hyjnore” të Moikom Zeqos (shtëpia botuese “Bota shqiptare”, 2012) është bleu i dytë i “Refuzimit të shkrimit” (“Dituria”, 2011).
Lidhja midis këtyre dy librave është genuine dhe e plotë, për arsye të një binjakërie konceptuale, të stilit, të substancës.
Libri “Vetullat hyjnore” ka si nëntitull “Proza nga kalendari i imazheve”. Ja ç’shkruan vetë autori në Post-Scriptum-in e librit: “Pse nëntitulli i këtij libri është “Proza nga kalendari i imazheve”? Nuk kam një përgjigje përfundimtare, mbushamendëse deri në fund. Libri e ka brenda një kalendar (hapësirë kohore gati gjysmë shekulli). Ka epoka të ndryshme, kundërshti, përplasje, vetëshkatërrim, kohë gjeologjike dhe kohë efemere. Por pa respektuar kronologjinë lineare.
Pra, përsëri proza nga kaosi për një afërsi konceptuale të vetëkuptueshme, të brendabrendshme, pranuese dhe përjashtuese siç janë të gjitha ngjizjet, protoplazmat. Personazhet e këtij libri janë të maskuar.
Ata janë kundërshtimi i vetmisë njerëzore ndaj indiferencës hyjnore. Janë meditim për vdekjen… Libri si lëndë është matricë tipografike, por që mbart, nxjerr ose thith imazhe të pafundme. Personazhet e këtij libri, sado të abstraguar, janë imazhe. Stili është imazh.”
Duke hulumtuar prej një kohe të gjatë librat e Moikom Zeqos, kam shkruar disa herë për këtë shkrimtar dhe krijimtarinë e tij në funksionin dhe operacionalizimin e një kritike letrare të mirëfilltë, pra të një “estetike lëvizëse”. Por ka qenë e vështirë edhe për shkak të ndërlikueshmërisë së veprës moikomiane.
Libri “Vetullat hyjnore” plotëson koleksionin e librave me prozë të shkurtër të Moikom Zeqos si “Fjalëkryqet e Babilonisë”, 2004, “Njeriu jeshil”, 2007, “Gjumashët e Efesit”, 2008, “Perëndia!”, 2008, “Adami i fshehur”, 2009, “Shitësit e kaosit” 2010, “Klepsidra”, 2011 etj. etj. Ky koleksion duket si një pafundësi motivesh, subjektesh, sinopsesh.
Akademiku Rexhep Qosja ka shkruar: “Kërshëria mendore e Moikomit është e jashtëzakonshme; letërsi, mitologji, pikturë, histori, arkitekturë, arkeologji, politikë, gjuhësi. Është eseist me dhunti të gjithanshme, erudit i madh. Di shumë dhe shkruan shumë. Di shumë dhe dijen e përhap edhe gjatë bisedës e jo vetëm në libra”. Kështu vizatohet një profil. Profili i këtij autori të rëndësishëm dhe unikal, kaq i veçantë dhe i shumëfishtë në letrat shqipe.
Moikomi është krijues “i tjetërllojtë”. Arti i tij spikat. Natyrisht po ndikon edhe te të tjerët. Vëmendja ndaj Zeqos është rritur. Për librat e tij këto dhjetë vitet e fundit janë bërë shumë shkrime, ese, madje dhe disa libra.
Moikom Zeqo shkruan: “Historia është farsa që e luajmë të gjithë pa përjashtim. Kjo lind revoltën metafizike si kriticizëm të thellë ndaj përditshmërisë. Revolta bën vetëdijen. Revoltohemi, prandaj jemi! Ah, ‘cogito’ e Descartes-it! Ndryshe bota do të ishte bosh, pa indikacione. Pa kuptimshmëri!”.
Ky autor nuk rrëfen, thjesht zbulon. Tematika e tij nuk ka kufi.
Në këtë libër më të ri të Zeqos lëvizin kohërat, problematikat, qytetërimet.
Akademiku Ali Aliu e ka vënë re që herët këtë karakteristikë, kur ka theksuar se “Rrëfimet në prozë të Zeqos janë një kopsht i madh erudicioni, kulturash dhe qytetërimesh. Proza e tij me dije të gjerë, me momente si të shkëputura dhe pezull në kohë dhe në hapësirë, të kundërta dhe përjashtime, nën pushtetin e imagjinatës të thuash “të çmendur” të autorit vihen në një fill të përbashkët, edhe atëherë kur kjo duket e paimagjinueshme. E bën këtë me lehtësinë e një magjistari që kërcen e lëviz nëpër shekuj e hapësirë si në kopshtin e vet”. Kjo duket qartë.
Kjo e bën stilin e Moikomit, stilin e fjalive lakonike, gati si të formuluara matematikisht. Në këtë stil paradoksi është gati një kategori konceptuale, plot lëvizje, shpërthime, tkurrje, përhapje imazhesh, kundërshtish të pafundme.
Është shumë e vështirë dhe e ndërlikuar të arrihet te një optikë e tillë.
Me një kuptim më të gjerë, proza e shkurtër e Moikom Zeqos është ciklike, subjektet përplasen dhe plotësojnë njëri-tjetrin.
Autori i shmanget ligjërimit linear dhe i afrohet zhanrit të përzier, zhanrit kolazh (siç është fjala vjen piktura kolazh e Brakut ose Magrittit).
Zeqo operon me imazhet dhe raportet e tyre mendore. Një shkrimtar i vërtetë i shton imazhet e tij botës paraardhëse, por edhe botës pasardhëse. Kjo është lënda dhe simboli i referencës.
Duke lexuar në italisht këto ditë një libër me studime të Umberto Eco-s më tërhoqi vëmendjen një fragment, ku Eco shtjellon idetë e letërsisë në epokën globale.
Eco mendon se për shkak të triumfit sinkretik të imazhit dixhital letërsisë i duhet të rigjenerojë statusin e saj, ndaj proza bashkëkohore, nënvizon Eco, nuk i mbyll, por i hap kufijtë e saj, kështu rrëfimi dhe shkrimi eseistik e bëjnë një “martesë mendimi dhe mbijetese”.
Kthimi te stili i Volterit duket se parapëlqehet, duke shkathtësuar subjektet sa të letërsisë, aq dhe të filozofisë. Çuditërisht libri “Vetullat hyjnore” është në këtë shteg lëvizës.
Te prozat e Moikom Zeqos filozofia letrarizohet dhe letërsia filozofizohet. Një prerje e tillë vepruese e stilit të Moikomit parakupton lexuesin e specializuar, lexuesin e ditur. Pra, një prerje tjetër konceptuale nga lexuesi i zakonshëm, i quajtur “masiv”.
Parabola tipike e librit, rrëfimi fantazmagorik “Vetullat hyjnore” flet për një personazh krejt të parëndësishëm, personazhin MXC i cili jeton i vetmuar, në varfëri dhe harrim të plotë. Befas vetullat e tij shndërrohen në brirthë prej ari. Ja bëjnë operacion, por brirthët nuk zhduken, ripërtërihen.
Kështu ai vdes i mbuluar prej një maske prej ari, duke e sfiduar anonimatin e tij të vrazhdë dhe të pashpirt.
Atëherë, ç’është ky personazh kafkian? Ç’përfaqëson në një shoqëri të mediatizuar? Humanitetin (njerëzoren) e shkatërruar dhe të infektuar të shoqërisë, ku kulti i parasë ka zvetënuar gjithçka? Njeriun e thjeshtë, të përbuzur?
Pyetjet shtojnë ankthin.
Metafizika e prozës së Moikom Zeqos është ajo e ankthit, për të mos u zhbërë shpresat, vizionet për një ardhmëri me të vërtetë të humanizuar. Kjo e fisnikëron artin. Njëkohësisht e universalizon.
Libri “Vetullat hyjnore” e pasuron krijimtarinë e Moikom Zeqos, korpusin e tij me proza të shkurta, jo aq në plotësimin e koleksionit sesa në konceptualitetin artistik në një rrafsh të gjerë e të hapur.
*Autor i disa librave me kritikë letrare dhe ese

© Panorama.al

Te lidhura