
Sokol Gozhina (Ka-lemi), bashkëshorti i 25-vjeçares së ma-sakruar në Shëngjin, ka dhënë dëshminë e tij në Policinë e Lezhës.Ai mohoi të jetë i implikuar në këtë ngjarje të rëndë, duke shprehur keqardhje për fundin tragjik të nënës së dy fëmijëve të tij. Gazeta siguroi një pjesë së dëshmisë së tij para hetimorëve.
Sa kohë kishit që ishit martuar me Anisa Opingarin?
Jam martuar pesë vite e gjysmë më parë.
Si jeni njohur me të?
U njohëm vetë, kisha njerëz në Fier. Bisedova me të, u dashuruam dhe vendosëm të martohemi.
Si keni kaluar së bashku gjatë viteve të martesës?
Fillimisht, shumë mirë. Lindi dhe dy fëmijët. Ishte korrekte deri në vitin e katërt të martesës. Më pas nisën problemet…
Çfarë problemesh konkretisht?
Fillimisht, problemet lindën mes familjes së saj dhe meje. Ajo u martua sikur po vinte nga shtëpia e fëmijës, jo sikur të kishte dhënë kontribut për familjen e saj. Familja e saj kishte prona, por askush nuk i dha asgjë. Kjo ishte zanafilla e më pas lindën debate e probleme, pasi ajo ishte kokëfortë dhe nuk bindej për gjërat që unë i kërkoja të kryente qoftë edhe në shtëpi.
Kishit dijeni nëse ajo kishte lidhje jashtëmartesore?
Jo, po të kisha dijeni për këtë, do e ndaja sapo ta konstatoja një gjë të tillë. Ndarja erdhi vetëm si rezultat i keqkuptimeve dhe kokëfortësisë së saj, jo të tradhtisë.
A e keni keqtrajtuar për shkak të këtyre problemeve?
Jo, edhe pse kam pasur keqkuptime. Në fund, ajo bëri zgjidhjen e martesës. Iku nga Greqia dhe nuk pranoi të kthehej më.
Po për fëmijët, cili vendosi që t’i merrte Anisa?
Mendoja gjithnjë që për hir të fëmijëve ajo do të ndryshonte sjellje, do i thërriste logjikës dhe do kthehej tek unë.
Si e mësove vrasjen e saj?
Më njoftuan prindërit e mi, sapo panë lajmin në televizion. Nuk e besova fillimisht. Por më pas kur nisa të interesohesha, më thanë që ishte e vërtetë.
Ku ndodheshit ju kur mësuat lajmin?
Gjatë të gjithë kohës kam qenë në Greqi.
Mund ta vërtetoni këtë?
Po, jam i bindur, pasi jam i përgjegjshëm për atë që deklaroj. Unë kam letra të rregullta, kam punën në Greqi dhe për këtë mundet të dëshmojnë edhe pronari grek, dhe punëtorët me të cilër kam punuar. Unë do të mendoja për dy fëmijët e mi, që të mos mbesnin jetimë.
Nuk ju interesonte sjellja e saj në Fier?
Përderisa marrëdhënia kishte marrë fund, nuk kisha pse interesohesha për problemet e saj personale. Megjithëse nuk kam menduar kurrë që ajo mund të merrte një rrugë të gabuar, pasi edhe të ardhurat ekonomike i ka pasur të mira.
Ju nuk njihni ndonjë që është shoqëruar me të kohët e fundit?
Jo, absolutisht. Unë jetoj në Greqi dhe kisha një vit pa u kthyer. Këtë e vërtetojnë edhe vulat doganore.
Nëse do të akuzoheshit ju për këtë vrasje, do vinit të përballeshit vetë me drejtësinë?
Po, pasi jam i pafajshëm. Më vjen keq që ka ndodhur një gjë e tillë, pasi unë kam jetuar me të. Ishte nëna e fëmijëve të mi.
Nëna e Anisës: S’dyshojmë tek i shoqi
Familjarët e 25-vjeçares Anisa Opingari kërkojnë arrestimin dhe dënimin maksimal të autorit. Nëna e viktimës u shpreh pak ditë më parë se e bija kishte pasur probleme me të shoqin, por ajo nuk kishte dyshime se ky i fundit mund të kishte kryer krimin e rëndë. Ajo pohoi se Sokol Gozhina kishte qenë në banesën e saj dhe kishte qarë bashkë me të për tragjedinë.
Trupi i Anisës u gjet i masakruar në pyll
Policia e Lezhës u sinjalizua më 15 korrik nga pushues në plazhin e Shëngjinit për trupin e pajetë të një vajze që gjendej në pyll. Trupi ishte në gjendje të dekompozuar, ndërsa familja e saj kishte denoncuar zhdukjen një javë para se të zbulohej e vdekur. Pas ekspertizës mjeko-ligjore, rezultoi se viktima ishte masakruar me 20 thika në të gjithë trupin. Blutë gjetën në vend edhe çantën e saj, në të cilën ndodhej karta e identitetit, duke bërë së paku identifikimin e menjëhershëm. Ajo u identifikua si shtetasja Anisa opingari, 25 vjeçe nga Fieri. Pas hetimeve rezultoi se viktima ishte nënë e dy fëmijëve, ndërsa ishte kthyer 4 muaj më parë nga Greqia, pasi ishte ndarë nga i shoqi.
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











