Të bësh biznes në Tiranë është gati mision i pamundur. Raporti i Bankës Botërore, “Të bësh biznes në Europën Juglindore”, e konsideron Tiranën si qytetin më të keq për lehtësinë që i krijohet biznesit për të marrë një leje ndërtimi.Nëse situata do të ishte siç ndodh me Beogradin e Serbisë, që është i parafundit në listën e 22 qyteteve të marra në studim, situata do të ishte më ngushëlluese, por për Tiranën praktika e dhënies së lejeve të ndërtimit nuk ekziston prej vitesh. BB ka marrë në studim edhe tri qytete të tjera në vend, siç janë Shkodra, Vlora dhe Durrësi. Mes këtyre, sërish Tirana paraqitet si qyteti më i keq në vend për të bërë biznes, por nga totali pozitiv është fakti që të katër qytetet e Shqipërisë janë në dhjetëshen e parë të të bërit biznes nga 22 qytete në total. Specifikisht, për lejet e ndërtimit dhe për kohëzgjatjen e procedurave, Shkodra dhe Vlora janë qytetet që krijojnë lehtësitë më të mëdha. Për qytetin verior lehtësia e marrjes së një lejeje ndërtimi renditet e treta ndër 22, ndërkohë që për Vlorën dhe Durrësin renditja është saktësisht 9 dhe 11. Sa u përket procedurave që ndërmerren gjatë fazës së ndërtimit për Shqipërinë, numri i procedurave është 21 nga 30 që është maksimumi. Nga këto, 10 janë procedura para ndërtimit, 5 janë gjatë ndërtimit, 3 janë të nevojshme dhe e janë pas ndërtimit. Por, sa është mesatarja e ditëve që duhen për të marrë një lejë ndërtimi? Nga 22 qytete të Europës Juglindore, mesatarja e ditëve për Shkodrën është 176 ditë, për Vlorën 184 dhe për Durrësin 208. Për Tiranën gjithçka është e bardhë për të treguar se marrja e një lejeje ndërtimi as që ekziston fare si mundësi. Qyteti më i mirë për kohën më të vogël të marrjes së një lejeje ndërtimi në rajon është Bitola në Maqedoni, ndërkohë që më i keqi është Mostari në Bosnjë-Hercegovinë, ku për të marrë një leje ndërtimi duhen plot 554 ditë.
Banka Botërore, lidhur me rastin e Tiranës, sjell në vëmendje faktin që përplasja politike ka qenë problemi kryesor që ka bllokuar lejet e ndërtimit dhe praktikat e tjera që e rendisin kryeqytetin si më negativin karshi të bërit biznes. Një tjetër pjesë e rëndësishme e raportit lidhet me lehtësitë që i krijohet biznesit për të regjistruar pronën. Edhe në këtë kategori Shkodra vlerësohet si qyteti me performancën më të mirë, duke u renditur e 9-ta, Vlora vjen e 10-ta, Durrësi i 13-ti dhe Tirana e 16-ta.

IFC: Ndryshime pozitive
Korporata Ndërkombëtare Financiare vlerëson se Europa Juglindore në tërësi dhe shtetet e veçanta brenda saj gjatë viteve kanë ecur në kahun e përmirësimeve. Raporti “Të bësh biznes në Europën Juglindore 2011” reflekton në ndryshime pozitive që po ndihmojnë biznesin për të kursyer kohë dhe para, çka sjell edhe përmirësime në renditje. “Në të gjithë rajonin kostoja mesatare për të nisur një biznes është ulur nga 22 në 13 për qind të të ardhurave mesatare për frymë. Koha mesatare që nevojitet për të përpunuar lejet e ndërtimit dhe për të regjistruar pronën është reduktuar me më shumë se një muaj”, thuhet në raportin e Bankës Botërore. Ekspertë të këtij institucioni kanë theksuar se ekonomitë konkurruese nuk mund të mbijetojnë më si ishuj dhe, si të tilla, ato duhet që të ndajnë përvojat për reformat si një mundësi për të përmirësuar konkurrencën në nivel kombëtar dhe rajonal.
Më të mirët
Raporti i Bankës Botërore nxjerr në fund edhe qytetet që kanë performancën më të mirë sipas kategorive. Mes 22 qyteteve, asnjë nga 4 qytetet e Shqipërisë të përfshira në raportin e BB-së nuk është mes më të mirëve. Maqedonia është i vetmi vend që mban rekord sa u përket lehtësive që i krijohet biznesit për një seri kategorish, duke filluar nga lejet e ndërtimit deri te procedurat e regjistrimit.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











