
Zef Vuksani, djali i xhaxhait të Balë Vuksanit, kandidatit të PS-së për komunën e Shalës, i cili mbeti i plagosur pasditen e së shtunës, e ka akuzuar kryekomunarin Dedë Tonaj si autorin e ngjarjes.Nga spitali i Shkodrës, ku ai po mjekohet, i ka kërkuar Policisë dhe Prokurorisë së Shkodrës arrestimin e Dedë Tonajt duke vendosur në vend drejtësinë, pasi e cilëson si autorin e vërtetë të plagosjes së tij. “Në të kundërt, kjo do të krijojë terren për një vetëgjyqësi”, ka pohuar ai, mbështetur nga vëllai. Gjatë një rrëfimi të tij për mediat, Zef Vuksani ka treguar se autori i vërtetë i plagosjes së tij është vetë kreu i komunës, Dedë Tonaj, dhe jo xhaxhai i tij, Kola, duke u qëlluar dy herë me pistoletë dhe një prej plumbave e ka marrë atë në këmbë. “Unë isha nisur në drejtim të ndërmarrjes së fermentimit për të pritur disa bashkëfshatarë të mi nga Shala, të cilët do të më sillnin disa rroba. Sapo kisha mbërritur te vendi ku kalonin furgonët, menjëherë kanë mbërritur Dedë Tonaj, së bashku me nja 3-4 veta të tjerë. Ata janë ulur prej makinës së Dedës dhe kanë kërkuar që të largohem prej andej. ‘Kot e keni, – më thanë, – se prapë nuk keni me fitu’, dhe më kërcënuan me jetë. Unë u thashë nëse nuk u kisha gjë borxh, si fituam, si nuk fituam, unë jam duke ndenjur në punën time. Në këtë kohë Deda ka nxjerrë pistoletën, e ka mbushur dhe më ka qëlluar dy herë në sy të policëve që kishin mbërritur në vendin e ngjarjes, si dhe të njerëzve kureshtarë (të cilët kishin ndaluar për të parë se çfarë po ndodhte), duke më plagosur në këmbë. Pas kësaj Deda ka hipur në makinë dhe është larguar pa i thënë asgjë asnjëri prej policëve”. Më tej Zef Vuksani sqaron se gjer tani nuk ka pasur asnjë konflikt me Dedë Tonajn. Në lidhje me ngjarjen, Dedë Vuksani, vëllai i Zefit, ka pohuar se ajo po ngatërrohet. “Provat po tjetërsohen qëllimisht duke ia ngarkuar plagosjen e vëllait tonë Kolë Tonajt, xhaxhait të Dedës, dhe jo atij. Në këtë rast po na vjen keq jo vetëm për plagosjen e vëllait tonë, por edhe për tjetërsimin e provave”, ka pohuar Dedë Vuksani. “Nëse shteti nuk vepron për të zbardhur të vërtetën, për ndalimin e autorit të vërtetë të plagosjes së Zef Vuksanit, që është Dedë Tonaj, atëherë nuk mbetet gjë tjetër vetëm vetëgjyqësia. S’kemi rrugë tjetër”.
Ngjarja ka ndodhur ditën e shtunë, ku pas një konflikti pranë vendit të quajtur ish-Ndërmarrja e Fermentimit, Zef Vuksani, kushëriri i parë i kandidatit socialist të komunës Shalë, mbeti i plagosur me një plumb në këmbë. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona, ndër të cilët edhe Dedë Tonajn, kryetarin në detyrë të komunës Shalë, njëherësh edhe kandidat i koalicionit “Aleanca për qytetarin”. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shkodrës, nga dëshmitë e të shoqëruarve, si dhe nga këqyrja e shenjave në armën e krimit, ka rezultuar se autori i kësaj ngjarjeje është Kolë Tonaj, xhaxhai i kryekomunarit të Shalës, ndërsa arma me të cilën është kryer krimi i përkiste Dedë Tonajt, që e mbante me leje. E gjithë kjo ngjarje mësohet të ketë ndodhur si shkak i vendimit të Kolegjit Zgjedhor pak ditë më parë për mosnjohjen e rezultatit të votimeve më 8 maj dhe vendosjen e rivotimit sërish në një datë të mëvonshme në këtë komunë.
Kryekomunari i Shalës: Kërcënimi, padi në prokurori vëllezërve Vuksani

“Pretendimet se unë jam autori i plagosjes së Zef Vuksanit dhe kërcënimet për vetëgjyqësi nuk janë tjetër vetëm pjesë e strategjisë së PS-së për të fituar komunën e Shalës me çdo formë dhe me çdo mjet”. Kryekomunari Dedë Tonaj pohoi në një intervistë për gazetën “Panorama” se do të padisë në prokurori, pas kërcënimeve, vëllezërit Vuksani.
Çfarë ka ngjarë të shtunën mes jush dhe Zef Vuksanit?
Ne ishim në Shkodër, unë me xhaxhain tim Kolën dhe një mik tjetër kur na thonë se Zef Vuksani ka dalë në Fermentim dhe po u bën presion banorëve të komunës Shalë, të cilët vijnë në Shkodër dhe anasjellas. Ne u nisem andej. Sapo ka dalluar makinën tonë, Zefi na ka sulmuar me makinën e tij, duke e dëmtuar atë dhe të tijën. Kjo mund të vërehet lehtë nga kushdo. Ne u ulëm në tokë dhe i kërkuam Zefit që të mos merrej me njerëz, por të shihte punën e tij. Ai jo vetëm që nuk na e vuri veshin, por filloi të na ofendojë me fjalët më të ndyra, që nuk janë normale për askënd, aq më pak për malësorët e Shalës. Në atë moment që ne po debatonim dëgjova dy krisma arme. Sapo kam kthyer kokën për të marrë vesh se ç’ndodhi, kam parë xhaxhain tim me pistoletë në dorë. “Ç’bëre?” – i thashë? Ai më tha që kishte qëlluar përtokë për të shpërndarë njerëzit, me qëllim që të mos acarohej më shumë situata. Siç dukej, njëri nga plumbat mund të ketë bërë rikoshetë dhe e ka kapur Zefin në këmbë. Pas kësaj ne hipëm në makinë dhe u larguam nga vendi i ngjarjes me qëllim që situata të mos merrte rrjedhë të padëshiruar. Pas nja 10 minutash kam ndalur makinën dhe e kam pyetur xhaxhain se ku e mori armën që gjuajti, se ai nuk mban armë me vete. Ai më tha që kishte marrë armën time nga kruskoti i makinës. Pas kësaj i thashë që të niseshim direkt e në polici për të treguar se çfarë ka ndodhur. Kjo është e vërteta e asaj pasdrekeje.
Zef Vuksani ka pohuar nga spitali se autori i plagosjes së tij jeni ju, jo xhaxhai juaj. Si e komentoni këtë deklaratë?
Një deklaratë e tillë është vazhdim i skenarit që familja Vuksani dhe PS-ja po organizon ndaj meje dhe demokratëve të Shalës. Pasi e kanë provuar për vite të tëra ta fitojnë komunën Shalë dhe e kanë parë se kjo nuk mund të arrihet me ndershmëri, atëherë kanë filluar të bëjnë presione, kërcënime, sharje dhe fyerje ndaj meje dhe ndaj banorëve të vuajtur, por të ndershëm të Shalës.
Pjesë e këtij skenari është edhe presioni i ditëve të fundit, sapo Kolegji zgjedhor mori vendim që në këtë komunë të ripërsëriten zgjedhjet. Pjesë e këtij skenari është edhe konflikti dhe përplasja e Zefit me mua. Pjesë e këtij konflikti është edhe deklarata që plagosjen e tij e kam bërë unë, e jo xhaxhai im. Madje, Zef Vuksani dhe vëllai i tij arrijnë deri aty sa më kanë kërcënuar hapur me jetë, gjoja në emër të vetëgjyqësisë. Por, deklarata të tilla do të marrin përgjigjen e duhur në rrugë ligjore.
Çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë që unë, në bazë të ligjeve të shtetit shqiptar dhe Kodit Penal, sapo të mbledh provat e duhura, do t’i drejtohem gjykatës, ku do të depozitoj një kallëzim penal për vëllezërit Vuksani me akuzën e kanosjes dhe shtrëngimit për shkak të hakmarrjes. Një deklaratë e tillë, duke i kërkuar policisë që të më arrestojë mua, ose në të kundërt, do të hakmerren, tregon më së miri se skenari i tyre është që të më presin rrugën për të zhvilluar fushatën elektorale të radhës për kryetarin e komunës Shalë. Kjo bëhet pikërisht kur për ngjarjen e ditës së shtunë policia ka bërë një hetim të plotë, ku është provuar se autori i plagosjes është Kolë Tonaj, xhaxhai im, dhe jo unë.
SHKODER/ RITVAN DIBRA
© Panorama.al











