“Turistët” bullgarë vjedhin bankat shqiptare

Aug 3, 2011 | 12:10

Pesë shtetas bullgarë u arrestuan mëngjesin e djeshëm në Durrës e Qafë-Thanë, pasi dyshohet se kanë vjedhur mbi 150 mijë euro duke falsifikuar kartat e kreditit e më pas duke tërhequr paratë nga bankomatet. “Bankomati i rremë” arreston 5 hackers-at nga Sofja, vodhën nga bankomatet në Shqipëri 150 mijë euro “Turistët” bullgarë vjedhin bankat shqiptare Me karta të klonuara, 100 transaksione në bankat e nivelit të dytë Bullgarët e kishin vizituar Shqipërinë pothuajse çdo fundjave gjatë 3 muajve të fundit dhe gjatë kësaj kohe kryenin vjedhje pothuajse në të gjitha bankat e nivelit të dytë në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Sarandë. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, të arrestuarit janë Dragomir Bonev, Ivo Ivanov, Pavel Milenov, Nikolay Tosonev dhe Aleksandar Kolev, të gjithë nga Sofia, me kombësi dhe shtetësi Bullgare. Tre prej tyre u arrestuan në një hotel në Durrës, ku u kapën në flagrancë duke klonuar disa karta bankare, ndërsa dy të tjerë u prangosën në vendkalimin kufitar të Qafë-Thanës duke u larguar nga Shqipëria. Shtetasit bullgarë, që vizitonin vendin tonë duke u hequr si turistë, sipas policisë, kanë zgjedhur Shqipërinë për të vjedhur bankat me karta të klonuara, duke qenë se krimi kibernetik është hasur rrallë dhe duke pretenduar se nuk do të zbuloheshin lehtë. Por, edhe pse kanë arritur të tërheqin shuma të konsiderueshme parash nga llogari të shtetasve shqiptarë, veprimi është zbuluar nga punonjësit e bankës në disa filiale në Tiranë, të cilët i janë drejtuar policisë.

ARRESTIMET

Pas 3 muajsh hetime nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar dhe Drejtoria e Policisë së Tiranës, dje në mëngjes, gjatë operacionit të koduar “Bankomati i rremë”, u bë i mundur arrestimi i tyre në flagrancë. Forcat e policisë u koordinuan në dy drejtime në të njëjtën kohë për arrestimin e të huajve, pasi kishin siguruar informacione nëpërmjet përdorimit të metodave speciale për vendndodhjen e tyre. Shtetasit bullgarë, që vizitonin kryesisht vendet bregdetare të Shqipërisë, por edhe Tiranën, duke justifikuar veprimet e tyre si turizëm dhe kryesisht në fundjavë, të premte, të shtunë dhe të diel, ishin vënë në përgjim prej disa javësh. Pasi grupi hetimor mori informacionin e saktë për vendndodhjen e tyre, forcat operacionale u ndanë në dy drejtime, duke bashkëvepruar edhe me policinë lokale të Durrësit dhe të Korçës. Një skuadër e policisë ndërhyri në një dhomë hoteli në Durrës, ku arrestoi në flagrancë 3 shtetasit e huaj, në momentin kur ata ishin duke përgatitur pajisjet kompjuterike për klonimin e kartave bankare. Ndërsa skuadra tjetër operacionale kreu ndërhyrjen në pikën kufitare të Qafë-Thanës, duke arrestuar dy të tjerë, të cilët po tentonin të largoheshin nga Shqipëria në drejtim të Bullgarisë me një makinë tip “Fiat”.

SKEMA E KLONIMIT

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Shtetit, pesë shtetasit bullgarë kishin arritur të siguronin të gjitha pajisjet e nevojshme me të cilat arrinin të klononin kartat e debitit dhe të kreditit, duke vjedhur të dhënat nga llogaritë bankare të shqiptarëve. Policia tha dje zyrtarisht se “ky grup kriminal ka ardhur disa herë në Shqipëri dhe me pajisje elektronike të prodhuara në mënyrë artizanale, të modifikuara si pjesë të bankomatit, kanë kopjuar të dhënat e kartave të debitit dhe kreditit në disa bankomate të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Sarandës. Këto të dhëna janë përdorur për të prodhuar karta bankare të klonuara, me qëllim për të tërhequr para në mënyrë të paligjshme”. Sipas Policisë, nga më shumë se 100 transaksione, shtetasit bullgarë kanë arritur të vjedhin rreth 150 mijë euro.

TE ARRESTUAR

1. Dragomir Bonev, 35 vjeç, nga Sofia, Bullgari
2. Ivo Ivanov, 37 vjeç, nga Sofia, Bullgari
3. Pavel Milenov, 31 vjeç, nga Sofia, Bullgari
4. Nikolay Tosonev, 33 vjeç, nga Sofia, Bullgari
5. Aleksandar Kolev, 38 vjeç, nga Sofia, Bullgari

SEKUESTRUAR
• 3 pajisje kompjuterike “Skimmer”, që shërbejnë për klonimin e kartave, me logo të bankave
• 2 mikrokamera dixhitale për regjistrimin e kodeve PIN
• 2 kamera dixhitale për fotografimin e bankomateve
• Dhjetëra karta plastike me shirit magnetik me të dhëna
të kartave bankare të vjedhura
• 3 Lap top që kanë shërbyer për programimin e të
dhënave
• 2 makina
• 5 celularë
• 1000 euro

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura