“Unë e Skela nuk kemi pasardhës në përfaqësuese”

Aug 17, 2012 | 16:18
Klodian Duro

Ai e njeh mirë ambientin kuqezi, si dhe lojën e kësaj skuadre. Ka luajtur për më shumë se një dekadë me Kombëtaren dhe aktualisht është një nga lojtarët me më shumë ndeshje me këtë skuadër.

Thënë kjo, mendimi i tij ka peshë, sidomos kur flitet për “xholin” kuqezi, për lojtarin që organizon lojën, pikërisht ai që i ka munguar skuadrës sonë nën drejtimin e De Biazit, por që më së shumti u vu re në përballjen me Moldavinë. I ndodhur në tribunën e “Qemal Stafës”, Klodian Duro e ka disi më të lehtë për të bërë një analizë të hollësishme të asaj që nuk shkoi si duhet në skuadër.

Keni qenë në tribunën e “Qemal Stafës” ndaj Moldavisë, ç’ndjesi ju dha ky takim?

Pashë një skuadër që kishte dëshirë për të bërë mirë, por fizikisht nuk ishte në topformën e vet. Kjo vetëkuptohet, pasi një pjesë e mirë e lojtarëve nuk i kanë nisur ende kampionatet, si dhe vijnë nga faza përgatitore me ngarkesa të larta. Por me këtë nuk është se po dua të justifikoj kolegët e mi. Natyrisht duhej të kishim fituar, pasi një rezultat pozitiv sjell gjithnjë moral, sidomos kur ke përpara një ndeshje zyrtare si ajo me Qipron.

Si e shikoni aktivizimin e shumë lojtarëve të rinj nga ana e De Biazit?

Është pa diskutim pozitive. Kjo pasi çdo trajner duhet të mendojë jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen. Por problemi tani nuk qëndron te trajneri, por te vetë lojtarët. Këta duhet të kuptojnë se të luash me Kombëtaren është totalisht tjetër gjë. Ke shumë herë më shumë përgjegjësi, pasi të shikon një publik i tërë. Nëse një gabim kur luan me klubin ndoshta nuk vërehet fare, kur luan me Kombëtaren ndikon jashtëzakonisht shumë. Këtë gjë shikoj se lojtarët e rinj nuk kanë arritur ende ta perceptojnë si duhet. De Biazi u ka dhënë një shans të artë, ndaj ata duhet ta vlerësojnë në maksimum.

Nga porta në sulm, ku patë më shumë probleme në ndeshjen ne Moldavinë?

Në mesfushë pa dyshim. Në portë, mbrojtje dhe në sulm fatmirësisht kemi gjetur qetësi, pasi realisht kemi lojtarë me përvojë dhe të mirë, që mund të të nxjerrin nga situata të pakëndshme në çdo moment. Por nuk mund të them të njëjtën gjë për mesfushën, aty ku realisht mungon një organizator.

Në fakt, e tha edhe De Biazi një gjë të tillë…

Po sigurisht, pasi ai e di se ku çalon skuadra.

Duket sikur nuk ka ende një lojtar që të mund të zëvendësojë Skelën, apo jo?

Për fat të keq, ende jo. Hyka dhe Bakaj luajnë më shumë në krah dhe jo si organizatorë dhe kjo u pa më së miri edhe në ndeshjen e djeshme (pardje). Ata janë lojtarë me cilësi të padiskutueshme dhe më besoni se i njoh fare mirë, por nuk mund të bëjnë dot atë që bënte Skela ose edhe unë në mjaft raste. Madje, e them pa modesti, ndeshjet e mia më të mira i kam pasur kur kam luajtur në rolin e një organizatori të mirëfilltë. Gjithsesi, edhe me Bulkun kishim rezultat.

Dakord, por as në rolin tuaj nuk u pa ndonjë lojtar i denjë për t’ju zëvendësuar, apo jo?

Në fakt, trajneri provoi në fillim Memushajn aty, më pas Vilën dhe Zeqirin, por asnjëri prej tyre nuk arriti të bënte lidhjen mes mesfushës dhe sulmit. Në mjaft raste po të vije re, Bulku ishte i vetëm dhe nuk arrinte dot të luante edhe rolin e shkatërruesit, edhe të organizatorit. Gjykoj se në këtë pikë De Biazi duhet të ndërhyjë shpejt, pasi ndeshja me Qipron është afër.

Pas ndeshjes, Bulku u ankua se nuk po rikuperonte dot topin, por më pas se nuk kishte kujt t’ia pasonte, që ky i fundit të mund të organizonte sulmin...

Pikërisht kjo gjë u vu re në të gjitha rastet tona te porta e moldavëve. Erdhën krosime nga krahët prej Agollit dhe Roshit dhe jo nga loja organizative në mesfushë.

Nëse do ishit ju ndaj Moldavisë në fushë, si e shikonit veten?

Nuk e di, do luaja aty ku do më thoshte trajneri, por duke parë problematikën, ndoshta do kthehesha në kohën kur bëja organizatorin, sikundër me Danimarkën, Portugalinë e shumë ndeshje të tjera ku ne kemi marrë rezultat.

Aktualisht Jahmir Hyka ka marrë fanellën me numrin 10 që mbanit ju, mendoni se e meriton?

Shikoni, numri në fanellë nuk ka të bëjë, për më tepër në Kombëtare. Ajo që vlen, është çka jep për atë skuadër dhe gjykoj se secili nga këta lojtarë të rinj duhet të jetë shumë herë më i përgjegjshëm për ngjyrat që mbron, jo për numrin që mban pas.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura