Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, ka shprehur përçmimin e tij në lidhje me miratimin e kandidaturave për në Gjykatën e Lartë.Referuar votimit të gjashtë kandidaturave në korrik të vitit 2008, Withers thekson se ky votim uli tensionin mes Kryeministrit dhe Presidentit, por ai ironizon duke thënë se kjo erdhi pas raundesh të tëra, sikur u bë një tregti për të blerë kuaj. “Parlamenti miratoi me qetësi më datë 28 korrik (2008) të gjashta kandidaturat e Presidentit Topi për në Gjykatën e Lartë, së bashku me propozimet e Kryeministrit për ndryshime në qeveri. Miratimi i këtyre kandidaturave për në Gjykatën e Lartë shënoi edhe një ulje të shumëpritur të tensionit mes Kryeministrit dhe Presidentit, por erdhi pas raundesh tregtie kuajsh të gjallë mes Berishës dhe Topit. Parlamenti mbylli sesionin e tij të verës më 28 korrik, me miratimin e gjashtë të propozuarve nga Presidenti Topi për në Gjykatën e Lartë. Miratimi erdhi pasi Kryeministri Berisha udhëzoi deputetët e PD-së për të miratuar kandidatët. Miratimi i kandidaturave mbuloi edhe luftën disamujore mes Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Topi mbi kandidatët për në Gjykatën e Lartë. Në këmbim thuhet se Presidenti Topi ra dakord me ndryshimet e kërkuara nga Berisha në qeveri, së bashku me kandidatin e tij si ministër i Mbrojtjes. Topi gjithashtu ra dakord të caktojë anëtar në KLD një ish-avokat të Berishës”, shkruan Withers. Më tej, ai komenton edhe mbi shkrimet e mediave apo perceptimet në Tiranë, duke shtuar se jo çdo gjë u arrit brenda Kuvendit, por edhe mjaft situata të tjera u zgjidhën jashtë tij. “Megjithatë, sesioni parlamentar nuk i dha fund një pjese të dramës. Sipas një thashethemi, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, do të paraqiste një kërkesë për arrestimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu, por Byroja e Kuvendit papritmas tha se data 28 korrik do të jetë dita e fundit e sesionit. Miratimi nga Parlamenti i anëtarëve të Gjykatës së Lartë solli një fund të mirëpritur të grindjeve mes Presidentit dhe PD-së. Ajo shënoi edhe fillimin e pushimeve të muajit gusht të Parlamentit, duke i dhënë kohën klasës politike shqiptare për të pushuar dhe për t’iu drejtuar plazheve, para se të premtonin diçka tjetër për sesionin. Në fund, edhe Presidenti, edhe Kryeministri mund të pretendojnë fitoren që pretendojnë të dyja palët, por jo të gjitha, për atë që ata donin jashtë Parlamentit”, shkruan ish-ambasadori, në një nga kabllogramet dërguar Departamentit të Shtetit.
Gjuha e ashpër e politikanëve
Një grup i stafit u mor me përcaktimin e saktë të terminologjisë së përdorur. Terminologjia e përdorur nga Berisha kundër Ramës është: Ne do përdorim pincat e ligjit për të hequr dhëmbët, mafioz, lider i kupolës së mafies shqiptare, dhunues i grave, kështjella e fundit e korrupsionit. Ndërsa terminologjia e Ramës dhe PS: Injorant, gënjeshtar, duçja shqiptar, stalin. Tiran, qesharak, Kryeministër pervers, më i dalluari i Hoxhës për gjueti qensh etj.
Dialogu me Shqipërinë
Kabllogramet flasin edhe për fushatën e kreut të PS-së, Edi Rama, në mbarë vendin, që titullohej “Dialog me Shqipërinë”. Sipas komenteve, kreu i PS-së Rama po e përdor këtë fushatë për të rritur potencialin e tij në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, ndërsa shtohet se në këto takime nuk ishte e përcaktuar se për çfarë do flitej. Gjithsesi, shtohet se Rama ka folur mbi disa pika të programit të tij politik, si për arsimin, shëndetësinë, përmirësimin e shërbimit energjetik etj.
Telegrami i Berishës për Bushin
Në vitin 2007, Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një telegram falënderimi Presidentit amerikan George Bush, ku e falënderonte atë për pavarësinë e Kosovës. Ndonëse pavarësia u bë realitet një vit më votë, Berisha i shprehte falënderimet Bushit për angazhimin e tij të plotë, me shpresën se pavarësia e Kosovës do të ishte së shpejti realitet. Ky telegram është i plotë në kabllogramet e publikuara nga Wikileaks, ndërsa pjesa tjetër flet për bashkëpunimin mes dy qeverive.
Protestat e opozitës, edhe më të paguara
Pas gati 48 orësh të fjalimeve të zjarrta, të bllokimit të trafikut, muzikës në kupë të qiellit, protesta e opozitës socialiste u mbyll të dielën pasdite. Tubimi përfundoi pa incidente, pa provokime apo dhunë, siç kishin frikë disa. Rreth 500 deri në 1000 protestues qëndruan para Kryeministrisë dhe hapën çadra për të ndenjur aty. Në fund të protestës treditore, Rama i la ultimatum Kryeministrit 10 ditë për të plotësuar kërkesat për hapjen e kutive të votimit. Disa anëtarë të PS i thanë punonjësve të ambasadës se qëllimi i protestës së tyre nuk ishte të mjelin qeverinë, por të krijojnë një përshtypje të ndërkombëtarët se sistemi politik në Shqipëri është në krizë. Shumë, nëse jo shumica e pjesëmarrësve, ishin paguar ose ishin detyruar me forcë të vinin në protestë, një standard i përdorur nga të dyja krahët.
“Perspektiva çame e paqartë, qeveria i ka duart të lidhura”
Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, i ka kushtuar një rëndësi të veçantë edhe problemit çam në Shqipëri.Në një raport drejtuar Departamentit të Shtetit, dërguar në nëntor të vitit 2008, Withers shkruan gjerë e gjatë për çështjen çame duke vendosur si titull: Qeveria shqiptare i mirëkupton çamët, por… sipas ish-ambasadorit, qeveria shqiptare i ka duart e lidhura, sepse ajo nuk kërkon të dëmtojë marrëdhëniet me shtetin grek, kur e ka si partner të dytë tregtar dhe më se 1 milion shqiptarë punojnë në shtetin helen. “Ndërsa gjendja e çamëve është për të ardhur keq, duket se qeveria shqiptare është më e shqetësuar për marrëdhëniet e saj bilaterale me Greqinë se pretendimet e çamëve. Greqia është partneri tregtar i dytë më i madh i Shqipërisë dhe një milion shqiptarë punojnë në Greqi, kështu qeveria nuk është e gatshme të dëmtojë këto marrëdhënie për të ndjekur çështjen çame”, shkruan Withers. Më tej, ai flet për perspektivën e çështjes së tyre, duke thënë se është e paqartë se cila gjykatë mund të vendosë për pretendimet e drejta të tyre. “Pak është bërë për kauzën çame që një nga vitit 1994 kur u miratua një rezulotë në Parlamentin shqiptar, ku u pranuan kërkesat e tyre, por duket se qeveria shqiptare nuk kërkon të armiqësohet me shtetin fqinj dhe të rrezikojë marrëdhëniet me Greqinë. Perspektiva e një çështjeje ligjore mund të sjellë më shumë vëmendje për çamët, por është e paqartë se cila gjykatë do të ketë juridiksion mbi këtë çështje dhe çfarë, nëse ka, ndonjë efekt konkret për çamët. Në një përpjekje për të tërhequr më shumë vëmendje për kauzën e tyre, çamët dhe pasardhësit e tyre në Shqipëri kanë organizuar herë pas here protesta për të kërkuar shtetësinë greke ose kompensim për humbjen e pronave së tyre. Për shembull, në vitin 2005, Presidenti grek, Karolos Papulias, ndërpreu një vizitë në Shqipëri, duke anuluar takimin me homologun shqiptar, duke ndier shqetësim për sigurinë për protestat e çamëve, por hasi në një reagim nga media dhe qeveria se këto protesta nuk kanë asnjë rrezik për sigurinë”, thuhet në raport.
Jo më shumë se 3 % grekë
Sipas një kabllogrami të dërguar nga ish-ambasadori Withers, në Shqipëri nuk ka më shumë se 3 për qind minoritet grek, ndërsa 2 për qind janë të etnive të tjera. “Shqipëria është një vend prej rreth 3.6 milionë të përbërë nga shqiptarët etnikë (95 për qind), grekët (3 për qind) dhe të tjera grupe, të tilla si romët (ciganët), serbët dhe maqedonasit. Ndërsa sipas burimeve të ndryshme, mbi një milion shqiptarë jetojnë në Turqi, mbi 500.000 në Maqedoni, 440.000 në Greqi, 200,000 në vende si Italia dhe Britania e Madhe, më shumë se 100.000 në SHBA e në Gjermani, me po aq shumë në Zvicër, dhe rreth 30,000 në Mal të Zi. Ka një shaka në Shqipëri që më shumë
shqiptarë jetojnë jashtë saj sesa brenda”, thuhet në një nga kabllogramet.
Politikanët, financime në diasporë
Kabllogramet i kushtojnë një rëndësi të veçantë edhe rolit të diasporës shqiptare jashtë vendit, si dhe rolin e saj në Shqipëri. Në të thuhet se shqiptarët jashtë vendit janë aktivë, por jo aq sa duhet. Ata ende nuk po investojnë sa duhet, ndonëse dërgojnë më shumë se 200 milionë euro në Shqipëri për familjet e tyre. Nga ana tjetër, theksohet se edhe politikanët financohen nga shqiptarët e diasporës. “Gjatë periudhës së fundit të zgjedhjeve, politikanët kryesorë të të dyja kampeve kanë udhëtuar jashtë shtetit për të fituar para dhe për t’u promovuar”, thuhet në kabllogram. Një rëndësi e veçantë i kushtohet lidhjes historike mes shqiptarëve, si dhe shpërndarjes së tyre në vende të ndryshme të botës.
Komentet
Ish-ambasadori Withers preferonte që të komentonte një paragraf në fund të çdo kabllogrami të dërguar në Uashington. Pasi bën një rrëfim të situatës referuar shumë burimeve të ndryshme, shpeshherë ai zgjedh ndonjë citim apo thënie të ditës për të komentuar situatën. Gjithsesi, ai vetë nuk ka përtuar të japë mendimin e tij pa dorashka, në lidhje me çdo situatë që raportonte. Ish-ambasadori ka dërguar çdo javë raporte të rregullta në Uashington.











