TIRANË- Hapa të shpejtë në projektin madhor të Shqipërisë Dixhitale ka premtuar kreu i qeverisë Sali Berisha, duke numëruar sot në mbledhjen e qeverisë punën e berë dhe atë që do të pasohet në këtë drejtim.
“Nxitja e një konkurrence të ndershme që është jo vetëm interesi më thelbësor i biznesit, por mbi të gjitha është interesi i qytetarit, sepse kjo ka për produkt cmimet më të leverdishme të mundshme në kushtet e një tregu të lirë për konsumatorin. Fusha e komunikimit është më jetike në veprimtarinë e qytetarëve, komunikimi dhe informimi janë një dhe të pandarë, ndoshta komunikimi dhe revolucioni i madh që ka njohur kjo fushë në 20 vitet e fundit përbën dhe tiparin më thelbësor të zhvillimeve në rrafshin ekonomik, social e më gjerë”- tha Berisha.
Sipas tij, shqiptarët sot kanë një shkallë të telefonisë mobile 180%, një nga më të lartat në Europë, që do të thotë se ata përfitojnë gjerësisht nga mjetet dhe mundësitë e reja të komunikimit.
Sipas tij, në këtë drejtim kemi shënuar uljet më drastike të çmimit në dobi të konsumatorit. “Thirrjet nga telefonia mobil drejt rrjetit fiks kanë qenë 53 lekë, janë 11.1 lekë, janë ulur 4.8 herë. Thirrjet drejt rrjetit celular, jo brenda të njëjtës kompani kanë qenë 58 lekë, janë sot 13 lekë, janë ulur me 4.4 herë. Thirrjet ndërkombëtare me parapagesë kanë qenë 141 lekë, janë sot 63 lekë, janë ulur 2.2 herë. Ndryshimet me kontratë për thirrjet brenda rrjetit janë 2.6 herë, rrjetit celular, 2.6 herë, thirrjet ndërkombëtare 1.9 herë”- tha Berisha, duke iu referuar të dhënave ndër vite.
Sipas tij, të gjitha këto janë shuma që mbeten në xhepat e qytetarëve shqiptarë e që mungojnë në kontot e arkës publike të Financave, e cila gjithsesi sipas Berishës është e lumtur.
Ai ka kujtuar se Posta Shqiptare po ngre me shpejtësi të gjithë infrastrukturën dhe ajo do të importojë fluksin në sasitë më të mëdha të nevojshme do ta furnizojë me një cmim absolutisht shumë herë më të ulët se ky i operatorëve privat, ndërkohë që në 1710 pika në mbarë vendin do të marrin internet falas.
© Panorama.al











